Tiranë, më 18 shkurt 2009

 

Firmoset kontrata MASH-ALBTELEKOM, të gjitha shkollat pajisen me internet

Të gjitha shkollat në të gjithë vendin do të pajisen për herë të parë me shërbimin e internetit.

Në kuadrin e programit “Cilësi dhe Barazi në Arsim” u nënshkrua në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës kontrata për instalimin e shërbimit të internetit në të gjitha shkollat bazë dhe të mesme me prezencën e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës z. Fatos Beja dhe Drejtorit të Albtelekom z. Mustafa Arkdogan. 

Kontrata me vlerë 1.051.814.40 USD do të pajisë me shërbim interneti në tre muajt e ardhshëm të gjitha shkollat të mesme dhe bazë në çdo rreth të vendit.

Ministri Beja u shpreh se me këtë kontratë përmbyllet një fazë e rëndësishme e projektit madhor të MASH, TIK-shkolla.

“Me instalimin e internetit për një periudhë kohore të shkurtër-, tha Ministri, - do të shfrytëzohen me mijëra kompjuter që ne kemi shpërndarë ditët e fundit në të gjitha shkollat e Shqipërisë. Është realisht një arritje për shkollarët e Shqipërisë, për familjarët e tyre, për të gjithë ne si qytetarë. Ne duam që fëmijët tanë të jenë në avangardë të vendeve evropiane sot.

Jemi të gëzuar që kemi arritur të nënshkruajmë një kontratë me kushte shumë të favorshme për MASH dhe me një kompani që ne besojmë se do ti përmbushë të gjitha detyrimet që ka në kontratë dhe në mënyrë të tillë që të gjithë nxënësit të përfitojnë prej këtij shërbimi.

Unë dua të uroj drejtorin e përgjithshëm që ka fituar këtë tender me një diferencë të madhe nga pozicioni i dytë. Njëkohësisht dua të uroj që zbatimi i kontratës të jetë i suksesshëm deri në fund.”

Ndërsa z. Arkdogan pasi falenderoi bashkëpunimin me MASH tha: “Jam shumë i nderuar dhe shumë i lumtur që jemi ne fituesit e këtij tenderi dhe që do të kontribuojmë për modernizimin e sistemit arsimor shqiptar. Një nga misionet e Albtelekom është për t'i shërbyer sistemit arsimor, shkollës shqiptare në përgjithësi. Ashtu siç e përmendi pak më parë edhe z. Ministër, do të mundohemi që në një kohë rekord, të çojmë shërbimin e internetit në të gjitha shkollat. Një nga realitetet e shekullit 21 që është interneti. Do të mundohemi ta bëjmë të mundur e të prekshëm për të gjithë nxënësit shqiptarë, duke bashkëpunuar ngushtë me MASH për ta realizuar me sukses këtë projekt.”