Tiranë, më 3 korrik 2007

Memorandumi MASH-British Council për një anglishte profesionale më afër tregut të punës

 

Një anglishte profesionale për tregun e punës, quhet projekti më i ri mes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe British Council Albania, sipas një Memorandumi Bashkëpunimi të nënshkruar sot në MASH nga ministri z. Genc Pollo dhe drejtoresha e British Council Albania znj. Joan Barry

Projekti “Anglishtja për Botën e Punës” do të zhvillohet në dy shkolla pilot në Tiranë, shkolla ekonomike 5-vjeçare dhe shkolla e mesme profesionale Hoteleri-Turizëm 3+2 vjecare dhe qëllimi është mësimi i gjuhës angleze në bazë të metodave të njohura evropiane dhe amerikane dhe mësimi i një anglishteje “zhargon”, më afër tregut të punës.

“Në vijim të nismës “Shqipëria Anglofone”, tha sot ministri Pollo,  - bashkë me drejtoreshën e “British Council” të Shqipërisë, znj. Johan Barry, ne po nënshkruajmë këtë Memoradum Mirëkuptimi. Kjo është marrëveshja e parë me një partner të huaj në vijim të nismës Shqipëria Anglishtfolëse;  ne synojmë që përmes tij,  nxënësit e Arsimit  Profesional të jenë të aftë ta përdorin mirë këtë gjuhë, në fushën ku ata operojnë, një gjuhë e domosdoshme për të qënë kompetitivë në tregun e punës, si në rang individual ashtu edhe në vend.

Mendoj që do të shërbejë shumë për shkollat tona profesionale dhe për të mësuar nxënësit e këtyre shkollave, që ta përdorin shumë mirë gjuhën angleze në zotërimin e sektorit të tyre, të disiplinës përkatëse apo të zanatit që ata përftojnë në këto shkolla.

Prandaj do të doja të falenderoja znj. Barry për mbështetejen që i ka dhënë këtij projekti, si dhe qeverinë britanike si financuese, mbështetëse e Këshillit Britanik, për këtë bashkëpunim shumë të mirë, i cili sot arrin vërtet një fazë të re dhe shumë të rëndësishme me këtë projekt.”

Projekti “Gjuha Angleze në Tregun e Punës” synon

· Përmirësimin e kurrikulës shkollore të gjuhës Angleze për shkollat profesionale 5-vjeçare.

· Krijimin e një përvoje të mirë në hartimin e kurrikulës në bazë shkolle. Veprimtaritë që do të zbatohen nga vetë shkollat synojnë lidhje te shkollave me tregun e punës, nevojën e nivelit të njohjes dhe përdorimit të gjuhës angleze, gjetjen dhe përgatitjen e materialeve autentike për përdorimin e gjuhës angleze në tregun Shqiptar të punës, përgatitjen e materialeve dhe përdorimi i tyre në shkollat përkatëse.

· Trajnimin e mësuesve të gjuhës angleze në këto shkolla dhe mundësinë për shkëmbim përvoje midis mësuesve të shkollave profesionale

Memorandumi i Mirëkuptimit

Kjo marrëveshje që do të nënshkruhet synon të qartësojë rolet dhe përgjegjësitë e MASH dhe Këshillit Britanik gjatë zbatimit të Projektit “Anglishtja për Botën e Punës” në dy shkolla të mesme profesionale në Tiranë “ Shkollën Ekonomike dhe shkollën e “ Hoteleri Turizmit”

Këshillit Britanik në këtë projekt synon të:

· Sigurojë konsulencë dhe drejtimin e projektit nga një konsulent ndërkombëtar me përvojë në fushën e Gjuhës Angleze për tregun e punës.

· Sigurojë ko-ordinimin midis aktorëve të përfshirë në projekt

· Sigurojë akses ndaj praktikave dhe përvojave ndërkombëtare

· Sigurojë mbështetje, drejtim dhe burime materiale për shkollat në projekt për një zbatim të mirë të tij

· Sigurojë planin e veprimeve, monitorimin dhe vlerësimin e duhur të projektit

· Sigurojë një plan shtrirjeje të projektit në shkolla të tjera.

MASH përmes Drejtorisë së Kurrikulës, Sektorit të Arsimit Profesional, Institutit të Kurrikulës dhe Standarteve dhe DAR Tiranë do të :

· Sigurojë informacionin e duhur në lidhje me reformën dhe strategjitë e zhvillimit të arsimit profesional

· Sigurojë ekspertizë dhe këshillim për anën kurrikulare të zbatimit të projektit

· Sigurojnë një mbarëvajtje të projektit gjatë gjithë fazave të tij

· Sigurojnë zbatimin sipas planit të veprimtarive duke mënjanuar çdo vështirësi të mundshme

· Sigurojë që shkollat dhe mësuesit e gjuhës angleze të kenë të gjitha mundësitë për zbatimin e projektit sipas planit të veprimtarive duke u mundësuar mbështetjen për bashkëpunim me tregun e punës për hartimin e materialeve dhe metodologjive të reja në këtë drejtim.

· Informojnë periodikisht për ecurinë e projektit

· Sigurojë këshillim për shtrirjen e projektit në shkolla të tjera.

Ky projekt do t'ju krijojë nxënësve me shumë mundësi për të kuptuar rëndësinë e të mësuarit të gjuhës angleze,

Nxënësit

· do të përgatiten më mirë për botën e punës,

· do të kenë më shumë mundësi për të punuar në skuadër dhe të tregojnë aftësitë e tyre për të hyrë në tregun e punës,

· dhe do të zhvillojnë aftësitë komunikuese në gjuhën angleze .

Nismat e tjera të MASH për anglishten

1. Këtë vit, Anglishtja si lëndë me zgjedhje në Maturën Shtetërore, për të gjitha universitetet publike të vendit, ka koeficientin e lartë 1.3 për pranimet në universitete.

2. Këtë vit shkollor anglishtja është futur zyrtarisht si gjuhë e huaj e detyruar, edhe në klasat e 3 dhe të 4 me nga dy orë në javë për secilën klasë. Kjo vlen edhe për 2 gjuhët e tjera Frengjishtja dhe Italishtja, por numri i nxënësve që mësojnë anglisht përbëjnë rreth 70% të nxënësve që mësojnë një gjuhë të huaj. Kjo ka sjellë që në vitin shkollor 2006 - 2007 të ketë një rritje prej 7% të nxënësve në mësimin e gjuhës angleze në Ciklin e Ulët.

3. Përmes reformës së Altertekstit, është bërë e mundur që shtëpitë të huaja botuese të konkurrojnë me tekstet e tjerë, duke pritur të miratohen dhe të futen në përdorim, krahas shtëpive botuese vendase. Një anë tjetër e reformës është përmirësimi i anës metodike të teksteve duke shtuar fletoret e punës, si dhe cilësive teknike të tyre.

4. Hapja e degës së gjuhës angleze në Universitetin “ A.Moisiu” Durrës, gradualisht do të plotësojë nevojat me mësues të gjuhës angleze. Në këtë vit akademik janë regjistruar afro 100 studentë në këtë degë.

5. Rritja e numrit të mësuesve të gjuhës angleze:

- Sipas VKM 2 gusht 2006, numri i mësuesve të gjuhës angleze është rritur 65 mësues duke përmirësuar situatën në zonat më problematike.

- ka një propozim për rritje të pagës për mësuesit e gjuhës angleze si për mësuesit e matematikës dhe informatikës. Është parë si stimul për thithjen e sa më shumë mësuesve të gjuhës angleze