Këshillimi i Karrierës, shpallen edhe pikët minimale e fituesve 2007. Për tu ardhur në ndihmë maturantëve, që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik (IAL) këtë vit, në kuadrin e nismës për Këshillimin e Karrierës, Ministria e Arsimit dhe Shkencës publikon pikët minimale të fituesve sipas sistemit Meritë-Preferencë (MeP) të një viti më parë 2006-2007, të të gjitha degëve të universiteteve publike. Në guidën Matura Shtetwrore 2008 dhe sistemi Meritw-Preferencw, që do të publikohet së shpejti, përvec udhëzimeve të tjera për provimet, maturantët do të mund të gjejnë edhe të dhënat e nxjerra nga përcaktimi i fituesve, sipas sistemit Meritë-Preferencë (MeP). Këto të dhëna i përkasin fazës së dytë të shpërndarjes së kandidatëve fitues të MeP 2007 për çdo program studimi në IAL publike. Këto të dhëna (shih tabelën) janë të vitit të kaluar, dhe shërbejnë për të orientuar maturantët të zgjedhin në formularin A2 10 degët e universiteteve që ata do të preferojnë, në qershor. Kuptohet që këto rezultate ndryshojnë nga viti në vit në bazë të nivelit të kandidatëve për në universitete, koeficientëve dhe nivelit të testeve. Shpjegime për interpretimin e tabelës .
- Në kolonën e parë janë renditur sipas Universiteteve, programet e studimit me numrin që ishin koduar vitin e kaluar.
- Në kolonën e dytë, janë kuotat e përcaktuara në këtë fazë.
- Në kolonën e tretë p.sh. dega 018 Greqisht, Kuota 50 , Nr.105: 3712.8p :
§ Nr. 105 përfaqëson renditjen e kandidatit në të gjithë kërkuesit e kësaj dege. Ky kandidat është fituesi i fundit, i 50-ti, në atë program studimi që ka 50 vende, pavarësisht se renditet i 105. Kjo tregon se kandidatët me pikë më shumë se ky fitues i fundit (i renditur 105), kanë fituar në programe të tjera, që i kanë kërkuar në preferencë më të lartë. § 3712.8p tregon pikët e këtij kandidati të fundit fitues. Asnjë kandidat, me pikë më pak se ky, nuk është fitues në këtë degë.
- Në kolonat 4, 5, 6 jepen notat e shkallëzuara të këtij fituesi të fundit dhe konkretisht: NM - nota mesatare e shkollës së mesme, D1 - nota e marrë në provimin e parë të detyruar, D2 - nota e marrë në provimin e dytë të detyruar.
- Në kolonat 7, 8 jepen notat që ka marrë fituesi i fundit në provimet me zgjedhje, ku numri në kllapa përfaqëson provimin me zgjedhje që ka dhënë ky nxënës. Vitin e kaluar provimet me zgjedhje kanë qenë: (1) Fizikë, (2) Kimi, (3) Biologji, (4) Anglisht, (5) Histori - Gjeografi, (6) Njohuri për Shoqërinë, Filozofinë, Ekonominë, (7) Letërsi, (8) Matematikë. Pra (6) 6.70 , tregon se nxënësi ka dhënë provimin Njohuri për Shoqërinë, Filozofinë, Ekonominë dhe ka marrë notën e shkallëzuar 6.70.
Duke patur parasysh, se formula llogaritëse e pikëve, vitin e kaluar ka qenë: [(D1 + D2 + M) x Ksh + Z1 x K1 + Z2 x K2] Ku: Ksh – është koeficienti i shkollës, K1 – koeficienti për provimin e parë me zgjedhje dhe K2 – koeficienti për provimin e dytë me zgjedhje, secili nxënës, mund të llogarisë afërsisht sa pikë mund të fitojë, duke njohur vlerësimet e veta (parashikimet), pra duke vetëvlerësuar veten. Në këtë mënyrë do të orientohet më mirë për të kërkuar programin e studimit që dëshiron të vazhdojë në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik. Renditja dhe shpallja e fituesve për programet e studimit, të cilat kishin si kusht edhe konkursin e veçantë, si Arkitektura, Edukimi Fizik, degët e Akademisë së Arteve etj., është bërë me formulë tjetër matematike. Në këto raste është marrë parasysh pikëzimi në konkurse, përveç pikëve të marra në provimet e Maturës Shtetërore.
ÇFARË PROGRAM STUDIMI (DEGE STUDIMI) DO TË ZGJEDH? Sipas rregullores së shpallur nga MASH, secili kandidat ka të drejtë të zgjedhë nw formulari A2 deri në 10 programe studimi, të renditur në preferenca nga 01 deri në 10, ku ai dëshiron të studiojë. Kandidati shpallet fitues në preferencën më të lartë të zgjedhur prej tij, kur plotëson kriterin e pikëve, pra të jetë në renditje në grupin e fituesve të atij programi studimi në kuotat e përcaktuara. Kjo do të thotë që kandidati jo vetëm duhet të llogarisë paraprakisht pikët që mund të fitojë (afërsisht), por dhe të synojë për konkurrim në ato programe studimi ku mund të fitojë. Le ta ilustrojmë me një shembull: SHEMBULL 1 Drita dëshiron të konkurrojë për programin e studimit Farmaci në Universitetin e Tiranës. Ajo ka mbaruar shkollën e mesme të profilizuar në profilin natyror dhe ka notën mesatare të katër viteve M = 8. Në dy provimet e detyruara ka këto rezultate:
- Në Letërsi dhe Gjuhë Shqipe D1 = 8.52
- Në Matematikë D2 = 8.5
Ajo ka zgjedhur të japë si provime me zgjedhje lëndët Fizikë dhe Biologji, ku pretendon të marrë këto rezultate: 1. Në Fizikë Z1 = 9 2. Në Biologji Z2 = 8.7 Në Tabelën e koeficienteve, Drita gjen se për programin e studimit Farmaci, profili natyror i shkollës së mesme e ka koeficientin Ksh = 1.4. Në këtë rast, Drita do të bëjë këto llogaritje: [D1(nota në Gjuhë Letërsi) +D2 (nota në Matematikë) + M (Nota mesatare e shkollës së mesme)] x Ksh (koeficienti i shkollës) = (8.52 + 8.5 + 8) x 1.4 = 25.02 x 1.4 = 32.20 Në tabelën e koeficienteve, Drita gjen se për provimet me zgjedhje koeficientet janë: Për lëndën Fizikë K1 = 1.3. për lëndën Biologji K2 = 1.3. Në këtë rast, Drita do të bëjë këto llogaritje: Z1 (nota në Fizikë) x K1 (koeficienti për Fizikën) + Z2 (nota në Biologji) x K2 (koeficienti për Biologjinë) = 9 x 1.3 + 8.7 x 1.3 = 11.7 + 11.31 = 23.01 Drita mbledh dy rezultatet e gjetura: 32.20 + 23.01 = 55.21 . Këtë rezultat e shumëzon me 100 dhe merr 5521.0 pikë. Pra Drita është në kuotën e 5500 pikëve. Dëshira e Dritës është të ndjekë programin e studimit Farmaci. Nga tabela e fituesve të fundit, të vitit të kaluar, Drita shikon se fituesi i fundit në Farmaci është me 5799.3 pikë. Në këtë rast, vendosja e programit të studimit Farmaci si preferencë e parë, do të thotë që mundësitë e shpalljes fitues janë të pakta. Si duhet të veprojë Drita për të vendosur preferencat? Mendojmë se Drita e vendos programin e studimit Farmaci si preferencë të parë dhe me këto rezultate nuk fiton. Ka dhe 9 preferenca të tjera për të zgjedhur, që është mirë t'i plotësojë, pasi janë 9 mundësi që nuk duhet t'i humbë. Cilat të zgjedhë? Nga rezultatet e vitit të kaluar (tabela e fituesve të fundit), ajo shikon se me 5500 pikë janë në grupin e fituesve (i fundit ka më pak se 5500 pikë) kandidatët që kanë kërkuar të gjitha programet e studimit të Universitetit të Tiranës përveç programeve të studimit Mjekësi (i fundit me 5721.4 pikë), Stomatologji (i fundit me 5857.5 pikë), Farmaci (i fundit me 57993 pikë). Atëherë Drita mund të rendisë në 9 preferencat e tjera cilëndo nga programet e studimit të Universitetit të Tiranës, përveç tre të mësipërmeve. Por edhe këtu duhet pak kujdes. Në të nëntë preferencat Drita renditet si fituese, por përcaktohet fituese në preferencën më të lartë, pra në preferencën e dytë. Nëse në këtë preferencë ka shënuar një program studimi që nuk e ka për zemër, këtë duhet ta mendojë mirë. SHEMBULL 2 Agimi ka mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme (03), me një notë mesatare të shkollës së mesme M = 6. Në të gjitha provimet e detyruara dhe me zgjedhje, rezultatet e tij janë rreth notës 6. Pasi bën llogaritjet, si në rastin e Dritës, me koeficientet përkatës të tij, mendojmë se arrin në rreth 3200 pikë . Si do ta këshillonim Agimin të plotësonte preferencat e programeve të studimit? Duke u orientuar nga tabela e pikëve të fituesit të fundit për çdo program studimi, Agimi nuk duhet të vendosë në preferenca , programe studimi ku fituesi i fundit ka më shumë pikë se 3200. Nëse ai plotëson të dhjetë preferencat me programet e studimit si: Juridik, Mjekësi, Stomatologji, Farmaci, Histori, Anglisht, Psikologji, Shkenca Sociale, Inxh. Informatike, Inxh. Elektronike, është e sigurt se Agimi nuk fiton në asnjë nga këto preferenca, pra nuk fiton të drejtën për të studiuar në Universitetet Publike. Po çfarë duhet të zgjedhë Agimi? Ai duhet të zgjedhë ato programe studimi, ku fituesi i fundit ka më pak se 3200 pikë. Duke zgjedhur në të dhjetë preferencat këto lloj programesh studimi, ai ka mundësi që të shpallet fitues në njërën prej tyre. Pra Agimi jo vetëm duhet të marrë në konsideratë dëshirën e tij por dhe arritjet që ka. FAZAT E REGJISTRIMEVE NË UNIVERSITETE Në përcaktimin e kandidatëve fitues në programet e studimit sipas parimit Meritë – Preferencë, vitin e kaluar kanë qenë shumë i rëndësishëm Libri I Transparencës , i cili përcaktonte fituesit dhe pikët e tyre për çdo degë, renditur në bazë shkollash dhe rrethesh. Për shumicën e kandidatëve vendimtare dy fazat e para të regjistrimit në IAL. Përse u zhvilluan dy faza dhe cilat ishin rregullat që përcaktuan fituesit. Faza e parë: përcaktoi të gjithë kandidatët maturantë në programet e studimit sipas parimit Meritë - Preferencë. U kërkua që të gjithë kandidatët të regjistroheshin në programet e studimit ku kishin fituar, pavarësisht nga pëlqimi ose mospëlqimi i tyre. Ky regjistrim u quajt regjistrim paraprak dhe ishte i detyrueshëm , brenda një afati kohor të caktuar. Regjistrimi paraprak u bë i detyrueshëm për arsye se mjaft kandidatë maturantë kishin konkurruar për studime jashtë vendit, kishte nga ata që kishin vendosur të ndiqnin Institucionet e Arsimit të Lartë Jopublik, kishte dhe nga ata kandidatë fitues që nuk dëshironin të vazhdonin studimet e larta. Pikërisht për të marrë këtë informacion, u kërkua regjistrimi paraprak. Nga ana e MASH u morën nga Institucionet e Arsimit të Lartë Publik listat e kandidatëve fitues të regjistruar në fazën e parë. Pra, këta ishin kandidatët që ishin në Shqipëri dhe dëshironin të vazhdonin studimet. Pas marrjes së këtij informacioni, “u hoqën” nga lista të gjithë kandidatët që nuk ishin regjistruar paraprakisht. Prandaj edhe këtë vit, regjistrimi paraprak është shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm, ndryshe kandidati maturant humbet të drejtën për të vazhduar më tej. Faza e dytë : Me listën, tashmë “të pastruar” u realizua ripërcaktimi i kandidatëve fitues dhe u njoftuan maturantët dhe Universitetet për të bërë regjistrimin përfundimtar. Çfarë u vu re nga kjo fazë e dytë? 1. Të gjithë kandidatët që kishin fituar në preferencën e tyre të parë, kuptohet që mbetën po aty fitues. Asnjë kandidat nuk zbriti në preferencë. 2. Një pjesë e mirë e fituesve, mbetën fitues edhe në preferenca të tjera ku ishin shpallur fitues në fazën e parë. 3. Një pjesë e fituesve u ngjitën në preferencë, pra nëse në fazën e parë ishin shpallur fitues p.sh. në preferencën e shtatë, u ngjitën në preferencën e gjashtë apo të pestë. Edhe këtë vit, përcaktimi i kandidatëve fitues do të realizohet në dy faza. Prandaj të gjithë kandidatët fitues, kudo që të shpallen, duhet detyrimisht të regjistrohen në fazën e parë .
|
|