Vetëm një vit Altertekst, në tregun shkollor 155 tekste alternativë ose 7 herë më shumë se vjet.
Bordi i Miratimit të Teksteve (BOMIT) përfundon miratimin e ofertave te paraqitura.
Vitin shkollor 2007-2008 do të jenë prezent në tregun shkollor 155 tekste alternativë nga 23 tekste që u miratuan vitin e kaluar, që ishte edhe viti i parë i Altertekstit.
Rritet oferta e teksteve shkollore për arsmin bazë dhe të mesëm. Kjo shifër flet mirë ndër të tjera edhe për rritjen e konkurrencës, të cilësisë së këtyre teksteve dhe uljes së çmimit.
28 shtëpi botuese paraqitën 234 tekste dhe prej tyre u miratuan 130 tekste.
Vlerësimi i ofertave te paraqitura që behet në bazë të kurrikulës zyrtare, cilësive teknike, të çmimit, anës gjuhësore dhe shkencore u realizua nga 250 mësues, profesorë dhe gjuhëtarë.
Vjet maksimumi i teksteve alternativë për një titull lënde ishte deri në tre tekste. Këtë vit ky numër arrin deri në 6 tekste për një titull lënde.
Këtë vit, përveç klasave të treta dhe të shtata të arsimit bazë janë pajisur me tekste alternativë edhe klasat e 4 dhe të 8, (38 tituj me tekste alternativë) si dhe 10 nga lëndët e viteve të II, III dhe i IV të arsimit të mesëm.
Efektet kryesore të reformës:
1. Arritja pranë standardeve evropiane të cilësisë të teksteve shkollore për një cikël 3-4 vjeçar. Po kështu edhe ulja e çmimeve përkatës në rrjedhim të konkurrencës në treg.
2. Përmes Altertekstit, objekt i vlerësimit a shpërblimit financiar është truri. Autorët e teksteve krahas botuesve janë ata që përfitojnë më shumë nga kjo reformë.
3. Me anën e Altertekstit mësuesi bëhet vendimmarrës në përzgjedhjen e tekstit me të cilin do të punojë. Kjo zhvillon edhe autonominë shkollore.
4. Së fundmi Alterteksti që përdoret gjerësisht në Bashkimin Evropian i jep fund kapitullit të përfolur të tenderëve me shtypshkronjat.
Sistemi i vjetër ofronte një gënjeshtër, pasi pohohej se tekstet në shkollën bazë ofroheshin falas, por afro gjysma e prindërve detyrohej të blinte librat jo cilësorë në treg të zi.
Reforma e Altertekstit është përmendur në progresraportin për Shqipërinë të Komisionit Evropian të publikuar në nëntor 2006. "
Alterteksti
Vendimi i Këshillit të Ministrave në 8 mars të vitit 2006, zyrtarizoi mënyrën e re dhe reformën në sigurimin e teksteve shkollore, Altertekst si dhe ngritjen e Bordit të Miratimit të Teksteve pranë MASH i cili shqyrton paraprakisht të gjitha tekstet e propozuara nga botuesit dhe certifikon prej tyre, ato që do t'i paraqiten shkollës për përzgjedhje sipas kritereve të përmbajtjes, të cilësive teknike dhe të çmimit . Thelbi i reformës është çlirimi nga monopoli dhe krijimi i tregut të teksteve i mbështetur në konkurrencën e subjekteve private që i përgatisin këto tekste.
Si është zhvilluar procesi i miratimit për fazën e parë?
Vendimi për tekstet shkollore parashikon se këto tekste nuk sigurohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, por nga rrjeti i botuesve privatë që do të thotë se të drejtën e përzgjedhjes e ka mësuesi, që e përdor tekstin me nxënësit e tij. Për këtë qëllim, lejohet që, në vend të një teksti të detyruar nga Ministria, mësuesit t'i paraqiten variante të ndryshme të përgatitura nga botues privatë, prej të cilave ai përzgjedh. Për më tepër fondet e subvencionit shtetëror për tekstet shkollore nuk shkojnë për të financuar prodhuesit e teksteve, por kalojnë në dorën e përdoruesve të teksteve, d.m.th. shkollave.
Nuk do ketë “tekst fitues” të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, por tekste alternativë për një titull, të certifikuar nga Bordi i Miratimit të Teksteve (BOMIT) pranë MASH.
Për vlerësimin e cilësisë së përmbajtjes së teksteve, BOMIT përzgjodhi një numër të madh specialistësh dhe mësuesish me të cilët u krijuan grupet e komisionerëve ( GRUK ) sipas lëndëve. BOMIT është angazhuar posaçërisht që tekstet e miratuara të kenë tregues të lartë të anës shkencore dhe gjuhësore, duke synuar kështu të japë një mesazh për nevojën e sigurimit të cilësisë në këto dy aspekte. Prandaj, përveç mësuesve që u përzgjodhën për vlerësimin e aspekteve metodike të përmbajtjes, në secilin GRUK bënin pjesë edhe pedagogë, për shqyrtimin e anës shkencore të përmbajtjes, si dhe gjuhëtarë të nivelit të pedagogut për shqyrtimin e anës gjuhësore.
Komisionerët u trajnuan për disa ditë me radhë nga Qendra e Trajnimit dhe Kualifikimit për Arsimin (QTKA) për të kuptuar thelbin e reformës, idetë e vlerësimit dhe teknikat përkatëse. Caktimi i Komisioneve të Vlerësimit të Teksteve ( KOMT ) u bë me short nga BOMIT , duke u përqendruar te GRUK -et e ngritura. Më tej, vijoi procesi i vlerësimit të teksteve nga KOMT -et, sipas një sistemi me rregulla që siguronin fshehtësi dhe pamundësi komunikimi të komisionerëve gjatë procesit të punës për vlerësimin e teksteve.
Në përfundim të krejt procesit për këtë fazë të parë, BOMIT , i mbështetur dhe në punën e KOMT -ve, miratoi rreth 56% të teksteve të shqyrtuara. |