Tiranë, më 19 qershor 2007

 

“Shqipëria anglofone”: dyfishohet numri i maturantëve që do japin anglishten si lëndë me zgjedhje

Nisma “Shqipëria anglofone” ka dhënë impaktin e parë: maturantët e këtij viti, që do të japin gjuhën angleze si provim me zgjedhje, janë dyfishi i atyre të vitit të kaluar. Në 13 korrik, kur do të mbahen provimet me zgjedhje, 7 .238 maturantë ose 22% e tyre, do të testohen për zotërimin e anglishtes.

Një vit më parë, këtë provim e dhanë vetëm 2.971 maturantë ose 11% e tyre. Pra, në sajë të favorizimit të anglishtes për pranimin në universitete kemi një dyfishim të numrit brenda vitit.

Ky është edhe efekti i parë i matshëm i nismës “Shqipëria Anglofone”, të lançuar nga ministri i Arsimit dhe Shkencës në mars 2007.

“ Ju e dini që prioritet i kësaj qeverie është që shqiptarët të kenë një zotërim të mirë të gjuhës angleze, - është shprehur ministri në lançimin e kësaj nisme. -Anglishtja është padyshim “lingua franca” e shekullit të 21-të Zotërimi i saj është absolutisht i domosdoshëm, nëse ne si komb duam të përvetësojme shkencat, teknologjinë inovative, dhe të gjitha njohuritë bashkekohore; nëse duam të jemi kompetitivë në ekonominë globale”

Cfarë do të thotë kjo?

Kjo do të thotë se kandidatët që do të përzgjedhin anglishten do të kenë mundësi që rezultati i tyre në provimin me zgjedhje në këtë lëndë të koeficientohet me 1.3 duke arritur kështu një pikaverazh më të lartë.

Kjo është një nga nismat e MASH për këtë lëndë, që favorizon ata kandidatë që janë shumë të mirë në anglisht, një mekanizëm që të rinjtë të mësojnë anglishten apo ta kenë të paktën gjuhë të huaj të dytë, për të qënë sa më kompetitivë në tregun global të punës. Kandidatët e tjerë që nuk kanë një anglishte të mirë apo janë njohës të një gjuhë tjetër të huaj nuk janë të diskriminuar. Ashtu si edhe vitin e kaluar ata duhet të zgjedhin lëndët ku janë më të aftë dhe që janë zgjedhur më tepër nga fakultetet që duan të ndjekin.

Gjuha shqipe

Për herë të parë këtë vit, 30.000 maturantë u testuan në provimin e detyruar të letërsisë, edhe për njohuritë në gjuhën shqipe. Në dekadat e shkuara, ndryshe nga norma botërore, gjuha amtare ishte përjashtuar nga kurrikulat e arsimit të mesëm të përgjithshëm, dhe si pasojë nxënësit nuk testoheshin për gjuhën as në provimet e maturës. Në këtë testim, 20% e kërkesave ishin për gjuhën shqipe, çka tregon vëmendjen e MASH për futjen e gjuhës amtare në srukturën e provimeve të Maturës Shtetërore, e cila në të ardhmen do vijë duke u dimensionuar.

MATURA 2006

Formulare A2

27. 642

Gjithsej Anglisht

2. 971

Ose 11%

MATURA 2007

Formulare A2

32. 302

Gjithsej Anglisht

7. 238

Ose 22%

Nismat e MASH për anglishten

  1. Këtë vit, Anglishtja si lëndë me zgjedhje në Maturën Shtetërore, për të gjitha universitetet publike të vendit, ka koeficientin e lartë 1.3 për pranimet në universitete.
  2. Këtë vit shkollor anglishtja është futur zyrtarisht si gjuhë e huaj e detyruar, edhe në klasat e 3 dhe të 4 me nga dy orë në javë për secilën klasë. Kjo vlen edhe për 2 gjuhët e tjera Frengjishtja dhe Italishtja, por numri i nxënësve që mësojnë anglisht përbëjnë rreth 70% të nxënësve që mësojnë një gjuhë të huaj. Kjo ka sjellë që në vitin shkollor 2006 - 2007 të ketë një rritje prej 7% të nxënësve në mësimin e gjuhës angleze në Ciklin e Ulët.
  3. Përmes reformës së Altertekstit, është bërë e mundur që shtëpitë të huaja botuese të konkurrojnë me tekstet e tjerë, duke pritur të miratohen dhe të futen në përdorim, krahas shtëpive botuese vendase. Një anë tjetër e reformës është përmirësimi i anës metodike të teksteve duke shtuar fletoret e punës, si dhe cilësive teknike të tyre.
  4. Hapja e degës së gjuhës angleze në Universitetin “ A.Moisiu” Durrës, gradualisht do të plotësojë nevojat me mësues të gjuhës angleze. Në këtë vit akademik janë regjistruar afro 100 studentë në këtë degë.
  5. Rritja e numrit të mësuesve të gjuhës angleze:

- Sipas VKM 2 gusht 2006, numri i mësuesve të gjuhës angleze është rritur 65 mësues duke përmirësuar situatën në zonat më problematike.

- ka një propozim për rritje të pagës për mësuesit e gjuhës angleze si për mësuesit e matematikës dhe informatikës. Është parë si stimul për thithjen e sa më shumë mësuesve të gjuhës angleze.