Libraria lundruese LOGOS II dhuron 4.000 libra për MASH-in
Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Genc Pollo vizitoi sot në Durrës anijen LOGOS II , e cila njihet si libraria e dytë lundruese më e madhe në botë.
Gjatë kësaj vizite, anija LOGOS i dhuroi MASH-it 4.000 kopje librash në anglisht, si novela, romane, por edhe metodika të anglishtes.
Ministri i Arsimit, gjatë fjalës së tij, tha se këta libra do ti shërbejnë nxënësve, por edhe MASH-it, në kuadër të dy nismave të rëndësishme të ndërmarra prej pak kohësh: së pari për mësimin më të mirë të anglishtes në nismën “Shqipëria anglofone”, ku në sajë të Altertekstit do të futen në tregun e tekstit shkollor në vend, edhe shtëpi botuese nga Anglia, Amerika, etj, me metodat e mësimit të kësaj gjuhe.
Por kjo sasi e konsiderueshme librash, përveç ndihmës nga buxheti i shtetit dhe donatorëve, është një lajm i mirë edhe për projektin “Çdo shkollë me bibliotekë”- për pasurimin e shkollave të arsimit parauniversitar me tituj të rinj librash. (fondet nga buxheti i shtetit për vitin 2007 për këtë projekt janë 320.000 mijë euro)
Çfarë është LOGOS II
LOGOS II njihet si libraria e dytë lundruese më e madhe në botë. Ajo rikthehet edhe njëherë në portin e Durrësit pas 7 vjetësh.
Që nga viti 1989 dhe për më shumë se 15 vjet, anija ka vizituar më shumë se 86 vende të ndryshme në Amerikën Latine, Europë, Amerikën Qendrore, Afrikë dhe Karaibe, duke pritur në bord më shumë se 8 milionë vizitorë.
Qëllimi kryesor i LOGOS II, sipas organizatorëve, është t'ju sjellë kombeve njohuri, ndihmë dhe shpresë. Në bordin e saj jetojnë së bashku 200 vullnetarë nga më shumë se 45 vende të ndryshme të botës.
Libraria e LOGOS II ofron për shitje më shumë se 4.000 tituj librash, nga fusha të ndryshmet si shkencë, sport, kuzhinë, art, marketing, filozofi dhe libra fetarë me një çmim shumë të arsyeshëm. Këto libra janë zgjedhur me kujdes në interes të çdo pjestari të familjes dhe për t'ju përshtatur çdo nevoje të komunitetit.
Familjarë dhe njerëz të moshave të ndryshme mund të bashkohen në programet e ndryshme në bordin e anijes dhe jashtë saj, në organizime si Dita për të gjithë familjen, dita e muzikës latine, program i vecantë për nxënësit e shkollave, si dhe nata Ndërkombëtare.
Anija është në pronësi të EBE (Educational Book Exhibit Ltd; Ekspozita e Librit Edukativ) një organizatë jo-fitimprurëse e regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar.
|