Ministri Tafaj në Vlorë : Decentralizimi dhe bashkëpunimi me pushtetin vendor janë prioritare në politikën tonë arsimore.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës Z. Myqerem Tafaj, mori pjesë në analizën vjetore të Drejtorisë Arsimore të qarkut të Vlorës.
Pasi falenderoi mësuesit dhe drejtuesit e shkollave për përballjen e tyre me sukses me sfidat e reformës së thellë në arsim, Ministri Tafaj, në përshëndetjen e tij u ndal në prioritetin e politikat e decentralizimit dhe dekoncentrimit si dhe bashkëpunimit me qeverisjen vendore në fushën e arsmit parauniversitar.
“Decentralizimi dhe dekoncentrimi është një nga objektivat e kësaj qeverie, dhe kjo do të shtrihet në të gjithë sektorët. Modeli aktual i ndërtimit të piramidës manaxhuese të arsmit në drejtori dhe zyra arsimore rajonale është i ngjashëm me atë të vendeve të zhvilluara. Por ky model ka në themel të filozofisë së tij bashkëpunimin e ngushtë me pushtetin vendor,”-theksoi Z. Tafaj.
Duke folur mbi bashkëpunimin e ngushtë të dy aktorëve, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, cilësoi se zhvillimi i arsimit duhet të ecë njëherazi me zhvillimin e integruar të rajoneve.
Më tej ai trajtoi drejtimet kryesore ku mund të rritet roli i qeverisjes vendore në zhvillimin e arsimit parauniversitar si politikat arsmore rajonale, rajonizimin dhe hartën e shpërndarjes së shkollave, realizimin e objektivit për pjesëmarrje 100 % të fëmijëve 5 vjeç në arsimin parashkollor, braktisjen zero në arsimin 9-vjeçar, zhvillimin e arsimit profesional, mbështetjen e nxënësve të familjeve në nevojë dhe të nxënësve të talentuar, rritjen e cilësisë së investimeve si dhe rritjen e rolit të bordeve të shkollave.
Në fund të analizës vjetore të Drejtorisë Arsimore të qarkut të Vlorës, Ministri i Arsimit siguroi mësuesit dhe drejtuesit se reforma arsimore do të vijojë më tej, duke vazhduar revolucionin e nisur të teknologjisë dhe informacionit në sistemin arsimor, rritjen e statusit të mësuesit dhe rritjen e vazhdueshme të pagave, si dhe thellimin e reformës në përmbajtjen e arsimit parauniversitar.
|