MASH: Kërkesa e UBT po shqyrtohet
Ministria e Arsimit dhe Shkencës është duke shqyrtuar kërkesën e Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT), për ndarjen e fakultetit aktual bujqësor në 3 fakultete, kërkesë kjo, e bërë në mes të vitit akademik 2006-2007.
Në bazë të ligjit aktual të Arsimit të Lartë, çelja e fakulteteve të reja bëhet pas plotësimit rigoroz të standardeve, me Vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa zbatimi normalisht fillon vitin e ardhshëm akademik.
Theksojmë se nuk mund të ndryshojë emërtimi i një diplome në mes të vitit akademik, pasi diplomat miratohen me procedura dhe akte normative, të cilat nuk mund të tjetërsohen vetëm duke ndryshuar kursin e studimit dhe pa procedura të rregullta akademike.
Diploma që do të marrin studentët e fakultetit bujqësor në Universitetin Bujqësor të Tiranës është një diplomë e njohur, që bazohet mbi një kurrikul dhe plan-program të pasur, falë edhe bashkëpunimit që ky universitet ka me universitetet homologe evropiane dhe më gjerë.
|