Tiranë, më 4 prill 2006

 

MASH dhe Bashkimi i Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë:

Memorandum për 100 TIK-shkolla

 

Sot në MASH, Salla e Konferencave, Ministri i Arsimit dhe Shkencës Z. Genc Pollo nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Bashkimin e Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë (BDHTI), përfaqësuar nga Presidenti i saj Z. Luan Bregasi , për futjen e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në shkollat publike.

4 muaj pas lançimit të Master Planit të qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës , 2 muaj pas ndërtimi të laboratorëve të kompjuterave nga Banka Raiffeisen në disa shkolla, 100 kompani, nga më të suksesshmet në bizneset e tyre, kryesisht nga Tirana dhe qytetet e tjera, i përgjigjen programit “Adopto një shkollë dhe ktheje në një TIK”, ku përfshihen 100 shkolla të mesme dhe 9-vjeçare, 50 për vitin 2006 dhe 50 për vitin 2007.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin rreth 20 përfaqësues të kompanive private dhe autoritete lokale të arsimit, që do të përqafojnë këtë iniciativë.

Sipas memorandumit, MASH do të përcaktojë projektin e pajisjes së laboratorit, kërkesat për shërbimin e Internetit dhe rregulloren tip të shfrytëzimit të laboratorit të kompjuterave jashtë orarit mësimor, për një shkollë të mesme dhe për një shkollë bazë. Angazhimi konkret për realizimin e inisiativës “Adopto-një-shkollë”, do të bëhet përmes një Akt-Marrëveshjeje midis Drejtorisë së Shkollës dhe Biznesit përkatës, me pjesëmarrjen e Drejtorisë Arsimore Rajonale ose Zyrës së Arsimit të rrethit përkatës.

Nga ana tjetër, Bashkimi i Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë angazhohet të përhapë programin “Adopto-një-shkollë”në komunitetin e biznesit kudo në Shqipëri, me anën e faqes së internetit të saj, ku do të hapet një rubrikë e posaçme për programin.

Përveç përdorimit për procesin mësimor, kabinetet e kompjuterave në shkolla do të jenë të hapura, në orare të caktuara, për komunitetin lokal të biznesit dhe publikun e gjerë, për të marre shërbime sociale, informacion për tregun, etj.

Hapja e laboratorëve të shkollave për publikun pas orëve të mësimit dhe gjatë fundjavës, ofron gjithashtu një mundësi për të gjeneruar të ardhura të mjaftueshme për kostot e mirëmbajtjes së laboratorëve dhe sigurimin e shërbimit të Internetit në të ardhmen.