Ministri i Arsimit dhe Shkencës zhvilloi një takim me grupin sektorial të punës në AFP (VET – SWG).
Ministri Tafaj pasi vlerësoi mbështetjen e fuqishme nga partnerët tanë ndërkombëtarë, sidomos nga vendet e BE-së theksoi se fuqizimi i Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP) në Shqipëri është i një rëndësie të padiskutueshme. “ Ky sektor i burimeve njerëzore ka një impakt pozitiv të drejtpërdrejtë jo vetëm në zhvillimin e brendshëm ekonomiko-shoqëror, por edhe në kontekstin e proceseve aktuale të integrimit europian të Shqipërisë”- tha Tafaj.
Krijimi i Agjencisë Kombëtare të AFP në mbështetje të krijimit të një sistemi unik kombëtar të AFP, i ka dhënë gjithashtu një shtytje zhvillimit cilësor të këtij sektori.
Gjatë fjalës së tij Ministri Tafaj njohu grupin sektorial të punës me përgatitjen e draftit të Ligjit të ri për AFP.
“Eshtë përgatitur drafti i Ligjit të ri për AFP dhe dërgimi i tij në parlament për miratim së shpejti, do të hapë rrugën për një sërë ndryshimesh të rëndësishme për ta çuar AFP më afër kërkesave të tregut dhe nevojave të shoqërisë”- tha Tafaj
Në këtë kontekst, është përgatitur dhe drafti i ndryshimeve në përbërjen dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar të AFP, duke i dhënë një rol më të madh partnerëve socialë në propozimin e politikave zhvillimore të AFP, -vijoj Ministri Tafaj.
Një arritje e rëndësishme konsiderohet dhe miratimi para disa ditësh në parlament i Ligjit për Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve (Albanian Qualification Framework). Ky ligj krijon bazën institucionale për krijimin e një sistemi kombëtar të kualifikimeve me 8 nivele, që integron dhe krijon koherencë jo vetëm midis niveleve, por edhe midis kualifikimeve të përgjithshme, kualifikimeve profesionale dhe formimit profesional.
“Korniza Shqiptare e Kualifikimeve është në një linjë me Kornizën Europiane të Kualifikimeve, dhe nëpërmjet mekanizmit të akumulimit dhe transferimit të krediteve, krijon shanse për njohjen e certifikatave shqiptare edhe në kontekstin europian e më gjerë”, - u shpreh Tafaj
Kjo do të ketë një impakt të dukshëm edhe në rritjen e mobilitetit të kualifikimeve dhe sidomos të punësimeve brenda dhe jashtë vendit. Në këtë kontekst, Korniza Shqiptare e Kualifikimeve përbën një hap të rëndësishëm për përmirësimin e arritjeve të AFP në Shqipëri dhe për integrimin europian.
|