Gjonaj: “Projekligji për Arsimin e Lartë, shumë hapa përpara drejt zhvillimit të Arsimit të Lartë”
Sot zëvendësministrja e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës znj Ardiana Gjonaj tha në një konferencë për shtyp:
Synimi
“Projektligji i propozuar nga Qeveria e Shqipërisë, synon
- reformimin e sistemit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor në përputhje dhe në harmoni me tendencat evropiane të zhvillimit të kësaj fushe,
- përfshirjen reale të institucioneve tona në hapësirën respektive evropiane.
Ky projektligj
- rrit në mënyrë të ndjeshme shkallën e autonomisë institucionale, strukturore dhe akademike,
- përmirëson qeverisjen e institucioneve, kombinuar kjo me rritjen e përgjegjësisë dhe transparencës, rrit shkallën e demokracisë.
Krijohen mundësitë ligjore për
- integrimin e kërkimit dhe institucioneve kërkimore në universitete,
- për zgjerimin horizontal dhe vertikal të sistemit për t'ju përgjigjur kërkesave në rritje për arsimim,
- krijohet një sistem shumë fleksibël arsimimi me mundësinë e diplomave dhe kualifikimeve ndërdisiplinore apo të përbashkëta, të transferimeve dhe grumbullimit të krediteve të fituara, (autonomi akademike) për të Mësuarin Gjatë Gjithë Jetës.
Projektligji i paraqitur sanksionon
- detyrimin e institucioneve të arsimit të larte dhe të shtetit per cilësinë e diplomave , duke përmirësuar sistemin e vlerësimit të brendshëm e të jashtëm të cilësisë dhe atë të akreditimit.
- Ristrukturohen dhe shtohen kategoritë e personelit akademik , duke ju dhënë të drejtë institucioneve të përcaktojnë kriteret dhe procedurat e nevojshme për punësimin e tyre (autonomi institucionale).
- Për herë të parë sanksionohet roli dhe pjesëmarrja e studentëve në qeverisjen e institucioneve të arsimit të lartë.
Këto dhe shumë elementë të tjerë shënojnë një arritje mjaft të rëndësishme të projektligjit.
Qeveria Shqiptare, është e ndërgjegjëshme që këto transformime kërkojnë mbështetje shumë më të madhe financiare. Në synimin e rritjes së pandërprerë të financimit nga buxheti i shtetit për institucionet e arsimit të lartë, për mbështetje me kredi nga institucione të mëdha financiare si BB, BEI, etj. dhe sidomos të rritjes së autonomisë në përdorimin e tyre në trajtën nga më të avancuarat e kësaj autonomie: financimi me grant, pas një periudhe 2-3 vjeçare, bëhet e domosdoshme dhe rritja e kualitetit të drejtimit e menaxhimit të institucioneve (autonomi financiare).
Këshilli Administrativ
Përmirësimi i formave të drejtimit kolegjial, i rritjes së pjesmarrjes së përfaqësuesve nga biznesi, shoqëria civile e studentët, përbëjnë një risi, në ngjashmëri me drejtimin e universiteteve moderne në Europë, por që nuk ngjason me mentalitetet e sotme të disa drejtuesve aktualë të shkollave të larta.
Këto forma drejtimi i garantojnë shtetit dhe shoqërisë zhvillimin pa ndërprerje të vetë institucioneve të arsimit të lartë, shmangien për falimentimin e tyre dhe sidomos krijojnë mundësi për pjesëmarjen e kapitalit financiar vendas apo të huaj në zhvillimin e institucioneve, kuptohet me mundësinë e pjesëmarjes së drejtpërdrejtë të tyre në qeverisje.
Si është pritur Projektligji?
Në hartimin e projektligjit është debatuar gjerësisht dhe është marrë mendimi i strukturave të ndryshme universitare, Konferencës së Rektorëve, Këshillit për Arsimin e Lartë Shkencën, (KALSH), Qeveria studentore, etj. për të arritur në këtë variant përfundimtar. Të gjitha këto struktura e kanë vlerësuar projektligjin e ri të Arsimit të Lartë.
Në debatin për projektligjin e ri të Arsimit të Lartë ka qënë i mirëpritur edhe kontributi i munguar i opozitës.
MASH ka bashkëpunuar me të gjitha strukturat e sistemit të arsimit të lartë, në ndryshim nga qeverisja e mëparshme që politizoi në maksimum institucionet dhe nxorri në rrugë të gjithë profesoratin shqiptar, si protestë për gjëndjen shumë të rëndë të arsimit tonë të lartë.
Në mbyllje theksoj që me këtë projektligj bëhen hapa përpara drejt integrimit europian.”
|