Tiranë, më 23 maj 2007

 

MASH: Për eskursionet e shkollave duhet më parë leja e Drejtorisë Arsimore

Vendimet financiare duhet të jenë vetëm të nxënësve

Nisur nga shqetësimi i mësuesve dhe prindërve të nxënësve të arsimit parauniversitar, për organizimet shpesh pa kriter të aktiviteteve jashtëshkollore, eskursioneve masive, sidomos gjatë sezonit të verës, Ministri i Arsimit dhe Shkencës ka nxjerrë sot një urdhër për miratimin e lejes për zhvillimin e veprimtarive jashtëshkollore në shkollat publike e private.

Sipas këtij urdhri, në të gjitha rastet, veprimtaritë jashtëshkollore, ekskursionet etj, të organizuara nga shkollat publike dhe private, do të zhvillohen vetëm në shërbim të procesit mësimor-edukativ, dhe vetëm pas miratimit me shkrim të lejes nga Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore (DAR/ZA) përkatëse.

Për të marrë leje shkolla duhet të paraqesë në DAR/ZA:
a) Mendim me shkrim i departamentit lëndor për objektivin mësimor-edukativ të ekskursionit fazat për realizimin e tij, vendin dhe kohën e zhvillimit të tij;
b) Mendim nga Qeveria e Nxënësve;
c) Mendim nga Bordi i Shkollës;
d) Aprovim me shkrim nga secili prind i nxënësve ekskursionistë;
e) Lista emërore e mësuesve shoqërues të nxënësve dhe përgjegjësia shtetërore e secilit mësues shoqërues;
f) Agjencia përgjegjëse për transportin e nxënësve, akomodimi i tyre, vendmbërritja, licenca si dhe targat e shoferëve të autobusëve. Vendimet financiare të jenë e drejtë vetëm e nxënësve;
g) Vlerësim me shkrim nga dy mësues të dërguar nga shkolla jo më vonë se një javë para kohës së zhvillimit të ekskursionit për vendin ku do të zhvillohet ky ekskursion dhe plotësimin e kërkesave mësimore dhe ato të sigurisë së jetës së nxënësve.
h) Propozimi nga Drejtoria e Shkollës.
Para miratimit të lejes, DAR/ZA-t duhet të garantojnë me përgjegjësi sigurinë e jetës së nxënësve dhe mësuesve nëpërmjet bashkëpunimit edhe me strukturat e rendit, të shëndetësisë e strukturat e tjera që lidhen me mjetet e transportit, fjetjen, ushqimin, etj.

Urdhri i ngjashëm i fillim-vitit 2005, ishte i shkurtër dhe nuk parashikonte të gjitha kërkesat e mësipërme, të domosdoshme për një organizim të aktiviteteve jashtë-shkollore korrekt dhe të kontrolluar nga njësitë rajonale përkatëse të ministrisë së Arsimit.

Në pranverë të 2006-ës MASH nxorri një urdhër tjetër për disiplinimin e këtyre aktiviteteve, i cili udhëzonte të gjitha shkollat për organizime vetëm nga agjensi turistike serioze dhe të specializuara.
Ndërsa sipas urdhrit më të fundit, aktivitetet jashtë-shkollore do të organizohen detyrimisht vetëm nga këto agjensi, ndërsa vendimet financiare përkatëse duhet të jenë vetëm e drejtë e nxënësve dhe jo e mësuesve apo e drejtorëve të shkollave.