Tiranë, më 21 qershor 2007

 

Plotësimi i formularit A2, MASH publikon listën e plotë të 196 degëve të universiteteve publike.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës publikon të plota degët e fakulteteve në 11 universitetet publike.

196 degët e 46 fakulteteve publike gjenden të listuara në formularin A2, i vlefshëm për përzgjedhjen e degëve të preferuara, ku maturanti dëshiron të studiojë.

MASH publikon të plotë këtë listë, në mënyrë që deri më 30 qershor 2007, data ku përfundon edhe afati për përzgjedhjen e preferencave për të drejtat e studimit, maturantët të konsultohen edhe një herë me degët ku ata kanë mundësi të aplikojnë.

Maturantët duhet të informohen se disa nga degët e universiteteve ndodhen në filiale jashtë qytetit të Tiranës siç është rasti i degës së Turizmit të fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, por që ndodhet në Sarandë.

 

Degët e universiteteve në formularin A2

Lista e degëve zë pjesën më të madhe të Formularit A2. Nxënësit duhet ta lexojnë me shumë kujdes këtë listë, për të gjetur degët që preferojnë. Për secilin Universitet të Shqipërisë janë renditur të gjitha degët e tij. Në krah të emërtimit të çdo dege, ka një numër me 3 shifra, që përfaqëson degën.

 

Si duhet bërë zgjedhja e një dege të preferuar?

Duke ndjekur me kujdes listën e degëve, së pari ndaloni në Universitetin ku dëshironi të ndiqni studimet. Lexoni me kujdes degët e atij Universiteti dhe për një degë që preferoni, mbani shënim numrin e degës dhe emërtimin e saj, p.sh në Universitetin e Tiranës: 010 Kimi Ushqimore . Po brenda të njëjtit Universitet mbani shënim numrin dhe emërtimin e degëve të tjera të preferuara, p.sh. 021 Punë Sociale , e kështu me radhë.

Në plotësimin e Formularit A2, keni të drejtë të plotësoni 10 degë të preferuara.

Para se të plotësoni preferencat, konsultohuni me familjen, diskutoni me të afërmit dhe formoni një listë me degët e renditura sipas preferencave . E para do të jetë dega që preferoni më shumë, e dyta ajo që preferoni nëse nuk do të fitoni në Preferencën e parë e kështu me radhë. Mbi këtë bazë të preferencave do të shpallen fituesit për secilën degë, gjithmonë nëse kandidatët kanë mbledhur pikët e nevojshme.