Tiranë, më 18 janar 2008

 

Të gjitha shkollat e mesme me kabinet kompjuterash

Kryeministri Berisha dhe Ministri Pollo inagurojnë kabinetin e 379-të

Viti 2008, viti i pajisjes së shkollave bazë me TIK-KAB

 

Të gjitha shkollat e mesme në vend janë pajisur me të paktën një kabinet me kompjutera të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit ose TIK-KAB-e, sipas projektit të qeverisë në bashkëpunim me PNUD, TIK-shkolla (në anglisht e-Schools Program).

Në këtë kuadër, sot Kryeministri z. Sali Berisha dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Genc Pollo inaguruan TIK-KAB nr. 379 në gjimnazin “At' Shtjefën Gjecovi” në Lac, duke përmbushur në këtë mënyrë një premtim dhe program të qeverisë dhënë në dhjetor 2005 për pajisjen e shkollave tona publike me kabinete kompjuterash.

Në ceremoninë e përurimit ishte e pranishme edhe znj. znj Gülden Türköz Cosslett, përfaqësuese e përhershme e PNUD-it (United Nations Developement Program) në vend, dy zv.ministrat e Arsimit znj. Ardiana Gjonaj dhe z. Halit Shamata, zyrtarë arsimorë, etj.

Me këtë rast Ministri Pollo tha: ”Është një nevojë e madhe e jona që Teknologjinë e Informacionit ta përdorim në cdo sferë të jetës. Pa e realizuar këtë, ne nuk mund të themi se Shqipëria ka hyrë në shek. 21. Dhe prandaj në fund të viti 2005 qeveria shpalli projektin e madh të Tik-shkollave (e-schools), dhe prej atëherë, një punë e madhe konceptuale, studimore, operative është realizuar. Sot ne përurojmë simbolikisht përmbushjen e premtimit vjetor të një objektivi madhor, pajisjen e të gjitha shkollave të mesme me Tik- Kab-e apo kabinete të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.”

Viti 2008 do të jetë viti i pajisjes së shkollave bazë me TIK-Kabinete. Ndërsa në kurrikulën e këtij sistemi arsimor për herë të parë do të implementohet edhe lënda e informatikës në klasat 6-9, në mënyrë që nxënësit të mund të marrin në shkollë atë që marrin në internet-kafetë dhe në kurset private të prindërve. Për implementin e plotë të projektit TIK-shkolla po punohet edhe për trajnimin e mësuesve të informatikës.

3 vjet më parë, të vetmet shkolla që kanë qenë pajisur me kompjutera kanë përfituar nga një ndihmë e qeverisë italiane dhe kanë qenë afro 14.

Ky program ka mobilizuar edhe donatorë të tjerë (qeveria kineze, qeveria italiane) dhe sektorin privat në vend (Dhomat e tregëtisë dhe Industrisë, Sorros, Raiffeisen Bank, Western Union, Shoqata e Bankave, Ufo university, Isseti) duke siguruar një proces të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm të TIK në shkolla dhe në krijimin e aftësive menaxhuese në mbështetje të laboratorëve shkollorë.

Më shumë se 60% e projektit deri tani është përballuar nga buxheti i shtetit.

Për më tepër informacion mbi projektin mund të klikoni në www.mash.gov.al/Tik-Shkolla.htm