Tiranë, më 31 mars 2008 |
|
Literatura ndihmëse për arsimin parauniversitar, BORELASP: afati për propozime të reja deri më 30 prill 2008 Deri më 30 prill 2008 Bordi i Rekomandimit të Literaturës Artistike, (BORELASP) pranë MASH do të pranojë propozime për tituj të rinj që mund ti shtohen listës për literaturën në ndihmë të procesit mësimor dhe veprimtarive ekstrakurrikulare për nxënësit e shkollave të arsimit parauniversitar. Në mënyrë të veçantë, për vitin e ri shkollor 2008-2009, do të jenë të mirëpritura studimet në lëmin e gjuhësisë. Kriteret e përzgjedhjes Në përputhje me kriteret e pranimit dhe të përzgjedhjes së literaturës artistike, BORELASP pranon për shqyrtim botime të ofruara vetëm nga shtëpi dhe ente botuese. Çdo botim që do të paraqitet në Bord duhet të jetë në 3 (tri) kopje dhe të shoqërohet me shkresën përcjellëse ku të jepen kriteret, në bazë të të cilave shtëpitë dhe entet botuese kanë bërë përzgjedhjen. Bordi nuk merr në shqyrtim botimet që nuk respektojnë të drejtën e autorit dhe që rezultojnë me probleme redaktoriale apo drejtshkrimore. I krijuar me një urdhër të Ministrit të Arsimit në 13 mars 2006 BORELASP në ndihmë të procesit mësimor të gjuhës dhe letërsisë në arsimin parauniversitar synon të këshillojë nxënësit e mësuesit e arsimit parauniversitar cfarë të lexojnë në orët e lira, por edhe si literaturë shtesë në ndihmë të temave të programit zyrtar te letersise. Ky Bord merr në shqyrtim kërkesat e botuesve, të cilët ofrojnë literaturë në ndihmë të procesit mësimor dhe veprimtarive ekstrakurrikulare për nxënësit e shkollave të arsimit parauniversitar, diskuton dhe miraton ato botime artistike, publicistike e studimore në fushën e letërsisë dhe të gjuhës, të cilat plotësojnë kriteret dhe pikësynimet e shkollës shqiptare për vlerat njohëse dhe edukative. Misioni kryesor i BORELASP është t'i ofrojë shkollës shqiptare vlerat e larta letrare, që çmohen si pjesë e vyer e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe botërore , në përshtatje me moshën, programet e kërkesat shkollore. Për këtë qëllim, Bordi synon të krijojë një sistem filtrimi dhe përzgjedhjeje të literaturës plotësuese për shkollat tona. Bordi mirëpret sugjerime, mendime dhe propozime konkrete për përmirësimin dhe mbarëvajtjen e punës së tij nga mësues, specialistë, botues, autorë dhe persona të tjerë të interesuar në adresën elektronike borelasp@mash.gov.al . Për më tepër informacion lidhur me kriteret e pranimit dhe të përzgjedhjes, listën e miratuar për vitin shkollor 2007-2008 dhe rregulloren e BORELASP, vizitoni faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës www.mash.gov.al .
|
|