Banka Botërore mbështet barazinë dhe cilësinë në sistemin arsimor shqiptar. Në 6 korrik 2006, në Ministrinë e Financave u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes Financiare midis Qeverisë Shqiptare dhe Bankës Botërore për lëvrimin e një kredie prej 15 milionë dollarësh për financimin e Projektit për Cilësi dhe Barazi në Arsim (EEE-P) në Shqipëri. Në emër të Qeverisë Shqiptare Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Financave z. Ridvan Bode dhe për Bankën Botërore nga përfaqësuesi i saj në Tiranë, z. Nadir Mohammed. Në ceremoninë e nënshkrimit asistoi dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Genc Pollo.
Projekti “Cilësi dhe Barazi në Arsim” është përgatitur nga Qeveria Shqiptare në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe do të ndihmojë në zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Arsimit. Objektivi kryesor i projektit është të përmirësojë cilësinë e kushteve të të nxënit për të gjithë nxënësit, të rrisë frekuentimin në arsimin e mesëm të përgjithshëm dhe të nisë reformën për arsimin e lartë.
Kostoja totale e projektit parashikohet të jetë 75 milionë dollarë dhe do të bashkëfinancohet nga Banka Botërore (15 milionë dollarë), Banka Evropiane e Investimeve (15 milionë dollarë), Banka e Investimeve të Këshillit të Evropës (15 milionë dollarë) dhe nga Qeveria Shqiptare (30 milionë dollarë).
Në kuadrin e programit të Qeverisë për ruajtjen e zhvillimit ekonomik, ngushtimit të pabarazive rajonale dhe anëtarësimit në BE, sfida kryesore në sektorin e arsimit është zhvillimi i një sistemi dhe institucioneve që përgatisin kuadro që funksionojnë me efikasitet në tregjet e punës, që bëhen qytetarë aktivë dhe kontribuojnë në forcimin e konkurueshmërisë shqiptare. Ky projekt do të rrisë cilësinë e arsimit në të gjitha nivelet dhe do të garantojë vijueshmërinë e reformave të kohëve të fundit në sektorin e arsimit.
Në projektin “Cilësi dhe Barazi në Arsim” do të përdoret për herë të parë një qasje mbarësektoriale (SWAp) në Shqipëri. Strategjia Kombëtare e Arsimit përbën bazën e këtij projekti dhe kësaj qasjeje. Qeveria do të organizojë takime gjashtëmujore në muajt maj dhe tetor të çdo viti për të paraqitur Programin e Reformës Vjetore dhe për të rishikuar ecurinë e tij. Parashikohet që një qasje mbarësektoriale të forcojë pronësinë e programit të reformave nga ana e qeverisë, të lehtësojë bashkëpunimin dhe koordinimin midis partnerëve të zhvillimit dhe të forcojë kapacitetin manaxherial të sistemit arsimor.
Projekti përfshin fushat e mëposhtme prioritare: 1) fuqizimin e lidershipit, manaxhimit dhe qeverisjes së sistemit arsimor; 2) përmirësimin e kushteve të mësimdhënies dhe të nxënit; 3) përmirësimin dhe racionalizimin e infrastrukturës arsimore; dhe 4) përgatitjen e terrenit për reformën në arsimin e lartë.
|