Ministri Pollo: "Detyrimi ynë sot është të votojmë pro pligjit për Arsimin e Lartë me bindjen se po vendosim nje gur themeli të një të ardhme më të mirë"
Sot ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Genc Pollo gjatë disktutimit të projektligjit të Arsimit të Lartë në Parlament tha :
“Më në fund erdhi dita që Kuvendi të marrë në shqyrtim një nga ligjet më të debatuara publikisht, por edhe ndër më të rëndësishmit realisht; atë për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë.
Do të doja që në fillim të fjalës time të shprehja nje falenderim të përzemërt për të gjithë ata që gjatë periudhës 15 mujore të punës për këtë projekt, kanë kontribuar në hartimin e këtij dokumenti, përfshirë këtu drejtues universitarë, profesorë, docentë, lektorë e studentë të shkollave të larta të vendit tonë, ekspertë vendas por edhe ndërkombëtarë. Gjithashtu do të falenderoja për punën e tyre zyrtarë te Ministrisë, ofiqarë të tjerë të qeverisë si dhe deputetët e komisioneve parlamentare, sidomos ata të Komisionit të Edukimit që kanë shpenzuar disa dyzina orë shqyrtimi e debati rreth këtij p/ligji gjatë më se dy muajve të qëndrimit të tij në Kuvend.
Ky p/ligj paraqitet këtu për të zëvendësuar ligjin aktual, të miratuar në vitin 1999. Arsyet për hartimin e një ligji të ri, janë zhvillimet e rëndësishme në universitetet tona në 8 vitet e fundit, përvoja e grumbulluar nga puna me kuadrin ligjor egzistues, që tregon se çfarë ka ecur mirë dhe çfarë ka funksionuar keq. Po kështu, procesi i Bolonjës në Arsimin e Lartë ku Shqipëria zyrtarisht bën pjesë që nga viti 2003, ka sjellë ndryshime të thella në universitetet evropiane, por edhe në ato shqiptare dhe një ligj i ri që përmban ato që tashmë janë norma dhe instrumente të gjithëpranuara, ishte më se i nevojshëm.
Do të ndalesha te disa nga risitë që sjell p/ligji që sot ju propozohet për miratim:
1. Vendos bazën ligjore deri tani të munguar për tre ciklet e studimit sipas formatit evropian; të krediteve si njësi matëse, e cila mundëson krahasim dhe mobilitet; të suplementit të diplomës si mekanizëm informues për aftësitë e fituara.
2. Ligjëron mundësinë e programeve të studimit ndërdisiplinore, ato të përbashkëta dhe të formimit të vazhduar, duke hedhur bazat edhe Të Të mësuarit Gjatë Gjithë Jetës shumë të nevojshëm edhe për shoqërinë tonë.
3. Sigurimi i cilësisë, përmes procesit të vlerësimit të jashtëm dhe akreditimit vendoset në një kuadër modern dhe lejon përfshirjen e agjensive eeropiane në këtë proces esencial për Bolonjën, por edhe për besueshmërinë e diplomave tona dhe njohjen e tyre në të ardhmen, në vendet e BE-së dhe Perëndimit.
4. Kapitulli financiar është ndër më të avancuarit dhe ju jep mundësi shkollave të larta të detajojnë vetë buxhetin e tyre, që e marrin si transfertë të pakushtëzuar, gjë që deri tani e kryente minstria. Të ardhurat nga tarifat e burimet e tjera barten në vitin buxhetor pasardhës, pra universitetet nuk druhen më se digjen fondet dhe mund të planifikojnë më mirë investime strategjike. Fondet buxhetore për investime jepen në trajtën e grantit konkurrues. Gjithashtu çelet rruga për finacime nga sektori privat për Arsimin e Lartë.
5. Kërkimi Shkencor me këtë ligj është krejtësisht i mundur dhe i organizuar në universitetet tona, në vijim të reformës së instituteve shkencore që tashmë po integrohen me Institucionet e Arsimit të Lartë, duke rritur cilësinë e mësimdhënies dhe të vetë universiteteve.
6. Ky ligj jep një kuadër të plotë e rigoroz ligjor për shkollat e larta private, që deri tani bazoheshin në një VKM të vitit 2001. Deri tani janë licensuar afro 14 shkolla të larta private, gjysma e të cilave në qeverinë e mëparshme, të cilat mbulojnë më pak se 5% të studentëve në vendin tonë. Duke përkrahur futjen e kapitalit privat në Arsim, ne po përpiqemi për të kontrolluar standardet ligjore. Dhe kontrolli i MASH i filluar në shkollat e larta private në fund të 2006, ka qenë i pari i këtij lloji. Aktualisht lista e personelit akademik që jep mësim në këto shkolla eshtë vënë në dispozicion të universiteteve publike, për të shqyrtuar përputhshmërinë me ligjet në fuqi. Me tej kontrolli është përqendruar tek standarti ndërtimor dhe korrektesa e dokumentacionit për studentët.
7. Qeverisja e universiteteve. Hallka më e nxehtë, ku interesat e pasionet përplasen me aq zhurmë, sa që shpesh nuk të lënë të dëgjosh zërin e arsyes. Kjo hallkë çalon si tek ne dhe është problematike edhe në çdo vend që ka universitet. Ka një traditë në vendet si SHBA, ku universitetet shtetërore, gjysëm shtetërore ose private, financohen nga një larmi burimesh, që mbështetësit kryesorë të përfaqësohen në një bord të besuarish, Board of Trustees, i cili merr vendimet kryesore për universitetin. Ka edhe një traditë mesjetare, që universitarët përcaktojnë njeri- tjetrin në krye të administrimit të shkollës përmes votimit. Ndonëse forma e parë po gjen përhapje në Europë, ne konkluduam se ajo mund të ishte disi e parakohshme për Shqipërinë, por gjithësesi ia vlente të kihej parasysh në të ardhmen. Forma tjetër e quajtur demokratike kishte probleme; të gjithe e dimë që demokracia është sistem problematik. Edhe Churchill-i kështu mendonte. Por kur baza e zgjedhësve së titullarit, ngushtohet në atë të punëmarrësve në një organizatë që paguhet 100% nga shteti, këto probleme rriten pa masë dhe jo rallë duket sikur deformojnë sistemin. P.sh. duket sikur shpesh punësimet e reja bëhen jo sipas kualifikimeve akademike të personit, por sipas sigurisë për votën e personit. Ajo që vihet re së shumti në universitete dhe fakultete, është edhe kontrolli total i titullarit të zgjedhur, i cili në mungesë të mekanizmave demokratikë të balancimit të pushteteve, në disa raste kthehet në të plotfuqishmin, që dikton çdo gjë. Lidhur me formulën e qeverisjes në këtë ligj, ne vendosëm të mbajmë sistemin e zgjedhjeve, por të korrigjuar. Pra jo me zgjedhje të rektorit e dekanit nga senati e këshilli, ku vendosnin 20-30 vetë, siç qe aplikuar më parë, e ku e mundësia e tarafizmit ishte madhore, por me zgjedhje nga i gjithë personeli akademik, madje duke përfshirë edhe tërësinë e studentëve, por kuptohet të koeficientuar me 20%.
Një tjetër risi në qeverisjen universitare, është krijimi i organeve që sigurojnë më shumë përgjegjësi, raportim e transparencë, në funksionimin e brendshëm të universitetit, që edhe në Evropë jo rrallë është kritikuar se mbyllet në vetvete dhe harron të komunikojë me shoqërinë, të cilës duhet ti shërbejë. Këshilli i Administrimit në nivel universiteti që parasheh ky ligj, është një organ me pjesëmarrje të gjerë nga shoqëria, por edhe personeli akademik, me komptenca kryesisht buxhetore, që deri tani i mbante ministria. Në rastin e transfertës së pakushtëzuar të grantit konkurrues, roli i Këshillit të Administrimit në dialog me senatin akademik dhe rektorin, do të jetë edhe më evident. Në kushtet kur financimi buxhetor i Arsmit të Lartë po vjen në rritje, këtë vit ka arritur 65 milionë USD, kërkesa për mirëadministrim e korrektesë, nuk mund të refuzohet nga kurrkush.
Këshilli i Profesorëve që ngrihet në nivel fakulteti, do të drejtojë studimet e ciklit të tretë, të doktoraturës, në këtë lëmë shumë të rendësishëm, ku deri tani vendoste pothuaj i vetëm dekani.
Edhe Këshilli i Etikës, do të ketë një përgjegjësi jo të pakët në një klimë publike, ku rastet e abuzimit me detyrën po dalin shumë shpesh dhe megjithëse nuk duhen përgjithësuar, ato dëshmojnë për një problem serioz të shkollës së lartë, që po mbeti i patrajtuar, do të minojë keq besimin në to.
Këto ishin disa nga të rejat kryesore në drejtim të qeverisjes universitare, ku është përqëndruar e gjithë fuqia e kundërshtarëve të këtij p/ligji. Dhe megjithëse në asnjë rast nuk kemi ndonjë kompetencë të shtuar të minstrisë apo ekzekutivit në përgjithësi, përsëri një kor i pataksur, ku më të lartë e kanë zërin ata që nuk e kanë lexuar ligjin, përsërit pa u lodhur refrenin se po cënohet autonomia universitare. Dhe në resht të dytë në këtë kor, por më të vendosur janë ata që kanë përfituar nga mungesa e transparencës dhe raportimit dhe për të cilët autonomia është sinonimi i abuzimit, anarkisë dhe amullisë.
8 . Edhe një aspekt i fundit i këtij ligji, për sa i takon adminstrimit. Nga kontrollet e ministrisë, ka rezultuar se regjistrat e studentëve në shumë fakultetet tona, janë ku thërret qameti, të mbajtura pa rregull, pa sistem unik dhe arkivim serioz. Jo rrallë, ju keni dëgjuar se aksh person u pushua nga puna ku kishte filluar me diplomë fallso, apo edhe se filani u kthye nga emigracioni dhe për dy javë u diplomua me mjete speciale. Këto dukuri lehtësohen ndoshta edhe shkaktohen nga nje mangësi madhore e jona, mungesa e numrit të matrikullimit të sudentëve, që në Evropë është i vetëkuptueshëm. Me këtë ligj, krijohet baza për matrikullimin e studentëve dhe dixhitalizimi i amzave dhe regjistrave do ta reduktojë në minimum falsifikimin, pasi verifkimi i një diplome mund të bëhet në çast në universitet ose ministri. Kështu do të zhduket informaliteti në këtë sektor kaq të ndjeshëm.
Zonja e zotërinj
Do të doja të shpjegoja pse jam kundër disa prej propozimeve te opozitës, të disa prej amendamenteve Blushi-Memushi. I quaj kështu, se me shkrim ato janë dorëzuar të firmosura nga kryetari i Grupit të PS, ndërsa në Komisionin e Edukimit janë paraqitur e shpjeguar gojarisht nga ish-ministri i arsimit dhe shkencës në qeverinë e shkuar.
- Amendamenti nr. 1 i zotërinjve Blushi-Memushi kërkon të rrezojë Maturën Shtetërore, si baza e pranimeve në shkollat e larta me shpjegimin se kjo cënon autonominë universitare. Zotërinj të PS, sado që të ishit përpjekur, zor se mund të kishit formuluar një propozim më trishtues. Jo se po godisni një reformë që edhe një kritik sarkastik i kësaj qeverie si z. Gjinushi e ka quajtur sukses, por sepse nuk po dëshmoni ndërgjegjësim, për atë që qeveria juaj në periudhën 1999-2005 nën flamurin e autonomisë degradoi pranimet universitare në nivele të paimagjinueshme. Jo se konkurset e pranimit përfunduan në stadiume; madhësia e sallës nuk është kryesorja, por sepse toleruat një korrupsion të paparë, pasi në ato konkurse personat që ofronin kurse përgatitore për kandidatët, personat që përgatisnin tezën e provimit dhe personat që formonin jurinë e konkursit, tepër shpesh rezultonin të njëjtët. Një mënyrë kjo, që dëmtoi rëndë reputacionin e moralin e shkollave të larta.
- Amendamenti nr. 2, kërkon që kufizimin normal me dy mandate njëra pas tjetrës që ky ligj përcakton, njëlloj si ai i vitit 1999 dhe njëlloj si praktika e pothuaj gjithë vendeve të Evropës, zotërinjtë Blushi e Memushi duan ta rrëzojnë në mënyrë që dekanë e rektorë që kanë përmbushur dy mandate të kenë mundësi të fitojnë edhe dy të tjera. Arsyet që japin janë legalistike dhe jo thelbësore; bien në kundërshtim me logjikën dhe rrëzojnë një normë që vetë e majta e vendosi në ligj 8 vjet më parë. Dyshoj se kemi të bëjmë me një kapje të vogël.
- Amendamenti 3, godet nenin 64 ku përcaktohet se ministri e presidenti kur konstatojnë shkelje flagrante, përkatësisht pezullojnë e shkarkojnë rektorin dhe shpallin zgjedhjet e parakohshme për pasuesin. Më duket i pavend ky amendament se në çdo shtet normal, ka rregulla e procedura se si shkarkohet presidenti, kryeministri, deputeti, gjykatësi, kryetari i bashkisë, e kështu me radhë. Nuk ka kuptim të përjashtojmë titullarin e shkollës së lartë publike, duke e shpallur të paprekshëm e të përjetshëm. Neni 64 madje rudh fuqinë e minstrit, pasi me ligjin aktual ai shpall vetë zgjedhjet në universitete, ndërsa me ligjin e ri, i duhet kundërfirma e Presidentit.
- Amendamenti 4, synon që të reduktojë në 50% +1 kuorumin vendimmarrës në Këshillin e Administrimit për çështje të buxhetit. N.q.s do të ishte kështu, në një Këshill ku 51% janë personel akademik, ne do të kishim një senat të dytë paralel dhe të panevojshëm dhe shoqëria nuk do të kishte asnjë zë në planifikimin strategjik dhe atë buxhetor të universitetit. Ky amendament e kthen në zero Këshillin e Adminstrimit ndërkohë që zotërinjtë Blushi –Memushi nuk rezultojnë të jenë parimisht kundër ngritjes së këtij organi.
- Amendamenti 5 Blushi-Memushi, synon të rrëzojë kolegjet post-sekondarë si pjesë administrative e universiteteve, me shpjegimin se nuk përputhen me skemën e Bolonjës. Unë e kuptoj se është vështirë të ndjekësh të gjitha zhvillimet në të gjitha fushat, por mund t'ju them se cikli i shkurtër bashkë me bachelor, master e doktoratën, është pjesë përbërëse e sistemit të rekomanduar nga komisioneri për arsmin në BE etj. Kështu rezultoi edhe ne Konferencën ministrore për procesin e Bolonjës, që u mbajt në Londër javën e shkuar dhe ku unë mora pjesë në emrin tuaj.
Një seancë më parë, shefi i PS këtu, z. Blushi, shprehu shqetësimin e tij të thellë se ministri i arsmit kishte hyrë ne konflikt me drejtuesit universitarë, duke i quajtur ata agallarë. Në këtë, ai nuk ishte fort i saktë ; termi “agallarë” është përdorur nga kryetari i PS për një pjesë të partisë që ai nuk e preferon, përfshi dhe jo pak syresh në këtë sallë. Kjo mendoj e shpjegon edhe lapsusin e z. Blushi, që këtu flet për arsimin, por duket se nganjëherë e ka mendjen gjetiu.
Por le të mbetemi te thelbi i gjërave: është e vërtetë që zyrtarë të ministrisë kanë përdorur termin çifligarë, për të përshkruar tipin e administratorit të zgjedhur në shkollat e larta publike që çdo paragraf, çdo fjalë e çdo gërmë të këtij p/ligji e sheh dhe e komenton vetëm e vetëm në optikën e privilegjit dhe përfitimit vetjak, që shpesh është jo etik dhe nganjëherë jo i ligjshëm. Kuptohet jo të tërë, madje as shumica. Vetëm se më duhet të pranoj një gjë: që në këtë pikë nuk kemi qenë edhe aq origjinalë. Ka qenë kryeministri Nano, në qeverinë e të cilit ka shërbyer edhe z. Blushi edhe z. Memushi, i cili në vitin 2004, duke folur në Universitetin Bujqësor të Kamzës, akuzoi një kategori rektorësh e sidomos dekanësh si pashallarë, frenues të zhvillimit dhe mbytës të debatit. Dhe z. Nano, ndoshta kishte të drejtë, por pas këtij fjalimi tronditës asgjë nuk ndodhi; kryeministri ju kthye çështjeve të tija, ministri i linjës vazhdoi i patrazuar punët veta dhe pashallarët, ti quajmë keshtu, vijuan si të tillë. Ndryshimi kryesor midis qeverisë së z. Nano dhe asaj të z. Berisha nuk është tek zgjedhja e termave. Qeveria “Nano” herë pas here shkëlqente në konstatimet e problemeve, por nuk i shkonte mendja të ngatërrohej me përpjekje për t'i zgjidhur ato; ndërkohë qeveria aktuale nuk i tutet reformës së nevojshme edhe kur kjo sjell fërkime, pakënaqësi e konflikt, pasi e rëndësishme është e nesërmja më e mirë. Dhe ne jemi të sigurt se e nesërmja nuk ka si të jetë më e mirë se e sotmja n.q.s. ne vetëm flasim dhe i lemë gjerat ashtu siç janë, konsolidojmë status quo-në e prapambetjes dhe abuzimit, siç ndodhi në 8 vitet e shkuara. Dhe e vetmja gjë e sigurt që ofrojmë, është që nëse jemi si vend në radhën e sprasme të kontinentit, por edhe të gadishullit tonë, përsëri do të mbetemi të sprasmit, vecse do të jemi edhe anash në kohë dhe në hapësirë.
Zonja e zotërinj, kjo recetë është e papranueshme për kombin; është e papranueshme për maxhorancën. Por do të ishte e trishtueshme n.q.s. opozita e majtë do të mbetej në status quo-në e saj negativiste duke përsëritur një “JO” permanente pa logjikë dhe pa argumente. Deri tani, si rregull, kritikat a ardhura nga PS, kanë qenë refleks i përtacisë intelektuale, që sjell lehtësia e kundërshtimit automatik të çdo propozimi qeveritar. Kundërshtimi i opozitës, sipas deklarimeve që kam dëgjuar deri me tash, nuk është aspak shprehje e ndonjë vizioni politik të caktuar për Arsimin e Lartë. Ato thjesht kanë qenë reagime reflektive për të nxitur pakënaqësinë e pashallarëve, për ti cytur ata të kundërshtojnë reformën dhe për tu bërë ombrellë e të gjithë atyre që janë bashkëpërgjegjës të prapambetjes dhe problemeve në këtë segment të rëndësishëm të arsimit.
Kjo situatë nuk është e shëndoshë për demokracinë tonë, pasi një opozitë e pareformuar që imiton pozicione negativiste ekstreme të së shkuarës, nuk ndihmon evoluiimin e jetës politike në Shqipëri. Por pavarësisht nga këto fjalë jo të ëmbla, unë ende shpresoj se ekzistojnë mundësitë për një qëndrim harmonik e konsensual të opozitës ndaj p/ligjit. Natyrisht jo një qëndrim ku opozita thjesht përkrah qeverinë si pasuese të saj, por për një kompromis të arsyeshëm, përmes të cilit e majta do të rezultonte një opozitë kontribuese dhe konstruktive. Dua të flas këtu për nenin 95, të anatemuar gjerësisht në debatin publik. Siç është shkruar në tekstin e p/ligjit, ai nen nuk ka asnjë efekt direkt. Përpara se të bëhet efektiv, ai duhet të shtjellohet me një ligj tjetër, që duhet të miratohet në legjislaturën e ardhshme, cilado qoftë maxhoranca e saj. Kështu veprojnë edhe disa demokraci fqinje edhe me Kodin Zgjedhor. Qeveria e ndryshon atë, por ndryshimi hyn në fuqi jo në zgjedhjet që vijojnë, por në ato pas tyre, cilado qoftë maxhoranca; dhe kjo është një siguresë kundrejt abuzimit me pushtetin. Neni 95, gjithësesi, nuk synonte emërimin politik të administratorëve të shkollave të larta, por përzgjedhjen e tyre jo thjesht në bazë të pëlqyeshmërisë, por edhe të kualifikimeve menaxheriale, që do të vlerësoheshin nga një juri akademike, e përcaktuar me formulë dhe jo e caktuar nga ekzekutivi. Më tej, shortlista e kandidatëve, do ti nënshtrohej votimit të përgjithshëm nga gjithë personeli akademik e studentët, sipas dispozitave të këtij p/ligji. Ky nuk është një model vetëm anglosakson por një formë qeverisje që po përdoret progresivisht në Europën kontinentale. Megjithatë më duhet të pranoj se ky nen i Këshillit të Ministrave për arsye të ndryshme nuk është mirëpritur në qarqet universitare të vendit tonë, që argumetojnë se një klauzolë e tillë është e parakohshme për vitin 2007. Gjithashtu opozita e majtë e kapi këtë moment dhe kërkoi heqjen e nenit 95. Për respekt ndaj opozitës, maxhoranca në nivelin e Komisionit të Edukimit, ra dakord me propozimin e deputetëve të majtë për të votuar se bashku në këtë pikë. Ky është një zhvillim politik pozitiv, por që po të mbaronte këtu do të ishte pa kuptim. Maxhoranca i bëri një lëshim madhor opozitës, por kjo e fundit nuk lipset të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur. Për më tepër që nga 38 amendime të miratuara me konsensus, 28 janë propozuar nga deputetët e opozitës dhe përbëjnë plotësime e korrektime që nuk cënojnë frymën e standardin e p/ligjit, por përkundrazi e theksojnë atë. Prandaj, do të ishte obligim moral e politik i opozitës të lërë mënjanë polemikat, ndoshta edhe ne duhet të tërhiqemi prej tyre, dhe të shprehet në përkrahje të këtij ligji historik për Arsmin e Lartë. Le të veprohet ashtu si dhe në çështjet e politikës së jashtme e të sigurisë dhe në ato të integrimit euroatlantik.
Dhe një fjalë e fundit për Kuvendin e në radhë të parë për maxhorancën. Shqipëria nuk do ta ketë të ardhmen e ndritur për të cilën përbetohemi, nëse nuk fillon me shpejtësi të shndërrohet në shoqëri të dijes, të inovacionit dhe teknologjisë bashkëkohore. Ky ligj në vetvete, nuk është një shkop magjik, që do ta realizojë automatikisht këtë synim madhor në dy muaj apo në dy vjet. Për këtë duhet shumë punë, talent dhe investim nga qeveria, universitetet dhe gjithë shoqëria. Por pa këtë ligj, reformimi dhe modernizimi i universiteteve tona është pothuaj i pamundur. Prandaj detyrimi ynë sot është të votojmë pro tij, me bindjen se po vendosim nje gur themeli të një të ardhme më të mirë.
Ju faleminderit!”
|
|