Tiranë, më 22 Tetor 2009

 

 

Ministri Tafaj takon Zv/Ambasadoren e SHBA-së në Shqipëri Znj. Deborah Jones

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Z. Myqerem Tafaj priti në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës në një takim Zv/Ambasadoren e SHBA-së në Shqipëri  Znj. Deborah Jones.

Ministri Tafaj falenderoi kontributin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe asistencën e ofruar nga prezenca e kësaj Ambasade në vendin tonë veçanërisht në fushën e arsmit të lartë nëpërmjet zbatimit të programeve të bursave të studimit si Fulbright, Humphrey të cilat kanë mundësuar kualifikime dhe përfundime të studimeve në cikle të ndryshme studimi të studentëve shqiptarë në universitetet amerikane.

Bashkëpunimi në këto programe ka ndihmuar në rritjen e numrit të studentëve, stafit akademik dhe studiuesve shqiptarë, si dhe shkëmbimit të eksperiencave në fushat prioritare të zhvillimit të vendit

Duke u ndalur në prioritetet e qeverisë Berisha në mandatin e II-të, Ministri Tafaj vuri theksin në punën që do të ndërmerret për reformimin e sistemit të financimit të arsimit të lartë si dhe në atë të procesit të akreditimit të Institucionevë të Arsimit të Lartë. “ Është obligim i qeverisë që në kuadrin kohor të 2 viteve të ardhshme, studentët dhe publiku shqiptar të kenë një renditje universitetesh sipas standardeve bashkëkohore të vlerësimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë”-tha Tafaj.

Ndërsa nga ana e saj Zv/Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri  Znj. Deborah Jones rikonfirmoi mbështetjen e SHBA-së për sektorin e arsimit, dhe vijimësinë e programeve aktuale të mbështetjes me bursa studimi të studentëve shqiptare.

Për të përfaqësuar sa më mirë prioritetet e zhvillimit të arsimit dhe nevojat e vendit në fushën e kërkmit shkencor, teknologjisë dhe inovacionit u theksua nevoja e vendosjes së programeve konkrete të bashkëpunimit në këto fusha.