Firmoset Memorandumi i Bashkëpunimit
Pollo e Fullani te "Qemal Stafa": Brezi i ri te mirëinformohet në fushat e ekonomisë, financës dhe bankës
Sot ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Genc Pollo dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë.
Ky bashkëpunim mes MASH e Bankës e Shqipërisë ka në thelbin të tij edukimin kryesisht të gjimnazistëve, por edhe të studentëve me njohuritë më bashkëkohore të ekonomisë së tregut.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të këtij Memornadumi ministri Pollo tha:
“I nderuar z guvernator, të dashur gjimnazistë dhe mësues të gjimnazit “Qemal Stafa” sot bashkë me guvernatorin e bankës qëndore z. Fullani hedhim një hap tjetër të rëndësishëm për të përhapur në shkollat tona, në shkollat e mesme, shkollat e larta por edhe më tej, njohuritë mbi ekonominë e tregut. Jetojmë tashmë prej vitesh në një botë ku ekonomia e tregut dhe njohuritë për të janë motorri kryesor i zhvillimit ekonomik, i zhvillimit social. Por në një botë që zhvillohet për ditë me ritme më të shpejta, si nga teknologjia nga njohuritë dhe teknika, është e nevopjshme që shkollat tona të japin informacionin e ditës së fundit dhe jo të vitit të fundit. Këtë ne synojmë ta realizojmë përmes literaturës dhe trajnimeve që Banka e Shqipërisë mes specialistët e saj, në vazhdim të një pune që ajo ka kohë që e bën, ta realizojë në shkollat tona në të gjitha shkollat e ciklit tonë publik por edhe privat.
Dhe kjo është në kaudrin e partneriteteve që MASH ka ndërmarrë, sepse pa patur një parteritet të qëndrueshëm është vështirë të arrihet suksesi dhe qëllimet. Dhe fryma e sipërmarrjes në arsim dhe të mësuarit të të gjitha njohurive që kanë të bëjnë me sipërmarrje dhe mënyrën se si funksionon ekonomia e tregut, janë të nevojshme të merren. Kjo nismë vjen pas përfshirjes së një numri të shkollave të mesme të vendit në projektin “Junior Achievement Albania” e cila mbështetet nga USAID dhe është një projekt shumë i mirë në mënyrë që gjithkush prej jush të zhvillojë aftësitë e brendshme, talentin, për të qenë sipërmarrës, për të qenë vetë iniciator. Por për këtë duhen njohuri të mira për mënyrat, rregullat, institucionet, procedurat që ka ekonomia e tregut dhe Banka e Shqipërisë është partneri i duhur për ti përcjellë këto me fushatën diseminuese dhe me materialet didaktike që i ka përgatitur, të gjitha të përshtatura për grupmosha të cilat ju afrohen.
Une do të ndalesha në një nga aspektet, në të cilin, shpresoj kjo nismë e jona do të japë ndihmesë. E kam fjalën për trajnimet e mësuesve, për drejtorët e shkollave, si të menaxhojnë shkollën në kuadrin e politikës sonë, për rritjen e autonomisë së shkollave. Konkretisht një ndër udhëzimet e fillim vitit lejonte për herë të parë në historinë tonë shkollat që të kenë një llogari bankare ku do të derdhen paratë e dhuruara nga palë të treta për shkollën dhe të cilat do menaxhohen nga bordi i shkollës i krijuar nga nxënësit, mësuesit dhe prindërit. Ndërkohë që drejtori është një person ekzekutiv që zbaton vendimet e bordit që merren me një planifikim afatmesëm dhe afatgjatë. Por këto mund të jenë të kollajshme për tu thënë por në praktikë kanë vështirësitë e veta, të cilat janë të kapërcyeshme në rast se do të kemi aftësitë e duhura të cilat fitohen përmes këtyre trajnimeve.Kontributi që po jep Banka e Shqipërisë është pikërisht të organizojë trajnime edhe për mënyrat e reja menaxhimit në kuadrin e ri ligjor që është krijuar përfshi dhe rolin e bankës si depozituese e parave që vijnë nga palë të treta, jo nga buxheti. Në mënyrë që të kemi një menaxhim të mirë të këtyre të ardhurave dhe një transparencë ne raport me ministrinë, me bordin e shkollës edhe me donatorët privatë cilëtdo qofshin këta. Pra do të ndalesha në një përfitim konkret që do të ketë shkolla por aspekte të tilla ka shumë dhe janë perfshirë në projektin tone të bashkëpunimit dhe me këtë besoj që fillon edhe një periudhë më intensive e bashkëpunimit tonë.
Prandaj unë do ta falenderoja z. Fullani dhe për nismën që ka marrë dhe të jemi të sigurt që do të kemi një bashkëpunim, jo vetëm shumë të mirë por edhe afatgjatë, në frymën e drejtimit të arsimit bashkëkohor, me njohuritë që duhen dhe me mundësitë e duhura dhe aftesitë individuale dhe kolektive të gjithsecilit.”
Objektivi kryesor i këtij memorandumi është nxitja e bashkëpunimit reciprok në fushën e edukimit të nxënësve të shkollave bazë, të mesme si dhe studentëve të universiteteve në fushat e ekonomisë, financës dhe bankës, me synim:
ndërthurjen në kurrikulën shkollore të shprehive të sipërmarrjes dhe tregut të lirë
informimin dhe në rritjen e transparencës ndaj publikut në përgjithësi dhe brezit të ri, në veçanti, për arritjet në fushën ekonomike dhe financiare.
Në bazë të këtij Memorandumi Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me MASH do të organizojë katër seminare dyditore në vit për mësuesit e shkollave të mesme; trajnime për drejtorët e tyre për të ndihmuar në menaxhimin e buxhetit të shkollave; takime periodike të specialistëve të saj me nxënësit e shkollave të mesme, duke vizituar tre shkolla në muaj gjatë vitit shkollor;
MASH dhe Banka e Shqipërisë do të shpërndajnë periodikisht në shkollat e mesme broshurat dhe materialet e tjera me karakter edukativ në fushat e ekonomisë, financës dhe bankës, të konceptuara në mënyrë të posaçme për ta;
Në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe me mbështetjen e MASH cdo vit do të ketë edhe një “Ditë të Bankës” me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme, si dhe një konkurs kombëtar për nxënësit e shkollave të mesme në fushën e bankingut.
Në Arsimin e Lartë Banka do të organizojë leksione të hapura me tematika nga fushat e ekonomisë, financës, bankës dhe më gjerë për studentët e Universitetit të Tiranës dhe universiteteve të tjera në rrethe.
|