Tiranë, më 5 Shtator 2007

 

Refuzon disa herë inspektimet e Ministrisë,  i pezullohet leja për një vit shkollës private "Udha e Shkronjave"

Drejtuesi i një shkollë private në Tiranë refuzon tre herë radhazi inspektimet e ministrisë së Arsimit dhe Drejtorisë Arsimore. Akti i paprecedent ka ndodhur në shkollën 9-vjeçare private “Udha e e Shkronjave”. rr Mujo Ulqinaku nr. 44, Tiranë  me drejtor, pronarin e shkollës z. Artur Shkurti.

Drejtoria Arsimore Rajonale (DAR) e Tiranës është paraqitur në këtë shkollë për inspektim me qëllim “vlerësimin e realizimit të objektivave vjetore të shkollës referuar rezultateve vjetore dhe vlerësimin e cilësisë së organizimit dhe menaxhimit të shkollës nga stafi drejtues për shërbimin që ofron shkolla”. Por ky ekip është kundërshtuar dhe sulmuar verbalisht nga z. Shkurti, i cili nuk e ka lejuar realizimin e inspektimit.

Një ditë më vonë është tentuar sërish inspektimi (edhe me zyrtarë të MASH përveç atyre te DAR-it ) por z. Shkurti sërish i ka kundërshtuar dhe ndaluar. Për më tepër në të dy rastet ai ka fyer inspektorët në detyrë.  

Në këto rrethana MASH i ka dërguar një shkresë zyrtare shkollës ku i ka shpjeguar se  pengimi i inspektimit është një shkelje e rëndë dhe me pasojat e legjislacionit arsimor por edhe e Kodit Penal (neni 235 kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore) dhe i ka kërkuar z. Shkurti të lejojë inspektimin duke e njoftuar për datën e tij.  

Pas kësaj shkrese ekipi i inspektimit është riparaqitur pas pesë ditësh në shkollën “Udha e Shkronjave” për realizimin e inspektimit, por ka hasur në kundërshtimin e z. Shkurti.

DAR Tiranë dhe Drejtoria e Inspektimit në  MASH në vijim të këtyre ndodhive i kanë propozuar ministrit tre opsione: gjobë, pezullim të aktivitetit për 1 vit apo heqje të licensës, për të cilat ministri i Arsimit dhe Shkencës ka vendosur të marrë parasysh të dytën.

MASH deklaron se zbatimi i ligjshmërisë në arsim është angazhim që nuk mund të pengohet nga askush dhe do të zbatohet në mënyrë parimore. 

----

Bëjmë të ditur se qëndrimet dhe reagimet e përsëritura të z. Artur Shkurti, drejtues i IAP “Udha e Shkronjave”, përbëjnë shkelje të dispozitave ligjore dhe nënligjore:

  1. Neni 47 të ligjit Nr. 7952, datë 21.06.1995 “Për Sistemin Arsimor

Parauniversitar”, i ndryshuar me ligjin Nr.8387, datë 30.07.1998 “Për disa ndryshime në ligjin Nr. 7952, datë 21.06.1995 “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar”, i cili pohon se:

“Ministria e Arsimit dhe organet arsimore në rrethe kontrollojnë periodikisht procesin mësimor laik në shkollat private për të verifikuar realizimin e kërkesave të planit e të programeve mësimore të miratuara nga Ministria e Arsimit.”

  1. Pikat 2, paragrafi i fundit, dhe 3 të kreut të III të Udhëzimit të MASh Nr. 23, datë 18.10.2005, “Për kriteret dhe procedurat e dhënies së lejes së funksionimit për institucionet arsimore private dhe institucionet arsimore plotësuese private parauniversitare”, i cili pohon se:

Pika 2 : “Materialet duhet t'ju vihen në dispozicion organeve kontrolluese kompetente.”

Pika 3 : “Moszbatimi apo mosrealizimi i këtyre detyrimeve si dhe mosdhënia apo fshehja e këtyre informacioneve, ndaj organeve

kontrolluese kompetente, të cilat do të verifikojnë apo kontrollojnë

funksionimin dhe mbarëvajtjen e këtyre institucioneve arsimore, përbën kundravajtje administrative. Kundravajtëit, në çdo rast dënohen me gjobë, siç është parashikuar në ligj ose me heqje të lejës së dhënë.”

  1. Nenin 235 “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, i cili përcakton se:”Kundërshtimi që i bëhet një punonjësi që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, më qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën apo shërbimin sipas ligjit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj....”