Tiranë, më 7 mars 2007

 

Ministri Pollo në 120-vjetorin e shkollës shqipe: “Mësuesi në piedestalin e duhur në shoqëri”

Sot ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Genc Pollo ishte në Korçë me rastin e 120-vjetorit të çeljes së shkollës së parë shqipe.
1-7 mars 2007, u shpall nga MASH si “Java e Arsimit” me qëllim festimin e këtij jubileu, për të kujtuar dhe respektuar të gjithë ata breza mësuesish që punuan dhe ende punojnë në mënyrë të pa lodhur dhe me shumë përkushtim në punën e tyre të edukatorit.

MASH gjithashtu udhëzoi të gjitha Drejtoritë Arsimore në vend për organizimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike në shkolla në përkujtim të 7 marsit 1887. Që nga dita që në Mësonjëtoren e Korçës u dha mësim për herë të parë shqip, në Shqipëri festohet çdo vit dita e 7 marsit si festa e mësuesit.
Aktualisht në sistemin e arsimit shqiptar japin mësim rreth 36.000 mësues të arsimit parauniversitar.

Pak histori
Në vitet e fundit të shekullit të XIX-të u bënë përpjekje të përbashkëta nga atdhetarët shqiptarë të Korçës, Bukureshtit e Stambollit për çeljen e një shkolle të rregullt shqipe. Ndër intelektualët tanë të njohur në atë kohë përmendim: Naum Veqilharxhi, Zef Jubani, Jeronim De Rada, Konstandin Kristoforidhi, Thimi Marko, Naim e Saim Frashëri, Pashko Vasa, Hasan Tahsini e të tjerë. Drejtuesit e Komitetit Shqiptar të Stambollit u kujdesën në këtë kohë edhe për hartimin dhe miratimin e një alfabeti të përbashkët për të gjithë bashkëatdhetarët. Me këtë alfabet ata botuan librin e parë “ Alfabetarja e Gjuhës Shqipe”

Në Korçë, nën drejtimin e Komitetit Kombëtar, ishin marrë të gjitha masat nga atdhetarët vendas për çeljen e shkollës së parë shqipe. Kështu më 7 mars 1887 nën drejtimin e drejtorit të parë të shkollës u çel shkolla në gjuhën amtare e cila kishte fillimisht mbi 35 nxënës.
Megjithëse edhe më parë ishin bërë përpjekje për çeljen e shkollave shqipe, shkolla e parë e Korçës dallohej për fizionominë e saj kombëtare, laike dhe demokratike. Në të mësimi zhvillohej vetëm shqip, nuk kishte përmbajtje fetare dhe në të mësonin djem e vajza pa asnjë dallim.
Në fillim kjo shkollë kishte katër klasa, numri i nxënësve pas tre muajsh arriti në 60 dhe në vitin e dytë të saj në 300 nxënës. Mësuesit e parë që dhanë mësim në këtë shkollë ishin Pandeli Sotiri, Thanas Sina e Thoma Avrami. Si drejtues të shquar të kësaj shkolle ishin edhe atdhetarët e njohur Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Janko Minxha, Kristaq Vaja etj.