Fjala e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Z. Genc Pollo në ceremoninë e nënshkrimit të “Marrëveshjes të Mirëkuptimit midis Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe USAID”
Shkolla “Besnik Sykja” Tiranë 8 Maj 2007
“Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Është kënaqësi për mua që marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të ” Marrëveshjes të Mirëkuptimit midis Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID), i cili vjen si një nismë e re bashkëpunimi në kuadrin e reformimit të sistemit arsimor shqiptar.
Një ndër synimet e kësaj marrëveshje është bashkimi i përpjekjeve të MASH-it dhe partnerëve amerikanë për implementim e Programit Arsimor të Sipërmarrjes “Junior Achievement Albania”, i cili ka si qëllim promovimin dhe kuptimin e koncepteve të ekonomisë së tregut dhe sipërmarrjes së lirë në sistemin arsimor, si një komponent i rëndësishëm i tij dhe domosdoshmëri për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe faktor për integrimin e vendit në BE.
“Junior Achievement in Albania” është anëtare e organizatës ndërkombëtare ”Junior Achievement Worldwide” dhe ka zbatuar programe të suksesshme arsimore dhe në vende të tjera të Evropës. Programi për Shqipërinë ka filluar të zbatohet që në janar 2007, në 25 shkolla në Tiranë dhe Durrës dhe pritet të zgjerohet në shumë rrethe të tjera të vendit. Ai konsiston në 6 aktivitete për edukimin ekonomik, të cilët do t'i shërbejnë edukatorëve dhe studentëve për njohjen me ekonominë e tregut dhe me praktikat etike dhe të suksesshme të biznesit. Zbatimi i këtij programi do t'u mundësojë atyre njohjen me parimet kyçe jo vetëm ekonomike, por edhe me parimet e një ekonomie që garanton suksesin i cili do të arrihet nëpërmjet trajnimeve periodike të mësuesve dhe nxënësve, si dhe në sajë të aktiviteteve plotësuese të kurrikulës standarde. Ky bashkëpunim do të krijojë një klimë inkurajuese për përfshirjen e bizneseve dhe të qytetarëve të shoqërisë civile gjatë zbatimit të programit.
Zbatimi i saj ka nevojë të shoqërohet edhe me rishikimin e kurrikulës, ku vëmendje të veçantë do t'i kushtohet formimit të aftësive sipërmarrëse, frymës së iniciativës, frymë e cila nuk është nxitur në masën e duhur deri ne zhvillimet aktuale.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje mirëkuptimi me Agjencinë e SHBA-së, do të vendosë bashkëpunimin në baza institucionale. Zbatimi i programeve të JAA-së vjen në momentin e duhur, kur shoqëria jonë demokratike ka nevoje për një ekonomi tregu dinamike dhe për një fuqi punëtore të arsimuar dhe të kualifikuar si duhet.
Nga ky këndvështrim, MASH-i do të koordinojë dhe mbështesë këtë program nëpërmjet përfshirjes së tij në programet arsimore, duke kontribuar në vendosjen e bazave në përgatitjen e nxënësve dhe studentëve të kualifikuar e të aftë të përballen me sukses me tregun e punës dhe me kërkesat e shoqërisë moderne.” |