Ministri Pollo: Gjuha gjermane një dritare e rëndësishme e shqiptarëve drejt BE-së.
Sot Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Genc Pollo dhe ambasadori i Republikës Federale së Gjermanisë në Shqipëri z. Bernd Borchardt nënshkruan një deklaratë bashkëpunimi për çeljen e seksionit dy-gjuhësh në shkollën e mesme “Sami Frashëri” dhe mësimin e gjuhës gjermane në shkollën bazë “Fan Noli”në Tiranë.
Gjatë ceremonisë ministri Pollo tha ndër të tjera: “Jam shumë i gëzuar që nënshkruaj me ambasadorin e Gjermanisë z. Borchardt marrëveshjen kuadër për hapjen e seksionit dy-gjuhësh shqip gjermanisht në gjimnazin e njohur të Tiranës, "Sami Frashëri" si dhe për mësimin e gjermanishtes në shkollën "Fan Noli". Ne kemi marrë disa nisma dhe kemi intesifikuar mësimin e gjuhëve të huaja, kemi bërë përpjekje për ta modernizuar atë dhe për ta bërë një mjet të rëndësishëm avancimi personal dhe profesional. Gjuha e huaj për shqiptarët është e domosdoshme sidomos në këtë shekull dhe duke thelmeluar një seksion dy-gjuhësh shqip-gjermanisht në gjimnazin "Sami Frashëri", mendoj se kemi hapur një dritare dhe një mundësi për një gjuhë të madhe të kontinentit, të rëndësishme për kulturën dhe shkencën, gjuhën e një vendi, apo të disa vendeve mike dhe përkrahëse të Shqipërisë, në përpjekjen e vet për të zhvilluar demokracinë dhe ekonominë e vendit, si dhe për tu bërë pjesë e plotë e familjes euro-atlantike. “
Është e njohur prej kohësh tradita e gjuhës gjermane në vend, por edhe rëndësia e saj si një nga gjuhët më të folura në Bashkimin Evropian.
Gjatë nënshkrimit të kësaj deklarate të dy palët pohuan rëndësinë e përçimit të njohurive praktike të gjuhëve të huaja si kompetencë kyçe brenda programeve shkollore, dhe vlerën e mësimit dygjuhësh si një formë e re mësimdhënieje, në të cilën kombinohen përftimi i njohurive të gjuhës së huaj dhe përçimi i këtyre kompetencave.
Seksioni dygjuhësh duhet të hapet, sipas deklaratës, me një ose disa klasa paralele, në të gjitha vitet e shkollës së mesme, në të cilat do të realizohet mësimi i gjuhës gjermane dhe i një pjese të lëndëve në këtë gjuhë.
Gjithashtu në vitin 2010 - 2011 brezi i parë i seksionit dygjuhësh duhet të japë provimet e Maturës Shtetërore në shqip dhe gjermanisht.
Për këtë qëllim do të ngrihet një grup të përbashkët pune, në përbërje të të cilit do të jenë edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës Pollo dhe ambasadori Borchardt. Ky grup do të përpilojë detajet dhe mënyrën e funksionimit të seksionit dygjuhësh si dhe do të përgatisë:
- Planin dhe programet mësimore,
- Rregullat për zhvillimin e maturës shtetërore
- Kriteret e përzgjedhjes së nxënësve
- Organizimin nga pala gjermane i kurseve intensive për mësimin e gjuhës
- Dërgimin e mësuesve gjermanë
- Bashkëmësimdhënia
- Kualifikimin i mësuesve
- Zhvillimin e mjeteve mësimore
- Certifikimin përfundimtar
Çfarë janë seksionet dy-gjuhëshe
Seksionet dygjuhëshe janë hapur për herë të parë në Shqipëri në vitin 1998 në shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” në Tiranë.
Seksionet dygjuhëshe nënkuptojnë mësimin e të gjitha lëndëve në dy gjuhë, gjuha e huaj, (që deri tani janë anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja) dhe shqip. Një nga avantazhet e nxënësve të diplomuar në këto seksione dhe që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në vendet përkatëse është përjashtimi nga provimi i gjuhës së huaj dhe procedura lehtësuese për regjistrimin në universitetet franceze, italiane, angleze.
Një përfitim tjetër nga këto klasa është trajnimi dhe kualifikimi i mësuesve tanë të gjuhëve të huaja nga pala tjetër.
Në vendin tonë aktualisht ekzistojnë shtatë seksione dygjuhëshe, tre nga të cilat janë seksione dygjuhëshe shqip-italisht në Tiranë, në Korçë dhe Shkodër, tre seksione dygjuhëshe shqip-frëngjisht, në Tiranë, Korçë dhe Elbasan, dhe së fundi një seksion në gjuhën gjermane në Tiranë.
|
|