Që nga 2007, kualifikim real për mësuesit
Ministri Genc Pollo: “Gjithçka për nxënësin duke bërë çmos për mësuesin”.
Provim me standarde edhe për mësuesit. Me një fjali kjo është përmbajtja e udhëzimit të fundit të ministrit të Arsimit dhe Shkencës për kualifikimin e mësuesve.
Prej muajsh është ngritur në MASH një grup pune që punoi për hartimin e këtij udhëzimi dhe të një rregulloreje të provimit, që përngjan për nga standardet, provimeve të Maturës Shtetërore.
Për të lancuar këtë udhëzim ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Genc Pollo tha sot për mediat:
“Sot do të doja t'ju njoftoja fillimin e një reforme thelbësore në arsim dhe një nga tre shtyllat kryesore të arsimit parauniversitar, që është kualifikimi i mësuesve.
Deri më sot, kualifikimi i mësuesve është bërë në bazë të një udhëzimi të lëshuar 16 vjet më parë dhe kishte degraduar në një avancim automatik në karrierë dhe në pagë, pa u lidhur fare me aftësitë individuale të secilit mësues. Mënyra se si organizoheshin testimet e kualifikimit në Drejtoritë Arsimore Rajonale, ishte formale dhe gjithmonë 100% e atyre që hynin në provim, rezultonin fitues: Përzgjedhja e mësuesve ishte shpesh korruptive. Ky nuk është një sistem i drejtë dhe nuk i shërben cilësisë dhe etikës në arsim.
Prandaj, pas përgatitjeve të nevojshme, këtë vit, ne po lançojmë një sistem të ri kualifikimi, ku rregullat e provimit për mësuesit do të jenë të ngjashëm me ato të Maturës Shtetërore. Ky sistem do ti motivojë fort mësuesit që të rrisin standardet e tyre të mësimdhënies. MASH do ta mbështesë këtë proces.
Shumica e provimeve do të kryhen vetëm me shkrim, me një test unik për lëndën dhe kategorinë, i cili do të hartohet nga Qendra e Trajnimit Kombëtar të Kualifikimit (QTKA), do korrigjohet po prej saj në Tiranë. Provimi do të administrohet me korrektesë maksimale.
Ata mësues që do të kualifikohen fitues, do të sigurojnë ngritjen në kategori dhe shtesën në pagë.
Këto provime do të mundësojnë për herë të parë në këto 16 vjet, njohjen e nivelit profesional real të mësuesve, zotërimin e programit lëndor dhe anën shkencore të lëndës.
Mbi bazën e rezultateve të kualifikimit në muajin maj dhe analizës së këtyre rezultateve, ne do të zhvillojmë më tej reformën në këtë sektor kryesor të arsimit të mesëm dhe bazë.
Qëllimi është ngritja profesionale e mësuesve në shërbim të devizës sonë: “Gjithçka për nxënësin duke bërë çmos për mësuesin”.
Kualifikimi i mësuesve, për kotegorizimin e tyre, deri tani është zhvilluar në bazë të një udhëzimi të vitit 1991, ku shpesh i është lënë shteg abuzimit. Provimi organizohej nga Drejtoritë ose Zyrat Arsimore, në mënyrë jokorrekte.
Ndërsa me udhëzimin e ri, vlerësimi do të jetë i jashtëm dhe i centralizuar: testet do të hartohen nga specialistët e Qendrës Kombëtare të Trajnimit dhe Kualifikimit (QTKA), dhe do të vlerësohen po aty; provimet do të mbikqyren nga administratorë të jashtëm; Gjithashtu në këtë rregullore janë parashikuar edhe masa ndaj mësuesve, administratorëve, vlerësuesve, vëzhguesve, etj, për parregullsitë gjatë provimit të Kualifikimit; Pas daljes së rezultateve do të ketë edhe një afat ankimimi.
Në datat 26 dhe 27 maj 2007, sipas udhëzimit për “organizimin e kualifikimit për punonjësit arsimorë që plotësojnë vjetërsinë në sistemin arsimor parauniversitar për vitin mësimor 2006-2007” do të japin provim për tu kualifikuar mësuesit:
a) Me diplomë mësuesie, me emërim definitiv ose në pritmëri;
b) Pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët profesionale në shkollat e mesme profesionale ose të përgjithshme dhe kanë kontratë individuale pune;
c) Pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët profesionale në shkollat profesionale me status kombëtar;
d) Pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët e edukimit muzikor ose të edukimit figurativ dhe kanë kontratë individuale pune.
Provimet do jenë vetëm me shkrim ose vetëm me gojë.
Në provimin e kualifikimit mësuesit do të vlerësohen për:
a) zotërimin e programeve lëndore,
b) zotërimin e anës shkencore të lëndës shkollore,
c) zotërimin e anës metodike të lëndës.
Provimeve të kualifikimit i nënshtrohen vetëm punonjësit të cilët, deri më datën 31 dhjetor 2006, plotësojnë vjetërsinë e mëposhtme të punës në arsim:
a) nga 5 deri në 9 vjet, për shkallën e tretë të kualifikimit;
b) nga 10 deri në 19 vjet, për shkallën e dytë të kualifikimit;
c) 20 e më shumë vjet, për shkallën e parë të kualifikimit.
Në bazë të këtij kategorizimi, mësuesi përfiton shtesë në pagë, që për kategorinë e tretë është plus10% për të dytën plus 10% dhe për të parën plus 20%.
Mësuesi i cili nuk “kalon” këtë provim, nuk kualifikohet për nivelin përkatës që ka kërkuar, por ka mundësi të aplikojë sërish vitin e ardhshëm.
MBI KUALIFIKIMIN 2007
- Në çdo vit mësimor, me urdhër të posaçëm të Ministrit, zhvillohen veprimtaritë për shkallët e kualifikimit të punonjësve që kanë një vjetërsi të caktuar në arsim. Këta kalojnë në një provim para komisioneve lokale dhe fitojnë një nga tri shkallët e kualifikimit, të cilat u sigurojnë shtesa përkatëse page. Programet e provimeve u kërkojnë pjesëmarrësve në provim të dëshmojnë kompetenca të caktuara profesionale.
- Ky sistem kualifikimi është ngritur mbi parimin e pagës sipas meritës, por nuk ka funksionuar kurrë si i tillë. Kualifikimi është rrudhur thjesht në një shtesë automatike të pagës, për derisa nuk ka ndodhur që në provimet të mbetet qoftë edhe një pjesëmarrës. Për pasojë, ky kualifikim nuk i jep asnjë nxitje ngritjes profesionale të mësuesve.
Morali i korrektesës së këtyre provimeve është edhe më i ulët se sa ai provimeve të maturës para maturës shtetërore. Kështu shpërdorohen shumë kohë, para dhe energji për një falsifikim masiv shtetëror.
Provimet me mësuesit të kenë po atë standard të moralit si ato me nxënësit (matura shtetërore);
Sistemi i kualifikimit të funksionojë vërtet sipas parimit të pagës së meritës;
Sistemi i kualifikimit të shërbejë si një nxitës i fortë për ngritjen profesionale të mësuesve;
Duke filluar nga sivjet provimet e kualifikimit do të zhvillohen me një nivel të lartë korrektese dhe objektiviteti.
Cilat do të jenë ndryshimet kryesore?
Shumica e provimeve do të kryhen vetëm me shkrim. Testet do të jenë unike për të gjithë mësuesit e një lënde e të një kategorie kualifikimi. Ato do të hartohen nën përgjegjesinë e Qendrës Kombëtare të Trajnimit dhe Kualifikimit.
Provimet me shkrim do të zhvillohen kryesisht në qendrat e qarqeve ose të rretheve. Administrimi i tyre do të sigurojë fshehtësinë e testit dhe korektesë në zhvillimin e provimit.
Përgjigjet e mëuesve do të vlerësohen që të gjitha në Tiranë.
Një pjesë e provimeve do të zhvillohen me gojë, si për mësuesit e edukimit fizik, muzikor ose të arteve figurative dhe të lëndëve profesionale.
Ndryshe nga provimet e deritanishme me gojë, ato do të përqëndrohen në Tiranë ose pak qytete të më të mëdha, me komisione qëndrore.
Për herë të parë përfshihen në sistemin e kualifikimit edhe punonjësit me arsim të lartë pa diplomë mësuesie që japin lëndët profesionale në shkollat e mesme profesionale. Për një kohë të gjatë, shteti u ka borxh këtyre mësuesve shtesën në pagë për avancimin profesional dhe përkujdesjen për trajnimin e tyre sistematik.
Mësuesve-kandidatë për kualifikim nuk do t'u duhet të lexojnë ndonjë literaturë profesionale për provimin e pritshëm. Ata thjesht do të dëshmojnë sa zotërojnë programin lëndor dhe anën shkencorë të lëndës.
Vetëm kaq për sivjet, kurse duke filluar nga viti i ardshëm, mësuesve do t'u duhet të mbledhin pikë (kredite) gjatë trajnimeve të tyre, por edhe të sigurojnë pikë (kredite) të tjera për cilësinë e mësimdhënie-mësimnxënies brenda në klasë.
Provimet korrekte për kualifikim do të na mundësojnë, për herë të parë, njohjen e nivelit të vërtetë profesional të mësuesve në zotërimin e programit lëndor dhe anës shkencore të lëndës. Vetëm tani, duke njohur mirë gjendjen, do të mundemi të përvijojmë një program “kirurgjikal” trajnimi për mësuesit.
Qëllimi ynë është pikërisht ngritja profesionale e mësuesve, pasi deviza jonë themelore është “Gjithshka për nxënësin duke bërë çmos për mësuesin” |