Ministri Pollo: Shqipëria në FP7, kontributi më i rëndësishëm i shtetit për shkencën shqiptare në këto 17 vitet e fundit
Shqipëria, që prej dhjetorit 2007, është vend me statusin “i Asociuar” në programin më të madh të Komisionit Evropian për kërkimin shkencor FP7. Me qëllim informimin e kërkuesve apo shkencëtarëve të rinj shqiptarë rreth këtij programi dhe mënyrat e aplikimit, u organizua sot nga MASH një konferencë, Ditë Informimi për Programin Kuadër 7 (FP7), Programin COST dhe aktivitetet e JRC (Joint Research Centers) të KE-së.
Pas takimeve me autoritetet më të larta zyrtare Presidentin Topi, Kryeministrin Berisha, me ftesë të Ministrit të Arsimit, në këtë Konferencë mori pjesë edhe z. Janezh Potocnik (Potoshnik), ndërsa mbajtën një fjalim në Ditë Informimi për Fp7 edhe Ministrja e Integrimit znj. Majlinda Bregu, Këshilltari i Arsimit pranë Kryeministrit z. Myqerem Tafaj, kërkues shqiptarë dhe evropianë.
Ministri Pollo gjatë fjalës së tij në këtë konferencë tha se:
”Qeveria është e angazhuar që politikat e kërkimit shkencor për vetë rëndësinë që ato kanë, të shndërohen në politika prioritare. Duke i uruar gjithë kërkuesve shqiptarë suksese në aplikimet e tyre vërej se shuma që Qeveria pagon për t’u asociuar në këtë program, është kontributi më i rëndësishëm, jo thjesht financiar, që është dhënë për shkencën shqiptare në këto 17 vitet e fundit.
Përpara nesh dhe gjithë komunitetit tonë të kërkuesve e studiuesve është sfida për të përfituar maksimalisht nga mundësitë e jashtëzakonshme që ofron FP7; i pari program komunitar ku Shqipëria merr pjesë. Ne duhet ta bëjmë atë një histori suksesi, një model për gjithë programet e tjera komunitare në të cilat vendi ynë është duke aplikuar.
Ky antarësim i Shqipërisë do të thotë të drejta të njëjta të kërkuesve e studiuesve shqiptarë me ata europianë, për të aplikuar për projekte në këtë program, për të bashkëpunuar mbi bazë barazie e reciprociteti me ta, duke ndërtuar konsorciume, duke ndarë angazhimin, dijet, eksperiencat, mundësitë financiare si dhe rezultatet.
Të marrësh pjesë me sukses në FP7 do të thotë të mos matesh më me vehten, por me standartet europiane, do të thotë që me meritë të bëhesh pjesë e grupeve të kërkuesve europianë, do të thotë të integrohesh me ta jo thjesht si individ, por edhe si institucione.
Dhe është e natyrshme që hapin e parë drejt integrimit në Europë, i takon dhe duhet ta hedhin kërkuesit, studiuesit, profesorët e studentët tanë, i takon universiteteve tona, qendrave kërkimore pranë tyre. Programi Brain Gain dhe Fondi i Ekselencës, të shpallura dhe aktivizuara nga qeveria, janë dy instrumente shumë të rëndësishëm në këtë drejtim. Ne duhet të marrim masat e duhura në mënyrë që potenciali i të rinjve që do të kthehen e punojnë këtu të shndërohet në vlerën shtesë që shkenca dhe dija i japin produkteve dhe shërbimeve.
Ne kemi realizuar në dy vitet e fundit një nga reformat më të rëndësishme e të domosdoshme: atë të integrimit të institucioneve të Kërkimit Shkencor në ato të Arsimit të Lartë duke kapërcyer handikapin e një sistemi të vjetër e të tejkaluar. Institucionet e Arsimit të Lartë përfituan asete fizike të vlefshme dhe sidomos personel veçanërisht të kualifikuar ndërkohë që kërkuesit e sotëm që do të punojnë me studentet e doktorantë do të bashkëgjenerojnë brezat e ardhshëm të shoqërisë së dijes. Tani ne kemi opmtimizuar resurset në këtë fushë dhe mund të investojmë seriozisht për modernizimin e saj duke forcuar kapacitetet institucionale dhe të infrastrukturës së kërkimit. Projekti UNILAB 2007 ishte një investim madhor në laboratoret mësimore- shkencore; Ne po hartojmë projekte të tjera por njësitë shkencore kanë një potencial të madh për të tërhequr vete, nga shumë burime të tjera, fonde për projektet e tyre.
Mbi këtë bazë kemi nisur punën për hartimin e strategjisë së kërkimit shkencor, një strategji e domosdoshme për të përcaktuar drejt rolin që duhet të luajë shkenca dhe dija në zhvillimin tonë të ardhshëm.Vëmendje do t’i kushtohet vendosjes së statistikave e indikatorëve të Kërkimit e Zhvillimit pa të cilët nuk mund të ketë politika rezultative e vleresim objektiv në ketë sektor.
Ligji për Arsimin e Lartë i miratuar vjet ofron lehtësi dhe incentiva për këto investime. Mbetet një sfidë e madhe për MASH, Ministrinë e Ekonomisë dhe ministri të tjera të linjës, hartimi i programeve për përfshirjen në rritje të biznesit të huaj e vendas në Kërkim e Zhvillim.
Gjithashtu, mendojmë se, antarësimi i Bosnje Hercegovines dhe i Republikës së Kosovës, në FP7 si vende të asociuara do t’i jepte një nxitje të mëtejshme bashkëpunimit rajonal në këtë fushë e më gjërë, duke përshpejtuar ritmin e integrimit të të gjitha vendeve të rajonit në BE.”
Ndërsa z. Potocnik gjatë një konference shtypi u shpreh se:
Kjo është vizita ime e parë në Shqipëri. Sot kam patur biseda më të thella me presidentin e vendit tuaj, me kryeministrin, me ministrin Pollo dhe ministren e Integrimit. Në qoftë se do t’ju jepja një mesazh do të thoja: Mbajeni shkencën dhe kërkimin si prioritet të Qeverisë.
Bota është duke ndryshuar dhe ne duhet ti përshtasim kërkuesit tanë në përputhje me këto ndryshime që ndodhin. Shqipëria është një vendi i asociuar në programin FP7 ose në Hapësirën Evropiane të Kërkimit. Ky është një hap shumë i rëndëishëm që do të thotë që ju keni të njëjtat të drejta dhe detyrime në këtë program, ashtu si vendet e tjera të BE.
Por gjithashtu ky anëtarësim ndikon në një kuadër më të gjerë në strategjinë që ka vendi juaj për integrimin e tij në BE. Kjo iniciativë do të forcojë kërkimin në disa nga fushat kryesore për vendin tuaj, sic janë mjedisi, shëndetësia, arsimi. Nga forcimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit me programet e BE do të bëhet i mundur forcimi i kapaciteteve kërkimore të brendshme, të vendit tuaj.
Diskutuam me ministrin Pollo se si mund të përmirësojmë dhe të rrisim investimet në fushat e kërkimit për të arritur këto objektiva, duke vendosur përparësi në përpjekjet në fushën e kërkimit, duke inkurajuar bashkëpunimin rajonal, gjithashtu duke shtuar investimet, dhe duhet bërë e qartë se pa mbështetjen e gjithë ministrive, arritja e objektivave nuk do ishte e mundshme. Duhet investuar në burimet njerëzore dhe kërkimi shkencor duhet bërë tërheqës për këruesit e rinj; duhen forcuar kapacitetet njerëzore dhe ato të infrastrukturës. Gjithashtu duhet forcuar instrumenti IPA. Që ta përmbledhim: ju duhet të forconi kapacitet tuaja dhe vendi juaj duhet të ekspozohet më shumë ndaj konkurrencës në kërkim. Këto janë dy parimet në programin FP7. “
Vendi ynë ka nënshkruar Memorandumin për statusin vend i asociuar në FP7 në dhjetor 2007.
Programi FP7, eshte instrumenti kryesor i Komisionit Europian per financimin e kerkimit shkencor dhe teknologjise. Fondi ne dispozicion te ketij programi per periudhen 2007-2013 eshte 52 miliard euro.
Ai eshte i pari Program Komunitar ne te cilin Shqiperia aderon.
Në shtator të vitit 2007, Këshilli i Ministrave miratoi statusin e vendit të asociuar, në Programin Komunitar “Programi i Shtatë Kuadër, për Kërkim e Zhvillim Teknologjik”, FP 7 për periudhën 2008-2013. (7th Frameëork Program on Research and Technological Development.
Anëtarësimi i vendit tonë në programin FP7 realizohet duke financuar nga buxheti afro 200 mijë Euro që janë ¼ e kontributit të Shqipërisë pjesa tjetër do të mblidhet nga fondet e Bashkimit Evropian CARDS/IPA.
Ai përbën në thelb, kontributin më të madh financiar, që është dhënë në këto 17 vitet e fundit në favor të kërkimit shkencor dhe është hapi kryesor në integrimin e vendit në ERA (Hapësirën Evropiane të Kërkimit).
Përfituesit e programit FP 7 janë të shumtë, duke filluar nga institucionet kërkimore shkencore, universitetet, kompanitë private, entet publike dhe agjensitë e ndryshme qendrore si dhe individët, të cilët mund të aplikojnë, duke ndërtuar konsorciume me subjekte homologe të vendeve antare të BE-së, atyre kandidatë dhe kandidatë potenciale, si dhe vendeve të asociuara në këtë program, në përputhje me procedurat e aplikimit.
|
|