Tiranë, më 6 mars 2009

 

NJOFTIM SHTYPI

Në datën 6 mars 2009 u zhvillua në Bukuresht të Rumanisë Takimi i Komitetit të Përbashkët të Ministrave të Arsimit të Evropës Qendrore dhe Juglindore në kuadër të programit CEEPUS, në të cilin mori pjesë edhe Ministri i Arsimit dhe i Shkencës i Shqipërisë, Z. Fatos Beja.

Programi CEEPUS është një program bashkëpunimi ndëruniversitar i rrjeteve të universiteteve të vendeve të Evropës Qendrore e Juglindore, i cili nxit lëvizjen e studentëve dhe pedagogëve ndërmjet universiteteve të këtyre vendeve.

Shqipëria merr pjesë për të tretin vit në këtë program. 39 pedagogë dhe studentë shqiptarë kanë shkuar vitin e kaluar në universitetet e këtyre vendeve dhe 15 pedagogë dhe studentë të universiteteve të tyre kanë ardhur në universitetet tona. Në vijim, parashikohen edhe 75 lëvizje të tjera brenda këtij viti akademik. Lëvizjet brenda rrjeteve universitare maten me muaj-bursa, të cilët mbulojnë shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit në vendet përkatëse. Pedagogët shkojnë për të dhënë mësim,ndërsa studentët kryejnë një ose disa module dhe marrin kreditet përkatëse, të cilat njihen nga universitetet e rrjeteve ndëruniversitare.

Në takimin e Bukureshtit, Ministri Beja foli për realizimet e deritanishme të institucioneve tona të arsimit të lartë në kuadër të projektit, për kuadrin e ri ligjor në fushën e arsimit të lartë, i cili do ta nxitë më tej pjesëmarrjen e vendit tonë në këtë projekt. Ministri deklaroi në takimse për vitin e ardhshëm akademik 2009-2010 Shqipëria do të ofrojë përsëri 130 muaj bursa për lëvizjen e studentëve dhe të pedagogëve në rrjetet e programit CEEPUS. Ai kërkoi nga vendet anëtare të programit CEEPUS që të lehtësohet dhënia e vizave për studentët pjesëmarrës në projekt.

Ministri Beja shprehu shqetësimin që Kosova dhe Universiteti i Prishtinës nuk morrën pjesë në takim për shkak të pengesave të krijuara nga pala pritëse, çka cënon qarkullimin e lirë të pedagogëve dhe studentëve ndërmjet vendeve që kanë nënshkruar marrëveshjen e programin CEEPUS.

Këtë vit akademik në programin CEEPUS janë përfshirë Universiteti i Tiranës, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti "Luigj Gurakuqi" i Shkodrës dhe Universiteti "Ismail Qemali" i Vlorës. Në të ardhmen pritet që numri i universiteteve pjesëmarrëse të rritet më tej.

Në Bukuresht, Ministri Beja pati takime dypalëshe me ministrat e arsimit të vendeve të tjera të Evropës Juglindore, ku u bisedua për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis vendit tonë dhe vendeve të tjera në fushën e arsimit dhe të shkencës. Një takim të veçantë Ministri Beja pati me Ministren e Arsimit, Kërkimit dhe Inovimit të Rumanisë, Zj. Ekaterina Andronesku, me të cilën u ra dakord të punohet për realizimin e protokollit të bashkëpunimit ndërmjet ministrive të arsimit dhe të shkencës të të dy viteve tona.