Shqipëria drejt një Kornize Kombëtare të Kualifikimeve
Pollo: Sfida jonë, konkurrenca në tregun e punës me rajonin dhe Evropën
Sot në hotel Tirana, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, me mbështetjen e programit CARDS AFP 2, organizuan konferencën “Shqipëria në Rrugën drejt Hartimit të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve”.
Në këtë konferencë morën pjesë ministrat e Arsimit dhe Punës z. Genc Pollo dhe z. Koco Barka, përfaqësues të kryeministrisë dhe ministrive të tjera, përfaqësues të disa ambasadave të huaja të akredituara në Tiranë, përfaqësues nga universitetet, shkollat e mesme dhe profesionale, sektori privat etj.
Pas hartimit të Strategjisë Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional në gusht 2006, konferenca shënoi fillimin e nismave të qeverisë për hartimin e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, duke u bazuar në procesin e Kopenhagës dhe zhvillimet në Bashkimin Evropian lidhur me një Kuadër Evropian Kualifikimesh.
Konferenca shërbeu për informimin e pjesëmarrësve mbi arritjet e deritanishme të grupit ndërministror të punës (Task Force) mes MASH dhe MPÇSSHB, me qëllim marrjen e opinioneve dhe rekomandimeve nga pjesëmarrësit, q ë do të ndihmojnë në përgatitjen e dokumenteve përfundimtare për krijimin e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve.
Me hartimin dhe miratimin e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve përfiton çdo individ i shoqërisë, qoftë në cilësinë e nivelit të shërbimeve apo edhe sistemin të organizuar për mundësitë e kualifikimit. Në sajë të funksionimit të këtij sistemi, kualifikimi i shqiptarëve do të jetë i njohur në shkallë ndërkombëtare – gjë e cila i nxit ata drejt kualifikimeve të specializuara, si dhe i bën ata të kërkuar në tregjet e punës jo vetëm në vend por edhe në Bashkimin Evropian. Ky proces pritet të përfundojë gjatë vitit 2007, ndërsa vënia në funksionim e zbatim e tij prej qeverisë dhe shoqërisë shqiptare do të kërkojë disa vite.
Qëllimi dhe Objektivi i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve.
Sipas Task Force qëllimet kryesore të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve në Shqipëri duhet të jenë:
të përmirësojë të kuptuarit e mënyrave të të nxënit dhe kualifikimeve dhe se si lidhen ato me njëra- tjetrën
të përmirësojë mundësinë për arsim dhe formim
të bëjë rrugët e përparimit më të lehta dhe të qarta në mënyrë që të lehtësojë mobilitetin e studentëve
të lehtësojë transfertën e krediteve mes Kualifikimeve dhe të zgjerojë mundësitë për njohjen e të nxënit të mëparshëm
të sigurojë që kualifikimet të kenë lidhje me kërkesat ekonomike dhe sociale
të sigurojë që standardet e formimit dhe arsimit përcaktohen dhe zbatohen në mënyrë të vazhdueshme
të sigurojë që ofruesit e Arsimit dhe Formimit të kenë standarde të caktuara cilësie.
të sigurojë kushte që të çojnë në njohje ndërkombëtare të kualifikimeve kombëtare
Nivelet dhe Kreditet në Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve (KSHK)
Mbi bazë të propozimeve të bëra nga Grupi Teknik i Punës mbi Nivelet dhe Kreditet brenda KSHK, Task Forca rekomandon:
- Duhet të ekzistojë një kornizë e vetme shqiptare kualifikimesh. Ajo duhet të ketë një grup të përbashkët nivelesh, një grup të përbashkët përshkruesish nivelesh dhe një metodë të përbashkët kreditesh.
- Korniza Shqiptare të Kualifikimeve duhet të ketë një strukture 8 nivelesh me dy nënnivele ne nivelin 6 për Bachelors dhe Bachelors me merite.
- Korniza Shqiptare e Kualifikimeve duhet te zhvillojë një grup përshkruesish nivelesh që të përmbajë terminologjinë e Sistemit Evropian të Krediteve (SEK) dhe të përshkruesve të Dublinit dhe çdo tipar tjetër specifik të strukturës shqiptare.
- Duhet të vendoset një mekanizëm që të lejojë sektorët profesional të përpunojnë dhe thjeshtëzojnë përshkruesit për përdorimin e tyre personal.
|