Tiranë, më 9 prill 2008

 

Fjala e Ministrit te Arsimit dhe Shkences Komisioni i Edukimit dhe Medias


“Sot po shqyrtoni amendamentin që i bëhet ligjit për sistemin arsimor parauniversitar, amendimi i cili synon ngritjen e një këshilli kombëtar të Arsimit Parauniversitar. Ngritja e këtij këshilli është një përpjekje tjetër tashmë për ta institucionalizuar përmes ligjit, konsultimin që MASH bën me të gjitha palët e interesuara në arsim; konsultimin që bën, për cdo hap që hedh, për cdo reformë që ndërmerr, për cdo iniciativë të saj apo prioritet qeverisës. Dhe ka qenë praktikë e jona e hershme që përmes fushatave informuese dhe bashkëbisedimeve të gjera, por edhe përmes grupeve të punës permanente të konsultojmë shumë nga aspektet e ideve dhe reformave që do të ndërmerren, në mënyrë që të thithen opinionet e të gjitha palëve të interesuara, në mënyrë që të bëhen të gjitha përmirësimet para se projekt-aktet të kthehen në akte në fuqi. Por kësaj radhe po ndërhyjmë me një amendament për të vendosur në mënyrë permanente një këshill i cili do të këshillojë ministrinë dhe qeverinë për cështje madhore të Arsimit Parauniversitar, pra për strategjitë dhe programet kombëtare, për reformën e kurrikulave, për projektbuxhetin e parashikuar për këtë sektor dhe për zhvillimin e politikave të vecanta që kanë të bëjnë me Arsimin Parauniversitar. Sic e shihni, një pjesë e mirë e anëtarëve të këtij këshilli do të përzgjidhen sipas kritereve të bëra të qarta publikisht, në bazë të rregullave të konkurrimit publik, ndërkohë që në një pjesë tjetër do jenë përfaqësues të ministrive të tjera të interesuara direkt për arsimin, si të Ministrisë së Financave, të Ministrisë së Brendshme, të Ministrisë të Punës, të Ministrisë së Shëndetësisë, të Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, të qeverisjes vendore.
Ky është pak a shumë synimi i këtij amendamenti, gjithsesi është një amendament që bëhet në këtë ligj që në vetvete ka nevojë të ndryshohet dhe MASH ka nisur punën dhe konceptimin lidhur me një projektligj të ri të Arsimit Parauniversitar që do të zëvendësojë egzistuesin, sic ka nisur edhe puna për të parë dispozitat normative të cilat janë një akt nënligjor por që përbëjnë kadrin rregullues të veprimtarive të shkollave tona te arsimit bazë dhe të mesëm.
Gjithsesi menduam që të avancojmë me ngritjen e këtij këshilli në mënyrë që këtë konsultim të gjerë të gjithë palëve të interesuara; kete konsultim ta kemi sa më shpejt në mënyrë të institucionalizuar. Kjo për të kaluar nga praktika e grupeve të punës dhe grupeve të këshillimit që janë ngritur në mënyë permanente, në dicka të bazuar në ligj, që do te funksionojë sipas akteve të tjera që do të dalin në vijim.”