Ministri Tafaj në Serbi: Bashkëpunimi rajonal në arsim është garancia më e mirë për komunikimin midis vendeve tona.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, mori pjesë në Konferencën e Ministrave të Arsimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me temë “Kompetencat e ndërthurura të mësuesve në shoqëritë e ndryshme demokratike – një vështrim krahasues i zhvillimeve në vendet e Ballkanit Perëndimor”, me ftesë të Ministrit të Arsimit të Serbisë, Z. Zarko Obradovic. Kjo Konferencë u organizua nga Këshilli i Evropës dhe Ministria e Arsimit të Republikës së Sërbisë e u mbajt në Beograd, më 25-26 janar 2010.
Konferenca krijoi mundësi për të diskutuar lidhur me kompetencat, aftësitë, qëndrimet dhe vlerat e mësuesve, me qëllim që të kontribuohet në ndërtimin e shoqërive demokratike, por vëmendja kryesore u përqendrua në kompetencat transversale të mësuesve.
Ministri Tafaj, duke marrë fjalën në konferencë, falenderoi mikëpritësit dhe Këshillin e Evropës për organizimin e kësaj konference, vlerësoi fillimisht, rëndësinë e bashkëpunimit rajonal.
“Qeveria shqiptare – tha Ministri Tafaj- është e angazhuar për forcimin e bashkëpunimit rajonal, çka ndihmon dhe shpejton integrimin evropian të të gjitha vendeve të rajonit në BE, objektiv të cilin, fatmirësisht, e kanë shprehur të gjitha vendet dhe qeveritë e vendeve të rajonit të Ballkanit. Bashkëpunimi i ngushtë rajonal në fushën e arsimit është një ndër rrugët më të sigurta, sepse, në fund të fundit, afron të rinjtë, nxënësit dhe studentët, gjeneratat që janë bartëse të së ardhmes së vendeve tona”.
Më pas Z. Tafaj foli për arsimin, si një nga prioritetet kryesore të programit të qeverisë shqiptare, për dyfishimin e buxhetit për arsimin në 4 vitet e fundit, për reformat e thella të ndërmarra në sistemin arsimor dhe shkencor, dyfishimin e pagave të mësuesve, duke u ndalur, veçanërisht, në edukimin, trainimin dhe ritrainimin e mësuesve, si aktorë kryesorë të reformës në arsim, që ishte edhe tema e konferencës..
Në përfundim, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Z. Myqerem Tafaj cilësoi se rajonit të Ballkanit të sotëm i duhet, më shumë së kurrë, bashkëpunimi i ngushtë sidomos në fushën e arsimit dhe shkencës dhe kjo është garancia më e mirë.
Konferenca e Ministrave të Arsimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kishte si qëllim, të jepte një kontribut të drejtpërdrejtë rajonal në njerën nga temat kryesore të Sesionit të 23-të të Konferencës së Ministrave të Arsimit të Këshillit të Evropës, që do të mbahet në Bërdo të Sllovenisë, më 4-5 qershor 2010, e që do t’u kushtohet politikave të edukimit të mësuesve.
Gjatë dy ditëve të punimeve të konferencës, Ministri i Arsimit dhe Shkencës Z. Myqerem Tafaj pati takime me homologë dhe kryetarë delegacionesh të vendeve të rajonit, me të cilët diskutoi për bashkëpunimin bilateral në fushën e arsimit dhe shkencës dhe mundësitë e zgjerimit të hapësirave të komunikimit në të ardhmen.
Një takim të veçantë Ministri Tafaj pati me Ministrin e Arsimit të Republikës së Sërbisë, z. Zarko Obradovic. Pasi e falenderoi për pritjen dhe organizimin e konferencës, z. Tafaj i shprehu homologut të tij serb, vullnetin dhe gatishmërinë e qeverisë shqiptare për rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit midis dy qeverive. Në këtë kuadër, ai theksoi se arsimi dhe shkenca janë fusha ku mund të gjenden hapësira të mjaftueshme për përmirësimin dhe rritjen e bashkëpunimit bilateral dhe shprehu interesin për nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërqeveritare për njohjen reciproke të diplomave, drafti i ri i së cilës i është dorëzuar palës serbe në fund të vitit 2009.
Ministri serb i Arsimit Z. Obradovic, e falenderoi z. Tafaj për pjesëmarrjen dhe kontributin në punimet e konferencës dhe, pasi bëri një prezantim të shkurtër të zhvillimeve në sistemin arsimor serb, shprehu edhe ai gadishmërinë për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e arsimit.
Në takimin bilateral të zhvilluar me Ministrin e Arsimit të Republikës së Serbisë ishte i pranishëm dhe Ambasadori ynë në Beograd, z. Shpëtim Çaushi.
Pjesëmarrja e delegacionit shqiptar në Konferencën e Ministrave të Arsimit të Ballkanit Perëndimor, të kryesuar nga Ministri Tafaj, ngjalli interesim në median e shkruar dhe vizive. Z. Tafaj pati edhe disa intervista për kanale të ndryshme televizive të Serbisë, si dhe për radiostacione vendase dhe të huaja, ku foli për rëndësinë e konferencës, nevojën dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë rajonal, si dhe për rritjen dhe forcimin e bashkëpunimin bilateral në fushën e arsimit dhe shkencës me vende të ndryshme të rajonit të Ballkanit.
|
|