Tiranë, më 28 prill 2007

Edhe në Shqipëri Fond Ekselence për të shkëlqyerit

Kushti, duhet të rikthehesh në vend.

Sot në një deklaratë për mediat, zv.ministrja e Arsimit dhe Shkencës znj Ardiana Gjonaj tha:

“Dje qeveria miratoi fondin e ekselencës me një vlerë prej 100 milion lekësh në vit, me synim kryesor kualifikimin e stafeve akademike të shkollave tona të larta.

Ky fond do të përdoret nga MASH

· për bursa të posaçme, për kryerjen në universitete perëndimore prestigjioze të studimeve të doktoratës apo post-doktoratës të studentëve dhe shkencëtarëve të rinj të shkëlqyer, por me kushtin që të kthehen dhe të japin kontributin e tyre për 5 vjet në Shqipëri;

· për çmime për studentët fitues në konkurse apo olimpiada ndërkombëtare;

· si dhe për të mbështetur botime me nivel të lartë shkencor.

Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës do të përcaktojë fushat prioritare, numrin e bursave për çdo fushë, si dhe kritere të tjera përzgjedhëse.

Deri më sot, i vetmi stimul i qeverisë kanë qenë bursat për studentët të cilët arrijnë një mesatare të notës 10 gjatë studimeve universitare, pavarësisht nga të ardhurat që kanë familjet e tyre.

Ky hap që merret për herë të parë, është një hap i rëndësishëm për t'ju dhënë të rinjve tanë ekselentë, këtij potenciali kombëtar, mbështetje financiare, që pasi të kualifikohet jashtë të ndihmojë për zhvillimin e Arsimit të Lartë dhe shkencës në Shqipëri.”

Nismat e tjera të MASH për të shkëlqyerit

Në politikat e kësaj ministrie në qendër të vëmendjes do jetë diferencimi i më të aftëve e më të talentuarëve midis nxënësve dhe studentëve që kanë kapacitete dhe rezultate të larta, në përvetësimin e programeve mësimore në Arsimin e Mesëm e të Lartë.

Ndër këto nisma përmendim

  1. Vendimin e Këshillit të Ministrave për kuotat këtij viti akademik në universitete, ku u parashikua që 5 studentët e radhitur të parët në çdo degë nuk do të paguanin tarifë shkollimi.
  2. Studentët me medalje ari apo të shkëlqyer, këtë vit u përfshinë në ciklet e studimit Master apo shkollat pasuniversitare në Shqipëri pa paguar tarifën përkatëse.
  3. Mbi 70 nxënësit që dolën me pikë maksimale në provimet e Maturës Shtetërore, (të provimeve të shkollave të mesme dhe profesionale) përfituan në fillim të vitit të kaluar dhurata por edhe bursa nga shteti dhe donatorët privatë.
  4. Gjithashtu nxënësit fitues të Olimpiadave kombëtare dhe ndërkombëtare u shpërblyen me dhurata për rezultatet e tyre nga ministri.