Tiranë, më 19 Dhjetor 2009

     

 

Ministri Tafaj : Punë intensive për përgjigjet e Pyetësorit të KE.
Pika jonë e fortë, pjesëmarrja e botës akademike në vendimarrje.

 

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Z. Myqerem Tafaj kërkoi angazhimin maksimal të administratës që ai drejton për të pregatitur përgjigjet për Pyetësorin që Komisioni Europian i ka dërguar Shqipërisë.
Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës u zhvillua një takim pune me të gjithë drejtuesit dhe specialistët për të komunikuar mënyrat se si do të punohet mbi pyetësorin.

“MASH do të përmbushë dy kapituj nga pyetësori i KE-së.
Jemi të parapërgatitur për gjithçka, pasi kemi ekperiencën e mëparshme të fqinjëve tanë për këtë pyetësor, por puna do të jetë intensive dhe e bazuar në reformat në arsim e shkencë.”-tha Z. Tafaj

Më tej Ministri Tafaj vlerësoi se ky pyetësor na jep mundësinë për të reflektuar për të gjitha reformat e rëndësishme që janë bërë deri tani në arsim dhe shkencë.
“Kemi mundësinë më të mirë për të pasqyruar stadin në të cilin ndodhen reformat arsimore në Shqipëri dhe çfarë ka mbetur për tu bërë.”-cilësoi Tafaj.

Për përgatitjen e pyetësorit do të angazhohen ekspertët më të mirë të Universiteteve publike dhe private, si edhe pjesëmarrës nga shoqëria publike dhe private.
Duke u ndalur në mënyrën e oranizimit të punës për plotësimin e pyetësorit Ministri Tafaj theksoi se, pika më e fortë e Ministrisë së Arsimit dhe SHkencës, është pjesëmarrja e botës akademike në vendimarrje.

“Shumë pyetje kanë të bëjnë me  rolin që organet këshëllimore dhe agjensitë e ndryshme luajnë në reformat e MASH. Dhe në këtë pikë rezultatet janë shumë të mira. Gjithë pejsazhi krijon mundësi të plota për të dhënë përgjigje në mënyrë sa më korrekte, Pyetësorit të KE-së dhe për të treguar që në Shqipëri reformat janë realizuar sipas standarteve europiane.”- tha Ministri Tafaj.

Ndihmë tjetër po aq e rëndësishme për plotësimin e pyetësorit është dhe fakti që 4 strategjitë  e arsimit të hartuar gjatë kësaj periudhe kanë pasur asistencën e ekspertëve të huaj të arsimit. Dhe kjo na ndihmon shumë, - përfundoi Tafaj. 

Pas dorëzimit të pyetësorit për qeverinë shqiptare, nga shefi i zyrës së Komisionit Europian në Tiranë, është deklaruar se ky pyetësor do të plotësohet nga ekspertët shqiptarë, brenda datës 31 mars të vitit 2010.