Ke përfunduar shkollën e mesme jashtë shtetit? Ja kriteret për të vazhduar studimet e larta në Shqipëri
Pranë MASH-it do të ngrihet një Komision i Posaçëm për të shqyrtuar kërkesat e maturantëve, të cilët kanë kryer arsimin e mesëm jashtë Shqipërisë dhe dëshirojnë të studiojnë në universitetet tona publike.
Këta maturantë sipas shkollës së mesme që kanë kryer jashtë vendit, mund të jenë të dy kategorive:
- Nxënësit që nuk kanë dhënë provimet ekuivalente me Maturën tonë Shtetërore dhe për t'u pranuar në universitete duhet të japin provimet me zgjedhje. Ata duhet të paraqiten pranë Komisionit të Posaçëm në MASH, nga datat 16 deri 23 prill 2007. Për të kryer provimet me zgjedhje dhe për të plotësuar formularët A1 dhe A2, këta kandidatë duhet të drejtohen pranë Drejtorive apo Zyrave Arsimore Rajonale ku ata banojnë.
- Nxënësit që kanë dhënë provimet ekuivalente me Maturën tonë Shtetërore dhe që do të pranohen në universitete mbi bazën këtyre provimeve. Këta nxënës duhet të paraqiten pranë Komisionit të Posaçëm në MASH, nga datat 16 prill deri 16 qershor 2007. Ata duhet të plotësojnë formularët A1 dhe A2 nga data 10 deri më 30 Qershor 2007.
Në të dy rastet Komisioni i Posaçëm do të kryejë ekuivalentimin dhe përllogaritjen e pikëve të mesatares së shkollës së mesme, provimeve me detyrim dhe ato me zgjedhje.
Duke respektuar datat e mësipërme nxënësit e dy kategorive duhet të paraqesin në Komision për aplikim këto dokumente :
3.1.Kërkesën me shkrim për të vazhduar shkollën e lartë publike.
3.2.Dëftesën origjinale me notat e mbarimit të shkollës së mesme, të përkthyera dhe të noterizuara.
3.3.Pasaportë ose Certifikatë lindjeje me fotografi.
Komisioni i posaçëm është i përbërë nga specialistë të MASH me kryetar drejtorin e arsimit parauniversitar të ministrisë. Vitin e kaluar nxënësit shqiptarë që kishin përfunduar shkollën jashtë shtetit dhe donin të vazhdonin studimet në Shqipëri, vetëm në DAR Tiranë ishin 30.
Është miratuar rregullorja e re, e vlefshme për provimet e Maturës Shtetërore 2007. Kjo rregullore ashtu si vjet, garanton një korrektesë dhe transparencë maksimale gjatë zhvillimit të provimeve të Maturës Shtetërore.
Në krahasim me rregulloren e një viti më parë, rregullorja ‘07 thjeshtëson të gjitha procedurat, ashtu sic u premtua nga ministri Pollo në fillim të përgatitjeve të sivjetshme për Maturën.
Në lidhje me administratorët, detyrat e tyre janë përcaktuar më qartë, dhe rregullorja është më e rreptë për sa i përket parregullsive gjatë provimit.
|