Tiranë, më 30 janar 2008

 

Projekti “Cilësi dhe Barazi në Arsim”, Shera:rreth 2.000 laboratorë virtualë me vlerë afro 1 milionë Euro në shkollat e arsimit parauniversitar.

Në kuadër të programit “Cilësi dhe Barazi në Arsim”, sot janë shpërndarë rreth 2.000 laboratorë virtualë me vlerë afro 1 milionë Euro në shkollat e arsimit parauniversitar, fillimisht në kryeqytet dhe më pas në gjithë shkolla në gjithë vendin.

Në oborrin e shkollës “Sabaudin Gabrani” ku u krye shpërndarja e pajisjeve elektronike, z. Përparim Shera Drejtor i Informacionit dhe Statistikës në MASH u shpreh sot në një deklaratë për mediat :

“Pajisja e shkollave të arsimit bazë dhe të mesëm me laboratorë virtualë është një nga aktivitetet kryesore për tu zbatuar e MASH, në lidhje me përfshirjen dhe përmirësimin e vazhdueshëm të teknologjisë së informacionit në arsim.

Sot fillon zbatimi i fazës së parë të shpërndarjes së 2.000 laboratorëve virtualë në shkollat e arsimit parauniversitar. Një set pajisjesh elektronike do të shpërndahen në shkolla i përbërë nga: 1 Lap-Top, 1 video projektor dhe nje CD multimediale e cila ka në përmbajtje të saj programe dixhitale, me module mësimore elektronike të lëndëve të ndryshme të cilët mësuesit do ti përdoren në procesin e mësimdhënies (lëndët fillestare në CD e para janë Matematika, Fizika, Kimia).

Nga ky projekt do të pajisen 1.081 shkolla sipas një plani shpërndarje i cili shtrihet në të gjithë njësitë vendore në vend.

Shpërdarja e seteve është kryer sipas disa kritereve të paracaktuara nga numri i klasave dhe nxënësve në shkolla. Shkollat do të pajisen me deri ne 6 sete laboratorësh virtualë të cilat do të përfshijnë pajisjet e mësipërme. Sot ka filluar shpërndarja në qytetin e Tiranës, e cila do të pajiset me 360 laboratorë virtualë si dhe të DAR Durrës, përfshirë edhe zonat rurale.

Një nga synimet e MASH me këtë projekt është zgjerimi i përmbajtjes multimediale në shkolla, kjo e fundit do të përmirësojë cilësinë e mësimdhënies. Shumë shpejt do zgjerohet përmbajtja e programeve dixhitale me module të tjera arsimore të cilat do të jenë të shqipëruara dhe të moduluara në përputhje me kurrikulën mësimore.

Njëkohësisht po realizohet nga Instituti i Kurrikulës dhe Standardeve trajnimi i mësuesve mbi përdorimin e laboratorëve virtualë. Deri më sot nga ky Institut janë trajnuar mbi 700 mësues në Tiranë dhe rrethe të tjera”