Përgjigje e Ministrit të Arsimit dhe Shkenës z Genc Pollo në Kuvend për shkollën "Omiros" në Korçë
“Do të doja të falenderoja deputetin e qarkut të Korçës Mehmet Hoxha për pyetjet që më ka dërguar. Ai më jep një rast shumë të mirë për të shpjeguar një cështje e cila është sajuar, shtrëmbëruar nga një gazetar me emrin Blushi në një të përditshme të vëndit. Falenderoj deputetin sepse rastin për të shpjeguar që ai më ofron përmes pyetjeve nuk e kam patur ne median e z. Blushi gjatë dy javëve të fundit.
Por nuk është vendi këtu për të diskutuar nivelin e ulët profesional apo instrumentalizimin politik të Z. Blushi, i cili si rregull nuk ka botuar reagimet dhe sqarimet tona, ose dhe atëherë kur kjo ka ndodhur janë parqitur te përgjysmuara, madje ndonjëhere dhe të shtrëmbëruara.
Çështja që ju ngrini në pyetjet tuaja ka të bëjë me një shkollë bazë, pra të arsimit të detyruar, të hapur me një liçencë të dhënë nga kryeministri Nano dhe ministri Memushi në dt. 30 shtator 2004, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 868. Kjo është një shkollë ku në gjuhën greke sipas liçencës do të zhvillohen 34.6% e lëndëve të planit mësimor që përkatësisht janë, gjuha greke, edukimi figurativ, aftësimi teknologjik, edukimi muzikor dhe edukimi fizik. Të githa lëndët e tjera mbahen në gjuhën shqipe. Kjo shkollë ka aktualisht 178 nxënës. Citoj liçencën Nano-Memushi jo për të larë duart si Ponc Pilati, sic mund të jetë shprehur ndonjë deputet i opozitës, por për të sqaruar deputetin, gjithë Kuvendin si dhe publikun për faktin ashtu sic është. Por edhe duke theksuar se kjo licensë e lëshuar nga zotërinjtë Nano-Memushi nuk është e kritikueshme në vetvete dhe se unë nuk kam ndërmend të hedh hapa për kufizimin apo revokimin e saj.
Por z. deputet i Korcës kërkon të dijë si qëndron puna me pretendimin e kësaj gazete për mësimin e historisë me tekstin zyrtar grek, për këndimin e hymnit të Greqisë në këtë shkollë si dhe për braktisjen e shkollës së Boboshticës, një fshat rreth 5 km në jug të Korçës në favor të shkollës Omiros. Do të thoja që z. Blushi ka gënjyer hapur, mendoj në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të qëllimshme, për këto tre cështje, dhe më lejoni t'ju sqaroj.
Gënjeshtra Blushi nr 1 : Në shkollën Omiros nxënësit shqiptarë mësokan me tekstet zyrtare të Greqisë,
Kjo është e pavërtetë për dy arsye: së pari siç ju lexova edhe kushtet e liçensës dhe rregullat e përgjithshme në shkollat parauniversitare në Shqipëri, publike dhe private mësimdhënia lejohet në bazën e kurrikulës, programit dhe teksteve të miratuara zyrtarisht nga MASH. Inspektimet e bëra edhe së fundmi në këtë shkollë dëshmojnë se nuk ka shmangie nga ky rregull. Po ju them edhe arsyen tjetër që më kujton kapitenin që nuk shtiu për shumë arsye, përfshirë edhe mospasjen e topave: viti më i avancuar në këtë shkollë të arsimit bazë është klasa e tretë dhe është e kuptueshme sepse para tre vitesh ka filluar shkolla. Lënda e historisë si kudo në shkollat e ngjashme jepet vetëm në klasën e katërt. Prandaj në këtë shkollë nuk jepet fare lënda e historisë. Më mirë ta çonte një vit më vonë këtë sajesë dhe ne do të na duhej ta verifikonim saktë se me cilin tekst alternativ të miratuar zyrtarisht nga ne, jepet mësim në këtë shkollë se sa të flasim për himera dhe fantazma që z. Blushi na i sjell për realitet. Dhe është gënjeshtër që marros vetëm mendjecekëtit të tregosh kopertinën e një teksti zyrtar të Greqisë dhe të thuash që me të jepet mësim në këtë shkollën e Korçës sepse këtë gjë mund ta bësh edhe me një tekst të Turqisë, Italisë, Francës, Bullgarisë, ta paraqitësh atë në TV dhe të thuash pa asnjë provë direkte a indirekte se ky tekst shërben për mësimdhënie në këtë shkollë.
Gënjeshtra Blushi nr 2 : Në këtë shkollë na këndohet hymni i Greqisë.
Në shkollat e arsimit parauniversitar publik e privat duhet të këndohet hymni kombëtar shqiptar. Një ndër angazhimet e mia të para në kwtë post ka qenë edhe mbajtja e kësaj ceremonie cdo të hënë. Duke u përpjekur që kjo të zbatohet rigorozisht, pavarësisht nga vështirësi teknike e të tjera që mund të hasim. Por është e pavërtetë, siç del nga inspektimi, që shkolla Omiros cdo të hënë para fillimit të mësimit apo në mënyre rituale këndon himnin grek. Dhe nuk ka përsëri nga z. Blushi dhe media e tij ndonjë provë për këtë. Nuk mund të quhet provë për një mendje të shëndoshë të paraqesësh tre fëmijë që këndojnë ne rrugë hymnin grek, që në moshën e tyre e perceptojnë një këngë si gjithë të tjerat, dhe të pretendosh se janë shkelur rregullat sepse fëmijët në një shkollë të tillë normalisht mundet që krahas hymnit të tyre të mësojnë edhe hymnin e Greqisë edhe hymin e Bullgarisë, edhe hymnin e Turqisë edhe Marsejezën franceze madje edhe hymnin evropian.
Gënjeshtra Blushi nr 3 : E ripetituar nga ndonjë deputet tjetër është se qenka shkatërruar shkolla e Boboshticës me qëllim që nxënësit e këtij fshati të regjistrohen në shkollën Omiros .
Statistikat tona na tregojnë që në shkollën e Boboshticës në vitin shkollor 2000-2001 ka patur gjithsej 16 nxënës;
në vitin 2004-2005, viti i parë i shkollës Omiros, 11 nxënës; në vitin në vazhdim 5 nxënës
dhe në vitin aktual shkollor 4 nxënës.
Por Boboshtica nuk është fshati i vetëm i Korçës apo i gjithë Shqipërisë që njeh këtë fenomen, migrimin e brendshëm apo emigracionin e jashtëm, pra uljen e numrit të popullsisë dhe si pasojë uljen e numrit të nxënësve duke i kthyer godinat e mëdha të shkollave të panevojshme në raport me numrin e nxënësve që i frekuentojnë dhe të vështira për tu mirëmbajtur. Prandaj ne kemi shpallur një projekt të madh të përqëndrimit të nxënësve në shkollat e zonët urbane të ndihmuar përmes ndërtimit te konvikteve dhe të transportit ditor, por per këtë temë, më në detaje, le të flasim nje herë tjetër.
Këto ishin zonja e zotërinj faktet reale, zyrtare që doja t'ju paraqisja, madje atyre që shikojnë vetëm mediat e z.Blushi do të doja tju tërhiqja vëmendjen edhe për një fenomen tjeter mediatik. Dihet që kemi dy televizione private të mëdha në vëndin tonë njëri që quhet pro qeverisë dhe tjetri që quhet kundër qeverisë. Që të dy në mënyrë të pavarur në të njejtën ditë kanë transmetuar reportazhe nga korespondentët e tyre nga shkolla Omiros dhe nga fshati Boboshticë. Të dy në mënyrë të pavarur kane përshkruar një situatë pak a shumë si kjo që unë ju paraqita, ku fëmijët e shkollës Omiros flisnin normalisht për gjendjen në shkollën e tyre dhe ku mësuesja e Boboshticës gjithashtu fliste normalisht për situatën e shkollës së saj fort e habitur me shtrembërimin e deklaratave të veta nga z. Blushi.
Edhe diçka tjetër për tekstet shkollore: është e vërtetë që tekstet zyrtare të historisë që përdoren në Greqi, kanë pohime që nuk përputhen me versionin tonë historiografik, që janë edhe shtrembërime historike dhe që në pasazhe të veçanta kanë edhe një frymë shqiptarofobe. Por do ju thoja se në përgjithësi, ku më shumë e ku më pak, tekstet historike të vendeve të Ballkanit kanë të njëjten natyrë dhe frymë për vendet, shtetet dhe popujt e tjerë me të cilët kanë patur konflikte.
Ndoshta ne në Ballkan nuk jemi të vetmit; mjafton të kujtojmë demonizimin reciprok që Franca dhe Gjermania bënë njëra-tjetrës përmes teksteve shkollore deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Për të evituar që formimi në moshë të njomë të ngurtësojë klishetë e një të shkuare të palumtur dhe të formojë një shtrat mbi të cilin lehtësisht mund të ndizen konflikte nga demagogët e radhës, ka patur në Ballkan, edhe me inkurajimin e Bashkimit Evropian, nisma të ndryshme që lënda e historisë krahas fakteve historike që përbëjnë identitetin kombëtar, të mos ushqejë paragjykimet, frymën armiqësore, përcmuese për fqinjin apo për popujt e tjerë në përgjithësi. Ka edhe një proces që daton që nga qeveria e kaluar dhe që është i lavdërueshëm megjithëse ende nuk ka korrur frytet, për të rishikuar bashkë me Greqinë, përmes një komisioni dypalësh, tekstet e njëri-tjetrit dhe për të sugjeruar reciprokisht çfarë duhet të ndryshojë në to, në mënyrë që edukimi shkollor t'i shërbejë paqes, mirëkuptimit dhe në një sens më të gjerë, integrimit evropian.
Gjatë vizitës që bëmë me kryeministrin në Athinë, në vjeshtë të vitit të kaluar ishte kryeministri grek Karamanlis, ai qe kërkoi rinisjen e këtij procesi. Ne po vijojmë dhe në fund të këtij një muaji komisioni dy-palësh mban mbledhjen e radhës ku do të paraqiten komentet tona.
Po kështu pala turke ka bërë një kërkesë të tillë dhe i jemi përgjigjur pozitivisht. Shpresojmë që të mos jetë kohë e largët, kur edhe me të tjera vende ballkanike, kryesisht në veriun tone, me të cilat historikisht kemi patur probleme, të nisim gjithashtu një proces të ngjashëm. Dhe të mos e kuptojmë këtë si një demonstrim altruizmi nga ana jonë, që ne po ndryshojmë tekstet tona për t'ju bërë qejfin të tjerëve. Është në interesin kombëtar tonin, që mënyra se si informohen dhe edukohen popujt e rajonit për shqiptarët të jetë gjithashtu pozitive, pa klishe, pa paragjykime.
Kështu vemë bazën për një marrëdhënie të shëndoshë mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe miqësie. Dhe më këtë sens të mos harrojmë se në sajë të angazhimit diplomatik të qeverisë sonë dhe përkrahjen materiale nga MASH është realizuar që në shumë vende, sidomos në Greqi, të mundësohet që shkollat dhe godinat e tjera publike të këtij vendi të përdoren pasdite ose në kohën kur janë të lira për të organizuar kurse për fëmijët e emigrantëve shqiptarë, të lëndëve si gjuha, letërsia, historia, gjeografia, dhe folklori në gjuhën shqipe me tekstet tona nga mësues shqiptarë që gjithashtu gjenden në emigracion.
Nuk do të doja të ndalesha në fenomenin e patriotëve të ditës së dielë, të cilët sapo i kap antena ndonjë lajm të shtypit skandalistik nuk tentojnë të marrin informacion të saktë dhe te reflektojnë mbi të por vrapojnë menjëherë të bëjnë deklarata flakadan duke ripërtypur gënjeshtrat e dhëna nga operatorë si Blushi.
Do ju ftoja, z deputetë, që atë patriotizëm dhe atdhe-dashuri ta shprehin në mënyra më të qenësishme përmes pushtetit që na ka dhënë vota e popullit. Dhe së shpejti para jush do paraqitet buxheti suplementar sic njoftoi pardje kryeministri. Ju kam relatuar edhe më parë se në qeverinë e shkuar janë ndërtuar shkolla me vlerë 130 mije €, si ajo në Lubonjë, Kolonjë që sot për shkak të emigracionit ka 60 nxënës, nga 240 nxënës që është kapaciteti i saj; si ajo e Zhapokikës, Tepelenë (2003) me palestër fiskulture që ka kushtuar 200 mijë euro dhe që ka gjithsej 36 nxënës nga një kapacitet prej 150; si shkolla në Ziçisht, Korçë (2002-2004) me vlerë 112 mije euro me 28 nxënës, kapaciteti 300 nxenes, ndërkohë që nuk kishte nevojë për investim.
Propozime të tilla buxhetore nuk do të keni më nga MASH. Ne kemi bërë një plan të quajtur B-18 për të hedhur investimet aty edhe ku ka shkuar edhe numri më i madh i nxënësve: ne 18 bashkitë më të mëdha të vendit në mënyrë që të ulim numrin e nxënësve për klasë.
Pra zonja e zotërinj patriotizmin ta shprehim jo duke krijuar konflikte të panevojshme me të tjerët por duke kontribuar sot me buxhet për një arsim cilësor sepse vetëm kështu shpresoj mund të bëjmë realisht përpara.”
|