Tiranë, më 2 korrik 2007

 

Përparon Masterplani TIK-Shkolla

Kina dhuron 1.400 kompjutera për shkollat e mesme

Kryeministri z. Sali Berisha, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Genc Pollo dhe ambasadori i Republikës Popullore të Kinës, z. Tian Changchun, ishin sot në shkollën e mesme “Aleks Buda” në Tiranë, për inagurimin e laboratorit të ri të kompjuterave në këtë shkollë.

Por ky laborator nuk do të jetë i vetmi; Republika Popullore e Kinës i ka dhuruar qeverisë sonë 1.360 kompjutera me një vlerë rreth 1 mln euro, pjesë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis dy vendeve.

Ky donacion do të shkojë për ndërtimin e rreth 90 laboratorëve të rinj të kompjuterave në shkollat e mesme, në përmbushje të Masterplanit të MASH dhe qeverisë TIK-Shkolla.

Masterplani TIK-Shkolla

I iniciuar në dhjetor të vitit 2005, Masterplani TIK-Shkolla ka për synim edukimin e nxënësve të shkollave bazë dhe të mesme në njohuritë dhe përdorimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikacionit (ICT Information and Communication Technology; në shqip TIK) si dhe shërbimeve të internetit. Masterplani ka për qëllim t'u mësojë nxënësve aftësitë e duhura në përdorimin e internetit: ata do të mund të përfitojnë nga teknologjitë moderne të informacionit dhe komunikimit në një mënyrë të re, dinamike, gjithashtu edhe argëtuese. Shkollat bazë dhe të mesme do të pajisen me laboratorë kompjuterash ndërkohë që është parashikuar në këtë program edhe trajnimi i mësuesve.

Buxheti i shtetit për vitin 2007, ka parashikuar 7,4  milion euro fonde vetëm për TIK-shkollat . Por për zbatimin e këtij projekti qeveria shqiptare ka kërkuar edhe ndihmën e partnerëve si: komunitetit, universiteteve, shoqërisë civile, sektorit privat dhe Pushtetit Lokal.

Brenda Masterplanit përmendim edhe programin “adopto një shkollë”, ku janë ftuar për të kontribuar të gjithë partnerët e MASH, donatorë vendas e të huaj. Sipas këtij programi, një donator mund të marrë përsipër një shkollë, pajisjen e saj me laborator kompjuterash, lidhjen me internet si dhe mirëmbajtjen për tre ose më shumë vjet. “Paketat e adoptimit” kanë qenë të bazuara në tipin e shkollës, por edhe vetëm për një pjesë të paketës. (Për laboratorët me 15 kompjutera, kostoja e përafërt është llogaritur në vlerën 15.000 USD ndërsa për laboratorët me 7 komjutera afro 8.000 USD.)

 

Rreth 1749 shkolla bazë dhe 384 shkolla të mesme deri në përfundim të projektit, pritet të jenë përfituesit kryesorë të këtij projekti.

Ky program hap dyert për mundësi të reja zhvillimi që Teknologjia e Informacionit dhe Komunikacionit i ofron komunitetit duke e lidhur atë me sektorin privat, shërbimet shoqërore dhe tregun; përrmes këtij programi do të krijohen Qendra Interneti të cilat do të punojnë edhe pas orëve të mësimit në mënyrë që të përfitojnë jo vetëm nxënësit por edhe gratë, bizneset me qëllim zhvillimin e aftësive të përdorimit të TIK dhe zhvillimit të mëtejshëm ekonomiko-shoqëror.Informatizimi i shkollave është bërthama e zhvillimit dhe kjo do të mbështesë aspiratat e Shqipërisë në integrimin në Bashkimin Evropian duke siguruar edhe standarde të larta në arsim.

Ky program është hartuar në bashkëpunim me UNDP dhe partnerë të tjerë.