Tiranë, më 23 prill 2008

 

Altertekst 3, miratohen tekstet për vitin e ardhshëm shkollor

Bordi i Miratimit të Teksteve (BOMIT) pranë MASH përfundon vlerësimin e teksteve të paraqitur nga shtëpitë botuese për këtë vit shkollor.

24 shtëpi botuese ofruan fillimisht 169 tekste, nga të cilat BOMIT miratoi për vitin 2008-2009,

104 tekste alternativë .

Sipas Altertekst vlerësimi i ofertave te paraqitura bëhet në bazë të kurrikulës zyrtare, cilësive teknike, të çmimit, anës gjuhësore dhe shkencore; një proces që u realizua nga rreth 200 mësues, profesorë dhe gjuhëtarë.

Mesatarisht një titull lënde do të ketë deri në 3 tekste alternativë, ndër të cilët vetë mësuesët do të zgjedhin më të përshtatshmin për nxënësit e tyre.

Këtë vit, janë pajisur me tekste të reja edhe klasat e 5-ta dhe të 9-ta.

Efektet kryesore të reformës:

1. Arritja pranë standardeve evropiane të cilësisë të teksteve shkollore për një cikël 3-4 vjeçar. Po kështu edhe ulja e çmimeve përkatës në rrjedhim të konkurrencës në treg.
2. Përmes Altertekstit, objekt i vlerësimit a shpërblimit financiar është truri. Autorët e teksteve krahas botuesve janë ata që përfitojnë më shumë nga kjo reformë.
3. Me anën e Altertekstit mësuesi bëhet vendimmarrës në përzgjedhjen e tekstit me të cilin do të punojë. Kjo zhvillon edhe autonominë shkollore.
4. Së fundmi Alterteksti që përdoret gjerësisht në Bashkimin Evropian i jep fund kapitullit të përfolur të tenderëve me shtypshkronjat.

Sistemi i vjetër ofronte një gënjeshtër, pasi pohohej se tekstet në shkollën bazë ofroheshin falas, por afro gjysma e prindërve detyrohej të blinte librat jo cilësorë në treg të zi.

Altertekst

Vendimi i Këshillit të Ministrave në 8 mars të vitit 2006, zyrtarizoi mënyrën e re dhe reformën në sigurimin e teksteve shkollore, Altertekst si dhe ngritjen e Bordit të Miratimit të Teksteve pranë MASH i cili shqyrton paraprakisht të gjitha tekstet e propozuara nga botuesit dhe certifikon prej tyre, ato që do t'i paraqiten shkollës për përzgjedhje sipas kritereve të përmbajtjes, të cilësive teknike dhe të çmimit . Thelbi i reformës është çlirimi nga monopoli dhe krijimi i tregut të teksteve i mbështetur në konkurrencën e subjekteve private që i përgatisin këto tekste.

Vendimi për tekstet shkollore parashikon se këto tekste nuk sigurohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, por nga rrjeti i botuesve privatë që do të thotë se të drejtën e përzgjedhjes e ka mësuesi, që e përdor tekstin me nxënësit e tij. Për këtë qëllim, lejohet që, në vend të një teksti të detyruar nga Ministria, mësuesit t'i paraqiten variante të ndryshme të përgatitura nga botues privatë, prej të cilave ai përzgjedh. Për më tepër fondet e subvencionit shtetëror për tekstet shkollore nuk shkojnë për të financuar prodhuesit e teksteve, por kalojnë në dorën e përdoruesve të teksteve, d.m.th. shkollave.

Nuk do ketë “tekst fitues” të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, por tekste alternativë për një titull, të certifikuar nga Bordi i Miratimit të Teksteve (BOMIT) pranë MASH.

Për vlerësimin e cilësisë së përmbajtjes së teksteve, BOMIT përzgjodhi një numër të madh specialistësh dhe mësuesish me të cilët u krijuan grupet e komisionerëve ( GRUK ) sipas lëndëve. BOMIT është angazhuar posaçërisht që tekstet e miratuara të kenë tregues të lartë të anës shkencore dhe gjuhësore, duke synuar kështu të japë një mesazh për nevojën e sigurimit të cilësisë në këto dy aspekte. Prandaj, përveç mësuesve që u përzgjodhën për vlerësimin e aspekteve metodike të përmbajtjes, në secilin GRUK bënin pjesë edhe pedagogë, për shqyrtimin e anës shkencore të përmbajtjes, si dhe gjuhëtarë të nivelit të pedagogut për shqyrtimin e anës gjuhësore.

Komisionerët u trajnuan për disa ditë me radhë nga Instituti i Kualifikimit dhe Trajnimeve për të kuptuar thelbin e reformës, idetë e vlerësimit dhe teknikat përkatëse. Caktimi i Komisioneve të Vlerësimit të Teksteve ( KOMT ) u bë me short nga BOMIT , duke u përqendruar te GRUK -et e ngritura. Më tej, vijoi procesi i vlerësimit të teksteve nga KOMT -et, sipas një sistemi me rregulla që siguronin fshehtësi dhe pamundësi komunikimi të komisionerëve gjatë procesit të punës për vlerësimin e teksteve.