Shqipëri-Poloni, firmoset Programi i Bashkëpunimit për Arsimin e Lartë dhe Shkencën
Bursa studimi, kurse verore të gjuhës dhe shkëmbime specialistësh, janë disa nga pikat e Programit të Bashkëpunimi 4-vjeçar mes Qeverisë tonë dhe Qeverisë së Republikës së Polonisë, të nënshkruar sot nga ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Genc Pollo dhe ministri i Shkencës dhe Arsimit të Lartë polak z. Michal Sewerinsky.
Programi i Bashkëpunimit bazohet në parimet e Marrëveshjes së përfunduar midis dy vendeve për bashkëpunimin kulturor dhe akademik, të nënshkruar në Varshavë, në 4 Maj 1993. Qëllimi është zhvillimi dhe thellimi i bashkëpunimit në fushën e shkencës dhe arsimit të lartë me bindjen se bashkëpunimi në këto fusha do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy shteteve.
Fushat e bashkëpunimit
Shqipëria dhe Polonia do të iniciojnë dhe mbështesin zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e shkencës, teknologjisë dhe arsimit të lartë, duke i kushtuar vëmendje të veçantë çështjeve:
- Konsultimeve dhe zgjidhjes së problemeve, që lidhen me zhvillimin e arsimit të lartë dhe shkencën;
- Mbështetjes së bashkëpunimit të drejtpërdrejtë midis institucioneve të arsimit të lartë të të dy palëve;
- Pjesëmarrjes në konferenca të përbashkëta, simpoziume dhe seminare shkencore;
- Shkëmbimit të literaturës së specializuar, botimeve dhe revistave.
- Shkëmbimit të informacionit në fushën e kërkimit dhe zhvillimit.
- Palët do të përcaktojnë fushat e bashkëpunimit teknologjik dhe akademik; do të mbështesin zbatimin e programeve dhe projekteve kërkimore dhe shkencore të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave dhe përgatitjen e propozimeve për zhvillimin në të ardhmen të këtij bashkëpunimi; do të sigurojnë shkëmbimin e specialistëve si dhe shkëmbimin e përvojave, që lidhen me reformat e sistemit të arsimit të lartë, shkencës dhe teknologjisë.
Bursat
Pala polake do të pranojë, çdo vit, 12 studentë universitarë dhe doktorantë shqiptarë, për të ndjekur studime universitare ose studime për doktoraturë falas, në shkollat e larta publike në Poloni.
Nga ana tjetër, pala shqiptare do të pranojë, çdo vit, studentë dhe doktorantë nga Republika e Polonisë, për të kryer studime ose forma të tjera shkollimi, si dhe do të pranojë pedagogë akademikë.
Për sa i përket studimit të gjuhëve shqip dhe polonisht, palët, sipas këtij programi, do të ofrojnë shkëmbimin e studentëve të gjuhës shqipe dhe polake, si dhe të pedagogëve akademikë, specialistëve të gjuhës dhe letërsisë shqipe e polake, me synimin për të ndjekur çdo vit kurset verore të gjuhëve.
|
|