Tiranë, më 5 dhjetor 2008

Ministri Beja dhe Ministri Alibeaj firmosin Memorandumin e Bashkëpunimit: Shans i dytë të burgosurve për tu arsimuar.

E drejta e arsimimit e paraburgosurve dhe të dënuarve në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale ishte objekti i një Memornadumi bashkëpunimi të nënshkruar sot në MASH nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës Z. Fatos Beja dhe nga Ministri i Drejtësisë Z. Enkeled Alibeaj.

Në bazë të këtij Memorandumi, të gjithë shtetasve të dënuar që shprehin dëshirën për tu arsimuar, u jepet një shans i dytë në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (I.E.V.P.). Aktualisht në të gjitha këto Institucione kanë shprehur dëshirën për tu arsimuar apo të vazhdojnë arsimin 146 të dënuar.

“Sot ne nënshkruam një Memorandum Bashkëpunimi mes dy Ministrive tona, - u shpreh Ministri i Arsimit Z. Beja gjatë ceremonisë, - qëllimi i të cilit është që tu jepet mundësia e arsimimit të gjithë atyre që vuajnë dënimin e tyre, në përputhje me vendimet e gjykatave në institucionet e edukimit, te mund të vijojnë studimet sipas dëshirës në arsimin e detyruar. Kjo mundësi që jepet, është një mundësi në bazë të Të Drejtave të Njeriut. Cdokush mund të dënohet dhe është i detyruar të mbahet në Institucionet e Dënimit, në burgje, por cdokush është njeri dhe trajtimi është njerëzor dhe cdokush ka të drejtën, në bazën e Kushtetutës që të shkollohet. Të gjithë ata të burgosur që kanë shprehur dëshirën për të vijuar studimet në institucionet e edukimit kanë një mundësi me këtë Memorandum dhe këtë bashkëpunim që kemi vendosur, që të ndjekin këto studime. Ne si MASH vëmë në dispozicion trupën mësimore, mjetet edukative dhe lëvizjen e mësuesve deri në vendet ku do të zhvillohet mësimi brenda institucioneve të dënimit.

Unë besoj që është një bashkëpunim i mirë mes dy Ministrive dhe rezultatet do jenë të dobishme.

Tashmë ka 146 të dënuar që kanë kërkuar të marrin pjesë në këto kurse që do të zhvillohen brenda burgjeve. Të interesuarit janë qoftë të ciklit të parë, qoftë të ciklit të dytë të arsimit 9-vjecar. Është një lajm i gëzuar për të gjithë ata që duan të vijojnë studimet e tyre brenda institucioneve të edukimit.”

MASH do të marrë përsipër realizimin e të gjithë anës pedagogjike të procesit mësimor, duke përfshirë, vënien në dispozicion të mësuesve si dhe pajisjen me mjete mësimore. MASH, gjithashtu do të përgatisë programe specifike për procesin mësimor.

Nga ana e saj Ministria e Drejtësisë do të marrë përsipër sigurimin e kushteve, klasa të përshtatshme dhe gjithë infrastukturën e nevojshme. Do të sigurojë transportimin e mësuesve, kur këto institucione ndodhen larg nga qendrat e banuara, shërbim psikologjik dhe social për procesin e mësimdhënies.

Mësuesit që do të japin mësim në këto Institucione do të jenë të autorizuar nga Ministria e Drejtësisë, sipas kërkesave të Drejtorisë Arsimore përkatëse.

Procesi mësimor do të realizohet me kohë të plotë ose të pjesshme në një ambient të veçantë të përshtatur për dhënie mësimi pranë I.E.V.P.. Arsimimi me kohë të plotë do të realizohet vetëm për nxënësit në moshën e arsmit të detyruar në IEVP Vaqarr, Tiranë. Arsimimi me kohë të pjesshme do të realizohet në të gjitha IEVP, bazuar në legjislacionin përkatës për arsimimin me kohë të pjesshme.  

Klasat pranë IEVP do të varen nga shkolla e arsimit të detyruar pranë njësisë administrative të IEVP, ndërsa regjistrimi i nxënësve në klasat përkatëse do të bëhet mbi bazën e dokumentit të mbarimit të klasës ose testimit nga ana e komisionit të ngritur për këtë qëllim.

Me mbarimin e klasës apo shkollës i dënuari do të përfitojë dokumentin përkatës, certifikatë apo diplomë, i cili është i njëvlefshëm me ato të përfituar nga shkolla të të njëjtin nivel jashtë institucionit.

Arsimimi si një e drejtë themelore kushtetuese, është një përparësi kombëtare në vendin tonë dhe e kësaj qeverie.

Miratimi i këtij Memorandumi do të ndihmonte në rritjen intelektuale të personit me liri të kufizuar, në ndërgjegjësimin dhe rritjen e përgjegjshmërisë në lidhje me veprën e kryer, lehtësimin e procesit të rehabilimit dhe integrimit të personit me liri të kufizuar si dhe reduktimin e mundësisë për recidivizëm.