Tiranë, më 23 Nëntor 2009

     

 

Ministri Tafaj: Kurrikula të reja për klasën e XI-të dhe të XII-të arsimit.

Ngrihen grupet e punës për miratimin e programeve lëndore të klasës së XI dhe XII gjimnaz, për vitet shkollore 2010-2011 dhe 2011-2012.

Ministri Tafaj duke e cilësuar si një proces jetik për gjimnazin shqiptar reformën e kurrikulave, prezantoi 12 grupet lëndore të punës që do të hartojnë planin mësimor të klasës së XI dhe XII gjimnaz.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës në prezantimin e tyre vlerësoi se në përbërje të komisioneve janë 57 figurat më prestigjoze që kemi  në fusha të ndryshme të shkencës.
Z. Tafaj cilësoi se në këto grupe pune kemi edhe mësues të talentuar me shumë përvojë, që mund të japin një kontribut madhor në mënyrë që kjo kurrikul të jetë shumë reale dhe të pasqyrojë traditën tonë kombëtare në arsim.

“Kjo kurrikul e re për klasat e XI dhe XII gjimnaz, reflekton prirjet e zhvillimit të një arsimi të mesëm modern dhe mbi të gjitha na çon tek objektivi që kemi deklaruar për të patur standarte evropiane të arsimit të mesëm në vend, që mbyllet me një maturë të nivelit evropian” – tha Ministri Tafaj.

“Ju do të jeni tani aktorët që do të projektoni  dhe në rradhë të parë do të vlerësoni materialet, pra kurrikulat që ka përgatitur MASH-i në bashkëpunim me IKT-në dhe mbi bazën e vlerësimit tuaj e përmirësimeve që do të propozoni ju, do të  përgatitet dhe varianti përfundimtar i kurrikulës së klasës së XI dhe XII-të.
Mbi këtë bazë do të zhvillohet mësimi në këto klasa, do të trajnohen mësuesit dhe do të hartohen e përmirësohen tekstet. Ky është procesi më i rëndësishëm në reformën e arsimit të mesëm.” – përfundoi Tafaj.

Duke theksuar rëndësinë e këtij procesi, Ministri Tafaj garantoi se kjo reformë do të jetë tërësisht transparente dhe e hapur, jo vetëm për aktorët bazë, gjimnazistët dhe mësuesit por edhe për çdo familje shqiptare e cila dëshiron të jetë plotësisht e informuar për këtë program mësimor.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka krijuar 12 grupe pune lëndorë që do të studiojnë programin mësimor të klasave të XI-të dhe  të XII-të dhe të formatojnë kurrikulat e reja.