Tiranë, më 9 mars 2007

Ministri Pollo: “Për të konkurruar në tregun global të punës duhet anglishtja”

Sot ministri i Arsimit dhe Shkencës z Genc Pollo në një konferencë për mediat tha se:

“Ju e dini që prioritet i kësaj qeverie është që shqiptarët të kenë një zotërim të mirë të gjuhës angleze. Anglishtja është padyshim “lingua franca” e shekullit të 21-të.
Zoterimi i saj eshte absolutisht i domosdoshem, nëse ne si komb duam të përvetësojme shkencat, teknologjinë, dhe të gjitha njohuritë inovative; nese duam jemi kompetitivë në ekonominë globale

Ne permbushje te ketij prioriteti MASH ka marrë keto masa:

Se pari anglishtja si lëndë me zgjedhje në Maturën Shtetërore, të ketë koeficientin maksimal për pranimet në universitete. Tashmë koeficientët janë miratuar, dhe për të gjitha universitetet publike të vendit tonë, kemi vendosur që anglishtja të ketë koeficientin e lartë 1.3. Kjo mund të japë një efekt qe këtë vit, por jam i bindur që në vitet e ardhshme do te ndikoje fuqishem duke orientuar gjimnazistët që ta mësojnë më mirë këtë gjuhë te huaj.

Së dyti, ne kemi futur zyrtarisht anglishten si gjuhë të huaj të detyruar, këtë vit shkollor, edhe në klasat e 3 dhe të 4 të ciklit fillor me dy orë në javë për secilën klasë.

Së treti, përmes reformës së Altertekstit, është bërë e mundur që shtëpi botuese të huaja të konkurrojnë me tekstet e tyre per akses ne shkollat tona. Shpresoj qe ne vitin shkollor te ardhshem te miratohen dhe te futen ne qarkullim tekste anglishteje nga botues britanike, amerikane etj.; tektste qe jane me te pershtatshem e me cilesore per nxenesit tane.

Së katërti, në përgatitjen e kuadrove mësimdhënës të anglishtes, që nuk i kemi me shumicë, një kontribut shtese po jep edhe fakulteti i Anglishtes, i hapur vjet në Universitetin e Durrësit, me afro 100 studentë.

Së pesti, këtë vit shkollor, ne vijim te VKM të gushtit 2006, është rritur numri i mësuesve të gjuhës së anglishtes me 65, për të plotësuar boshllëqet tona me mësues të kësaj gjuhe në gjithë vendin. Ne vijim te shteses se personelit buxhetor per MASH qe vendosi qeveria kete jave perfitues krahas universiteteve do te jete edhe gjuha angleze ne shkolla. ”

Në debatet që janë organizuar në MASH me studentë e përfaqësuesit e universiteteve në fillim të vitit shkollor 2006, ka spikatur cështja e lëndës së anglishtes. Ideja e ministrit të Arsimit z. Genc Pollo që Anglishtes ti vendoset një koeficient i lartë (pra 1.3) nëse do jetë një nga lëndët me zgjedhje edhe për fakultetet natyrore dhe shoqërore,përvec lëndëve të tjera të profilit të tyre, është përkrahur nga të gjitha fakultetet.

Cfarë nuk do të thotë?

Kandidatët e tjerë që nuk kanë një anglishte të mirë apo janë njohës të një gjuhë tjetër të huaj nuk janë të diskriminuar. Ashtu si edhe vitin e kaluar ata duhet të zgjedhin lëndët ku janë më të aftë dhe që janë zgjedhur më tepër nga fakultetet që duan të ndjekin.

Cfarë do të thotë kjo?

Kjo do të thotë se kandidatët që do të përzgjedhin anglishten do të kenë mundësi që rezultati i tyre në provimin me zgjedhje të anglishtes të koeficientohet me 1.3 duke arritur kështu një pikaverazh më të lartë.
Kjo është një nga nismat e MASH për këtë lëndë, që favorizon ata kandidatë që janë shumë të mirë në anglisht, një mekanizëm që të rinjtë të mësojnë anglishten apo ta kenë të paktën gjuhë të huaj të dytë, për të qënë sa më kompetitivë në tregun global të punës.

Nisma të tjera për anglishten

1. Këtë vit shkollor anglishtja është futur zyrtarisht si gjuhë e huaj e detyruar, edhe në klasat e 3 dhe të 4 me nga dy orë në javë për secilën klasë. Kjo vlen edhe për 2 gjuhët e tjera Frengjishtja dhe Italishtja por numri i nxënësve që mësojnë anglisht përbëjnë rreth 70% të nxënësve që mësojnë një gjuhë të huaj.
Kjo ka sjellë që në vitin shkollor 2006 - 2007 të ketë një rritje prej 7% të nxënësve në mësimin e gjuhës angleze në Ciklin e Ulët.

2. Përmes reformës së Altertekstit, është bërë e mundur që shtëpitë të huaja botuese të konkurrojnë me tekstet e tjerë, duke pritur të miratohen dhe të futen në përdorim, krahas shtëpive botuese vendase. Një anë tjetër e reformës është përmirësimi i anës metodike të teksteve duke shtuar fletoret e punës, si dhe cilësive teknike të tyre.

3 . Hapja e degës së gjuhës angleze në Universitetin “ A.Moisiu” Durrës, gradualisht do të plotësojë nevojat me mësues të gjuhës angleze. Në këtë vit akademik janë regjistruar afro 100 studentë në këtë degë.

4. Rritja e numrit të mësuesve të gjuhës angleze ;
- Sipas VKM 2 gusht 2006, numri i mësuesve të gjuhës angleze është rritur 65 mësues duke përmirësuar situatën në zonat më problematike.
- ka një propozim për rritje të pagës për mësuesit e gjuhës angleze si për mësuesit e matematikës dhe informatikës. Është parë si stimul për thithjen e sa më shumë mësuesve të gjuhës angleze.