Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Z. Myqerem Tafaj takon Ambasadorin e Turqisë në Tiranë, Z. Hasan S. Aşan
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Z. Myqerem Tafaj zhvilloi një takim pune me Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Shqipëri, Z.Hasan S. Aşan.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, u ndal në mënyrë të veçantë në reformat që ka bërë dhe do të vazhdojë të bëjë qeveria aktuale në të gjitha sistemet arsimore në Shqipëri.
Në këtë kontekst, Ministri Tafaj falenderoi Ambasadorin e Turqisë në Tiranë, për bashkëpunimin dhe mbështetjen dhënë nga Qeveria turke në fushën e arsimit.
Nga ana e tij Ambasadori I Turqisë në Tiranë, Z. Hasan S. Aşan siguroi Ministrin Tafaj se bashkëpunimi do të intensifikohet edhe më tej në fushën e arsimit dhe shkencës.
Bashkëpunimi me Turqinë në fushën e arsimit dhe shkencës bazohet në: Marrëveshjen e Bashkëpunimit Kulturor, Arsimir dhe Shkencor midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, nënshkruar në vitin 1993, dhe në Programin e Shkëmbimeve Kulturore, Arsimore dhe Shkencore midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, nënshkruar në Tiranë, në qershor të vitit 1998;
Marrëveshjen për bashkëpunimin shkencor dhe teknologjik ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit për Kërkim Shkencor dhe Teknologjik të Turqisë (TUBITAK), nënshkruar në Ankara, më 7 shkurt 2007;
“Programin kuadër midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë për bashkëpunimin në fushat e arsimit, shkencës, kulturës, artit, rinisë, sporteve masmedias dhe kontakteve midis njerëzve”, nënshkruar në Tiranë, në mars 2008.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës i ka dhënë mbështetje të vazhdueshme funksionimit të kolegjeve turke në Shqipëri.
|
|