Tiranë, më 27 nëntor 2006

 

Ministri Pollo: Në buxhetin e 2007, 7,4 mln euro për TIK-shkollat.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Genc Pollo ishte sot në ish-shkollën e tij të mesme “Ismail Qemali” në Tiranë. Takimi u organizua nga ish-nxënës dhe ish-mësues të kësaj shkolle që sot janë figura të shquara në politikë e më gjerë.
Ministri i Arsimit gjatë fjalës së tij tha ndër të tjera se:

“Buxheti i vitit 2007 është një buxhet që arsimit i jep një prioritet shumë të madh. Në të janë parashikuar fonde për ndërtime shkollash, për konvikte, për biblioteka, për laboratorë. Dhe të mos harrojmë se jemi në shekullin e 21, shekulli i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, shekulli i TIK-shkollave. Dhe nëse për një gjimnaz të madh si “Ismail Qemali” nuk mjafton një laborator kompjuterësh atëherë duhen 2 të tillë. Por shkolla të tjera me më pak nxënës, duhet të pajisen patjetër me laboratorë dhe buxheti i shtetit i vitit të ardhshëm ka parashikuar 7,4 milion euro fonde vetëm për projektin e TIK-shkollave”

Në këtë takim brezash nxënësit e shkollës prezantuan edhe uniformat e shkollës së tyre e cila përbëhej nga këmishat ngjyrë rozë për vajzat, ngjyrë blu për djemtë, xhinse e atlete, duke iu bashkuar kështu shumë nxënësve në shkolla të tjera në Tiranë, Lushnjë e Kavajë që kanë tashmë një uniformë gjatë mësimit.

I iniciuar në dhjetor të vitit 2005 Masterplani i TIK-Shkollave do të bëjë të mundur edukimin e nxënësve të shkollave 9-vjecare dhe të mesme në njohuritë dhe përdorimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikacionit (ICT Information and Communication Technology; në shqip TIK) si dhe shërbimeve të internetit.
Rreth 1749 shkolla 9-vjeçare dhe 384 shkolla të mesme do të jenë përfituesit kryesorë të këtij projekti.
Programi i informatizimit ka për qëllim t’u mësojë nxënësve aftësitë e duhura në përdorimin e internetit: ata do të mund të përfitojnë nga teknologjitë moderne të informacionit dhe komunikimit në një mënyrë të re, dinamike, gjithashtu edhe argëtuese. Shkollat 9-vjeçare dhe të mesme do të pajisen me laboratorë kompjuterash ndërkohë që është parashikuar në këtë program edhe trajnimi i mësuesve.
Ky program hap dyert për mundësi të reja zhvillimi që Teknologjia e Informacionit dhe Komunikacionit i ofron komunitetit duke e lidhur atë me sektorin privat, shërbimet shoqërore dhe tregun.
Përmes këtij programi do të krijohen Qendra Interneti të cilat do të punojnë edhe pas orëve të mësimit në mënyrë që të përfitojnë jo vetëm nxënësit por edhe gratë, bizneset me qëllim zhvillimin e aftësive të përdorimit të TIK dhe zhvillimit të mëtejshëm ekonomiko-shoqëror.
Ky program do të mobilizojë partnerët dhe burimet e tjera për të siguruar një proces të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm të TIK në shkolla dhe në krijimin e aftësive menaxhuese në mbështetje të laboratorëve shkollorë.
Informatizimi i shkollave është bërthama e zhvillimit dhe kjo do të mbështesë aspiratat e Shqipërisë në integrimin në Bashkimin Evropian duke siguruar edhe standarde të larta në arsim. Për zbatimin e këtij projekti qeveria shqiptare do të kërkojë ndihmën e partnerëve si: komunitetit, universiteteve, shoqërisë civile, sektorit privat dhe Pushtetit Lokal.
Ky program është hartuar në bashkëpunim me UNDP dhe partnerë të tjerë dhe zhvillohet në kuadrin e memorandumit të mirëkuptimit të qeverisë shqiptare me UNDP në katër fusha kooperimi: luftën kundër veprimeve joligjore, bashkëpunimi në reformën e taksave, hyrjen e teknologjisë së komunikimit dhe informacionit në shkolla, iniciativa e thithjes së trurit, mjedisi dhe turizmi.