Ministri Tafaj takon Ambasadorin gjerman z. Bernd Borchardt
Arsimi dhe Formimi Profesional ka qenë tema kryesore e një takimi të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaj me Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, z. Bernd Borchardt, organizuar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
Ministri Tafaj falënderoi Ambasadorin për bashkëpunimin e suksesshëm, kontributin konkret dhe asistencën e Republikës Federale të Gjermanisë dhe ambasadës në fushën e arsimit parauniversitar dhe atë universitar.
Në lidhje me Arsimin dhe Formimin e mesëm Profesional, Ministri Tafaj garantoi mbështetjen e MASH në lehtësimin e të gjitha procedurave për të mundësuar sigurimin e teksteve të standardeve perëndimore për nxënësit që ndjekin shkollat profesionale.
Ministri Tafaj renditi si prioritet edhe trajnimin e mësuesve të këtij sektori të arsimit, duke theksuar se MASH do të ndërmarrë çdo iniciativë dhe reformë, për të rritur motivimin e stafit dhe krijimin e infrastrukturës së nevojshme për thithjen e sa më shumë nxënësve, që frekuentojnë arsimin e mesëm profesional, si një ndër objektivat kryesore të programit qeveritar.
Në kuadrin e bashkëpunimit institucional, Ministri Tafaj garantoi mbështetjen e Ministrisë në zbatimin e suksesshëm të Marrëveshjes së nënshkruar mes dy palëve në prill 2009, që parashikon funksionimin e seksionit dygjuhësh gjermanisht-shqip pranë gjimnazit “Sami Frashëri”. Zbatimi i suksesshëm i këtij projekti do t’i çelë rrugë përhapjes së këtij modeli edhe në shkolla të tjera.
Për sa i përket Arsimit Universitar, bashkëbiseduesit trajtuan çështje që kanë të bëjnë me funksionimin e Fakultetit të Arsimit të Integruar me Praktikën, FASTIP, në Universitetin e “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, përfshirjen dhe zgjerimin e partneritetit në këtë projekt me sektorin privat në përmbushjen e objektivave të këtij projekti unik në Arsimin e Lartë në vendin tonë.
Ambasadori gjerman nga ana e tij i siguroi Ministrit mbështetjen e qeverisë gjermane dhe institucionit që ai drejton, për të arritur objektivat e programit ambicioz qeveritar në fushën e arsimit.
”
|