Ministri Pollo të rinjve: Bëhuni inxhinierë
Këshillimi i Karrierës, maturantët e I. Qemalit, P. N. Luarasit dhe Besnik Sykja vizitojnë Universitetin Politeknik të Tiranës. Sot Universiteti Politeknik i Tiranës priti rreth 100 maturantë të shkollave të mesme të përgjithshme “Ismail Qemali”, “P. N. Luarasi” dhe “Besnik Sykja” të kryeqytetit, në kuadrin e programit “ Ditët e gjimnazistëve në universitete” dhe Këshillimi për Karrierën.
“Më vjen shumë mirë që jemi në Universitetin Politeknik të Tiranës, sot, për Këshillimin e Karrierës.- u shpreh ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Genc Pollo. - Procesi ka ecur shumë mirë dhe besoj se ka ndihmuar shumë në orientimin tuaj drejt hapave të rëndësishëm që do të hidhni në jetë. Rektorët, dekanët, personeli akademik kanë qenë dhe do të jenë në dispozicion për t'ju njohur me programet e studimit dhe me cfarë ofron universiteti, mundësisht edhe tregu i punës për diplomat përkatëse. Por do të isha shumë i gëzuar nëse këtë vit, ju, përfshi edhe ata me rezultatet më të mira, do të orientoheshit drejt fakulteteve inxhinierike; sepse edhe për ju individualisht këto diploma ofrojnë mundësira jo të vogla avacimi në karrierë dhe të ardhura jo të neglizhueshme, por edhe sepse zhvillimi i vendit dhe i ekonomisë kombëtare i nevojiten specialistë të mirë në fushat inxhinierike. Nëpërmjet Këshillimit të Karrierës, shpresoj që rezultatet e kandidatëve që do të fitojnë në fakultetin Mekanik, Elektrik apo degë si këto, të jenë më të larta se c'kanë qenë vitet e kaluara, dhe së paku të krahasohen me rezultatet e inxhinierisë Elektronike, të Ndërtimit etj.”
Përvec Ministrit të Arsimit dhe Shkencës z. Genc Pollo, në këtë takim, përshëndeti edhe rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, z. Jorgo Kacani, i cili u angazhua për një bashkëpunim të mëtejshëm me shkollat e mesme për informimin e maturantëve rreth Universitetit Politeknik të Tiranës. Të pranishëm të tjerë ishin përfaqësues nga Drejtoria Arsimore Tiranë, si dhe shefat e departamentit të UPT, të cilët u prezantuan maturantëve ambientet dhe laboratorët e këtij universiteti, programet e studimit, vlefshmërinë e diplomës së tyre, hapësirën që ajo ka në tregun e punës, kushtet e mësimdhënies që ofrohen, etj.
“Ditët e gjimnazistëve në universitete” organizohen këtë vit për herë të parë dhe specialistë të MASH kanë hartuar edhe një program pune të ndarë në dy faza: “Profesorët në gjimnaze ” dhe “Maturantët në fakultete”
Pas përfundimit të turit njohës të pedagogëve në shkolla, muaji maj do të jetë muaji i vizitave të nxënësve të shkollave të mesme në fakultete.
Objektivi i Këshillimit të Karrierës është që nxënësit aktualisht maturantët e shkollave të mesme publike dhe private , por edhe maturantët e ardhshëm, para provimeve të Maturës dhe para se të zgjedhin mes shumë fakulteteve në vend, të kenë një informacion të plotë për degët që ata do të zgjedhin për të studiuar.
Kjo është një nga pikat kyçe për një vendim personal të çdo kandidati/ maturant, e që duhet të merret në bazë të një informim të plotë, me anën e disa mekanizmave siç janë Këshillimi i Karrierës dhe “Ditët e gjimnazistëve në universitet”.
Orientimi i atyre që përfundojnë shkollën e mesme apo profesionale dhe drejtohen drejt universiteteve, është di ç ka shumë e rëndësishme, që ka munguar dhe që patjetër duhet të konsiderohet si prioritet për mbarëvajtjen e procesit të Maturës Shtetërore. Procesi i Këshillimit të Karrierës është menduar që në një të ardhme të afërt të kalojë përmes ngritjes dhe funksionimit të Zyrave të Këshillimit të Karrierës (ZKK ).
|