Tiranë, më 21 Tetor 2009

 

 

Ministri Tafaj, takon Drejtorin e BKT.

 

Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaj pati një takim me drejtorin e përgjithshëm të Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), Z. Seyhan Pencapligli.

Ministri Tafaj falenderoi Drejtorin e BKT-së për mbështetjen që institucioni që ai përfaqëson ka dhënë për Fakultetin Publik të Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP) që funksionon pranë Universitetit të Durrësit falë bashkëpunimit të suksesshëm midis GTZ dhe qeverisë shqiptare prej vitit 2008.

Duke folur rreth prioriteve të qeverisë Berisha në mandatin e dytë, Ministri Tafaj theksoi rëndësinë e krijimit të një partneriteti midis sistemit arsimor dhe institucioneve të biznesit për ofrimin e studimeve që do të lehtësojnë integrimin e studentëve të diplomuar me tregun kombëtar dhe rajonal të punës.

Nga ana e tij drejtori i BKT-së Z. Seyhan Pencapligli, garantoi Ministrin Tafaj për vazhdimin e bashkëpunimit të nisur me FASTIP si dhe shtrirjen e këtij bashkëpunimi në projekte të reja në fushën e arsimit të lartë.

Në fund të takimit, Ministri Tafaj, siguroi mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për projektin FASTIP, duke mundësuar hapësira të reja bashkëpunimi ndërkombëtar me partnerë evropian që do të bëjnë të mundur shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik të këtij fakulteti me instucione homologe.

FASTIP ofron alternativa studimesh krejtësisht të reja në fushën e arsimit të lartë, të cilat janë të kombinuara në ciklin e parë të tyre mes një periudhe trajnimi praktik (në raportin 50 për qind studime, 50 për qind punë). Aktualisht falë bashkëpunimit më BKT, pranë këtij fakulteti vijojnë studimet në ciklin e parë mbi 40 studentë në menaxhim bankar.

BKT ka ofruar një numër të konsiderueshëm bursash studimi për studentë të shkëlqyer nga i gjithë vendi.