Tiranë, më 2 dhjetor 2008

 

Ministri Beja: Arritjet kryesore të reformës në sistemin arsimor për vitin 2008.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës organizoi sot në hotel “Adriatik”, Durrës, Konferencën e Pestë të Programit Vjetor të Reformës arsimore, projekti ‘Cilësi dhe Barazi në Arsim”.

Në këtë Konferencë merrnin pjesë Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Fatos Beja, znj. Camille Nuamah drejtuesja e Zyres se Bankes Boterore për Shqipërinë, përfaqësues të donatorëve të projekteve, Banka Botërore, Banka e Këshilllit të Evropës, Bankës Evropiane e Investimeve, rektorë të universiteteve publike dhe private, drejtorë të DAR, drejtues të Pushtetit Vendor në Shqipëri, etj.

Gjatë këtij takimi ministri z. Fatos Beja përvec investimeve në godina shkollore, përmendi disa nga reformat kryesore që janë ndërmarrë gjatë vitit 2008 sic janë reforma në sistemin parauniversitar, programi e-School, por edhe për angazhimin e MASH për rritjen e cilësisë së mësimdhënies në IAL publike dhe private:

Arsimi parauniversitar

”Gjatë këtyre muajve përpjekjet tona janë fokusuar posaçërisht në ristrukturimin e arsimit bazë dhe të mesëm, duke realizuar  kalimin nga arsimi i detyruar 8-vjeçar në atë 9-vjeçar, me ristrukturim të cikleve brenda tij, dhe nga arsimi i mesëm  4-vjeçar në atë 3-vjeçar. Është një ristrukturim që realizon ngritjen e edukimit bazë të të gjithë shoqërisë sonë me një vit tjetër, çka do të sjellë në pak vjet një përmirësim të formimit edukativ e kulturor të të gjithë shoqërisë shqiptare.  Sot, mund  të themi se ky hap i rëndësishëm i reformës sonë shkollore, që ka dhjetëra mijëra aktorë, mësues e nxënës, drejtues të të gjitha niveleve të sistemit arsimor, pushtetin qendror dhe atë lokal, shënon pa dyshim një sukses, që sigurisht do të kërkojë ende përpjekje këmbëngulëse për t'u konsoliduar.

Jemi duke kryer një reformë të thellë e të gjithanshme të arsimit të mesëm të lartë, e cila nuk kufizohet thjesht në ndryshimin e numrit të viteve shkollore. Synimet decentralizuese në arsim shprehen edhe në ndarjen e re të kurrikulës në bërthamë dhe me zgjedhje, duke harmonizuar më mirë vullnetet mësimdhënëse dhe mësimnxënëse të procesit arsimor.

E-School

Lidhur me cilësinë e mësimdhënies në arsimin tonë parauniversitar, ne i kemi kushtuar një vëmendje të veçantë përdorimit të teknologjive të përparuara edukative. Kabinetet e informatikës tashmë të instaluara dhe trajnimi i mësuesve përkatës, janë një hap i parë për realizimin e strategjisë sonë për e-learning. Me realizimin e objektivave të parashikuar në programin CBA, Shqipëria i përgjigjet me shpejtësi rekomandimit 1836 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të 29 majit 2008, për nxitjen e e-mësimit në vendet evropiane. Lidhja e kontratës për 665 laboratorët e rinj dhe mbyllja në ditët e ardhshme e kontratës për internetin, bashkë me masat organizative të marra, do të bëjë që në javët e muajin e  ardhshëm  jo vetëm gjimnazet dhe 9-vjeçaret e qyteteve por të gjitha shkollat e Shqipërisë të prekin drejpërdrejt një realitet të ri. 

Arsimi Profesional dhe Korniza e Kualifikimeve  

Reforma e gjimnazit është njera nga reformat e shkollës së mesme të lartë. Por, po aq e rëndësishme është reforma e kurrikulës së arsimit profesional dhe atij social-kulturor. Përgatitja dhe dërgimi së shpejti për miratim i ligjit të ri për arsimin profesional do të sjellë një nxitje të re të këtij shkollimi të domosdoshëm tashmë për nevojat e tregut në Shqipëri.

Ndërkohë ne do ta çojmë së afërmi për miratim ligjin për Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve, i cili bazuar në 8 shkallët e Kornizës Evropiane të Kualifikimeve jo vetëm do të lehtësojë njohjen ndërkombëtare të kualfikimeve shqiptare të të gjitha niveleve të shkollimit, por edhe do të rrisë detyrimet e përmirësimit të cilësisë së arsimimit dhe të të mësuarit gjatë gjithë jetës.

Arsimi i Lartë

Cilësia e mësimdhënies në universitetet tona, dhe ajo që është edhe më domethënëse, e diplomave të dhëna, ngelet një gur prove jo vetëm për secilin universitet, publik dhe privat, por edhe për të gjithë aktorët e Arsimit te Larte në Shqipëri. Ne jemi të vendosur që në muajt e ardhshëm ta bëjmë këtë një nga prioritetet e punës së MASH.”

Projekti ‘Cilësi dhe Barazi në Arsim” mbështet tashmë që nga viti 2006 e deri në 2010 zbatimin e prioriteteve të Strategjisë Kombëtare të Arsimit dhe është një bashkëfinancim i Qeverisë Shqiptare, Bankës Botërore, Bankës Europiane për Investime dhe i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës me vlerë 75 milionë USD.

Objektivi i Përgjithshëm i projektit është përmirësimi i cilësisë dhe kushteve të mësimnxënies për të gjithë nxënësit dhe rritja e numrit të nxënësve në arsimin e mesëm, të ardhur kryesisht nga shtresat e varfra të shoqërisë.

Projekti përfshin fushat e mëposhtme prioritare: 1) fuqizimin e lidershipit, menaxhimit dhe qeverisjes së sistemit arsimor; 2) përmirësimin e kushteve të mësimdhënies dhe të nxënit; 3) përmirësimin dhe racionalizimin e infrastrukturës arsimore; dhe 4) përgatitjen e terrenit për reformën në arsimin e lartë.