Tiranë, më 7 prill 2008

 

Matura 2008, maturantët e shkollave profesionale duhet të japin matematikën e gjuhë-letërsinë

Ja sa do të jetë % e pyetjeve

Këtë vit në Maturën Shtetërore 2008 është përcaktuar që edhe maturantët e shkollave të mesme profesionale dhe social-kulturore do të japin si provime të detyruar të Maturës lëndët Gjuhë-shqipe dhe Matematikë.

Këta nxënës zhvillojnë këto lëndë në vitet e para, të dyta, të treta të shkollimit të tyre të mesëm. (ka disa degë që zhvillojnë këto lëndë edhe në vitin e 4-ërt, shkollat 5-vjecare)

Për të gjithë këta nxënës MASH njofton se përqindja e notave të provimeve të detyruara (D1 dhe D2) për shkollat profesionale dhe social kulturore do të jetë si më poshtë:

a. Në shkollat profesionale: Letërsia 15%, Matematika 25% (të peshës së pikëve të Maturës)

b. Në shkollat social kulturore (përjashtuar shkollat pedagogjike): Matematika 15%, Letërsi dhe gjuhë shqipe 25%. (të peshës së pikëve të Maturës)

Kujtojmë se pikët që të kualifikojnë për në shkollë të lartë përbëhen nga 5 komponentë

  1. Mesatarja e shkollës së mesme (20%)
  2. Provimi 1 i detyruar (D1, Gjuhë-letërsi, 20%)
  3. Provimi 2 i detyruar (D2, Matematikë, 20%)
  4. Provimi 1 me zgjedhje (20%)
  5. Provimi 2 me zgjedhje (20%)

Maturantët e shkollave profesionale do të ndajnë 40%- shin e provimeve të detyruara, sipas profilit (social a natyror), sipas përqindjeve të mësipërme.

Nxënësit e shkollave profesionale, që nuk do të vazhdojnë studimet në

shkollat e larta publike japin provimet e mëposhtme:

a. Matematikë ( Mature Shteterore)

b. Provim shkollor “Teori dhe praktikë profesionale”.

Nxënësit e shkollave social kulturore, që nuk do të vazhdojnë studimet në shkollat e larta publike japin provimet e mëposhtme:

  1. Letërsi dhe gjuhë shqipe ( Mature Shteterore)
  2. Provim shkollor “Teori dhe praktikë profesionale”.

Përse maturantët e shkollave të mesme rofesionale duhet të testohen për gjuhë-letërsinë e matematikën?

1. Nxënësit në shkollat e mesme duhet të marrin një kulturë të përgjithshme në përshtatje me zhvillimet e sotme.

2. Me qëllim që të kemi një nxënës të formuar sa më mirë në kulturën e përgjithshme; në këtë rast do të jenë më të vëmendshëm ndaj kësaj lënde.

3. Nxënësit e këtyre shkollave nuk diskriminohen, në krahasim me gjimnazistët, pasi do të kenë një koefiçient po aq favorizues per  fakultete te tjera, që ua jep pikërisht provimi më fjalë.

4. Për ti ardhur në ndihmë maturantëve MASH ka nxjerë udhëzimin i cili cakton një mësues që do të bëjë konsultime një orë në javë për lendët letërsi/matematikë dhe që do të paguhet nga shteti me orë plus.

5. Këto shkolla kanë marrë që në tetor 2007 programet orientuese, të cilat përfshijnë konceptet kryesore të lëndëve. (maturantët e tjerë këto programe i kanë marrë në mars 2008)