Ministri Pollo: Reforma në kërkimin shkencor, një vendim historik
Sot ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Genc Pollo tha në një konferencë për mediat:
"Këshilli i Ministrave dje mori një vendim të rëndësishëm, do të thoja historik, për shkencën shqiptare, atë të reformimit të të gjitha Instituteve kërkimore-shkencore, si ato të Akademisë së Shkencave, por edhe të Instituteve jo të pakta, që kanë qenë në varësi të ministrive të ndryshme, duke i atashuar pranë universiteteve shqiptare.
Duke shprehur vlerësimin dhe mirënjohjen për punën e brezave të ndryshëm të shkencëtarëve shqiptarë, do të theksoja, që atashimi i këtyre instituteve pranë universiteteve është vendosja në suazën e duhur për shekullin 21-të; kjo sepse për kohët në të cilat ne jetojmë por edhe për nevojat e mëdha të vendit, lipset që kërkimi shkencor të integrohet ngushtë me arsimin e lartë, në mënyrë që brezi aktual i shkencëtarëve të mund të formojë në mënyrë cilësore dhe profesionale edhe brezin e ardhshëm.
Vendimet e marra dje nga Këshilli i Ministrave janë në zbatim të programit qeveritar dhe në përfundim të një pune 2-vjeçare, të kryer nga Grupi i Ekspertëve, me në krye z. Tafaj, i ngritur me urdhër të kryeministrit në vitin 2005, dhe më tej nga Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës (KALSH) si dhe zyrtarë të ministrisë; punë në të cilën u konsultuan pothuajse i gjithë personeli shkencor i këtyre instituteve. Do ti falenderoja të gjithë përzemërsisht për punën e bërë.
Përmes kësaj reforme, institutet e albanologjisë mbeten në një qendër të re, ndërkohë që Akademia e Shkencës si organ autoritar ruhet, mbetet e pacënuar në tërësinë e saj. Institucionet kërkimore-shkencore të Albanologjisë përfshihen në një qendër të vetme, e cila ka një status universitar. Po kështu edhe 5 institute përfshihen në Universitetin e Tiranës, atë të Politeknikut, universitetit Bujqësor, e kështu me radhë.
Nga kjo reformë nuk do ketë asnjë shkurtim për personelin shkencor.
Prej saj, universitetet tona përfitojnë 237 personel akademik.
Vendimet e djeshme do të vijohen nga një fazë tranzitore 1-2 vjeçare të ngritjes së strukturave të reja, dhe mendoj që tashmë, në këtë kuadër që siguron eficensë dhe produkt, bëhet e mundur rritja e financimit buxhetor për kërkimet shkencore, që njoftoi kryeministri Berisha dje, si edhe përfshirja e gjerë e instituteve shkencore të Shqipërisë në rrjetet kërkimore evropiane dhe botërore.” fund i citatit
----------------------------------------------
“Qeveria do të studiojë mundësinë që Institute në kuadër te Akademisë së Shkencave, dhe institute të tjera të cilët mbulojnë shkenca të sakta ose natyrore, të gjejnë forma bashkëpunimi e integrimi me universitetin përkates. ”- PROGRAMI I QEVERISË I MIRATUAR NË KUVEND NË SHTATOR 2005, Fq 42
|