Tiranë, më 5 Maj 2010


Fjala e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Z. Myqerem Tafaj ne forumin e Bankës Botërore në Berlin, Gjermani.

Sigurimi i Cilësisë, Barazisë dhe Ekselencës - pjesë e axhendës për arsimin kombëtar.

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

Më lejoni të falënderoj Bankën Botërore për këtë Forum të zhvilluar në kohën e duhur dhe Fraunhofer Gesellschaft-in për organizimin e tij.

Shqipëria është një ndër vendet e Europës Lindore që ka trashëguar prapambetjen më të madhe ekonomike nga izolimi, qysh prej periudhës së para viteve ’90-të dhe që po i afrohet tashmë fundit të një periudhe tranzicioni plot sfida.

Shqipëria sot është një vend anëtar i NATO-s dhe aspiron që shumë shpejt të marrë statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian. Sigurisht që ky hap kaq i madh ka nevojë për një demokraci të fortë, një zhvillim tërësor të ekonomisë, luftë të vazhdueshme ndaj varfërisë dhe përmirësim të cilësisë së jetesës.

Qeveria Shqiptare ka përcaktuar cilësinë dhe gjithëpërfshirjen në arsim si MJETET për të promovuar rritjen e shpejtë ekonomike, përmes investimit të vazhdueshëm në kapitalin njerëzor.

Arsimi në Shqipëri po i nënshtrohet një reforme të thellë në të gjitha nivelet. Shpenzimet publike në arsim janë dyfishuar në terma absolutë përgjatë periudhës 2005-2009. Shqipëria ka arritur një standard të nivelit të aksesit të krahasueshëm me atë të vendeve të tjera europiane. 90% e nxënësve që mbarojnë arsimin 9-vjeçar vazhdojnë arsimin e mesëm. Regjistrimi i studentëve u dyfishua gjatë pesë viteve të shkuara; në vitin akademik 2009-2010 numërohen 35 studentë, që ndjekin arsimin e lartë, për çdo 1000 banorë. Rreth 12% e studentëve janë të regjistruar në arsimin e lartë privat. Arsimi privat cilësor dhe partneriteti publik-privat janë elementet kryesore strategjike për të rritur investimet e përgjithshme në arsim.

Reformat në sistemin arsimor shqiptar e kanë transformuar gjithë infrastrukturën. Tashmë ne mund të flasim në terma dixhitale; lidhja me internet është shtrirë në të gjitha shkollat dhe universitetet e vendit. Zotërimi i gjuhës angleze është kthyer në një prioritet në arsimin e detyruar, atë të mesëm dhe të lartë. Ne po punojmë intensivisht për të promovuar një sistem modern të Arsimit dhe Formimit Profesional, në mënyrë që të përmbushim nevojat e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe t’u përmbahemi prirjeve të tregut të punës. Ne kemi integruar Kërkimin dhe Zhvillimin (K&Zh) dhe inovacionin, gjithashtu, në sistemin tonë të arsimit të lartë.

Synimi ynë parësor është të arrijmë standardet europiane në terma të aksesit në arsim dhe cilësisë së arsimit. Shqipëria ka përparuar sistematikisht në përpjekjet e saj për të reformuar kurrikulën dhe strukturën e sistemit arsimor.

Falë programit të Bankës Botërore “Cilësi dhe Barazi në Arsim”, i cili po zbatohet për herë të parë në Shqipëri, përmes një qasjeje sektoriale (SËAp) dhe që përfshin edhe Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën e Zhvillimit të Këshillit të Europës, ne po përpiqemi të përmirësojmë ambientet e të mësuarit, në mënyrë që të nxisim mësimdhënie dhe mësimnxënie më të mirë. Në këtë linjë, ne po punojmë për zbatimin e kurrikulave të reja moderne në arsimin e detyruar dhe të mesëm, që janë të orientuara drejt tregut të punës dhe me përmbajtje të gjerë të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.
Programi i Bankës Botërore në Shqipëri, me një kosto të përgjithshme prej afro 75 milionë dollarësh, 60% e të cilëve financuar nga Banka Botërore dhe dy partnerët e saj dhe 40% bashkëfinancuar nga Qeveria Shqiptare, është fokusuar, edhe mbi përforcimin e lidershipit, menaxhimin e shëndoshë dhe qeverisjen e mirë në sistemit arsimor, duke sjellë:

• Përgjegjshmëri dhe autonomi më të madhe në të gjitha nivelet e arsimit;
• Menaxhim më të mirë përmes zbatimit të Sistemit të Informacionit për Menaxhimin e Arsimit (EMIS);
• Përforcim të menaxhimit financiar në të gjitha strukturat.

Një tjetër fushë parësore për këtë program ka qenë përmirësimi i infrastrukturës fizike arsimore, përmes rehabilitimit dhe ndërtimit të shkollave, pajisjes së tyre me laboratorë shkencorë dhe të teknologjisë së informacionit, trajnimit dhe ritrajnimit të mësuesve të teknologjisë së informacionit.
Më tej akoma, ky program ka shtruar bazën për reformën në arsimin e lartë. Në këtë kuptim, ai është përqendruar kryesisht në:
- Hartimin e një Master-Plani të Arsimit të Lartë, që është plotësisht i pajisur me kornizën ligjore dhe strategjitë e duhura për zbatimin e tij;
- Përforcimin e lidershipit, qeverisjes në universitete dhe menaxhimit financiar;
- Hapjen drejt një aksesi më të gjerë në arsimin e lartë, veçanërisht në fushat e orientuara të shkencës dhe teknologjisë;
- Mbështetjen e kurrikulës së arsimit të lartë përmes krijimit të laboratorëve didaktike dhe shkencore.
Në këtë vështrim, programi i Bankës Botërore ka nxitur dhe promovuar standarde më të larta ndërkombëtare, drejt përmirësimit të cilësisë dhe aksesit në të gjitha nivelet e arsimit, tejkalimit të sfidave të globalizimit dhe nxitjes së transformimit të komunitetit tonë drejt një shoqërie të bazuar në dije dhe informacion. Boshti i të gjitha reformave që rrjedhin nga ky Program i Bankës Botërore është në qendër të politikave për formimin e një shoqërie të prirur drejt rezultatit.

Së fundmi, më lejoni të theksoj se, përmes këtij programi ne po bëjmë të mundur forcimin e sigurimit të cilësisë, barazisë dhe ekselencës në axhendën tonë kombëtare për arsimin.