Tiranë, më 11 Tetor 2009

 

Fillimi i vitit të ri akademik. Ministri Tafaj uron studentët, profesoratin, drejtuesit e universiteteve

 

Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaj uroi sot të gjithë studentët, por edhe profesoratin e drejtuesit e universiteteve, një fillim të mbarë të vitit të ri akademik 2009-2010 , i cili starton nesër më 12 tetor 2009.

Gjatë një konferencë për shtyp të organizuar me këtë rast në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministri Tafaj u shpreh: “Nesër, fillon viti i ri akademik 2009-2010 në të gjitha universitetet tona publike dhe private. Me këtë rast dëshiroj t'i uroj të gjithë studentëve dhe pedagogëve të universiteteve tona: Gëzuar dhe suksese në vitin i ri akademik 2009-2010!

Kjo ditë, po shndërrohet çdo vit e më shumë në një festë për të gjithë familjet shqiptare, sepse arsimi i lartë është liberalizuar dhe në këtë vit akademik vetëm në universitetet publike ulen në auditorë mbi 30.000 studentë, që do të vijojnë studimet me kohë të plotë e të pjesshme në të gjitha ciklet e studimeve. Së bashku me studentët e viteve më të larta, numri total i studentëve, në të gjithë sistemin e arsimit të lartë, pra përfshirë edhe atë privat, parashikohet të afrohet me shifrën 120.000 studentë, që do të thotë se ekzistojnë të gjitha premisat që në vitin akademik 2013-2014 Shqipëria të ketë 150.000 studentë. Është kjo arsyeja që kjo ditë mund të cilësohet edhe si një ditë feste për çdo familje shqiptare.”

Duke folur për prioritet e Qeverisë dhe Ministrisë në fushën e arsimit të Lartë, Ministri veçoi programet e studimeve universitare, të cilat “u janë nënshtruar një reforme të thellë, në përmbajtje, në përputhje me standardet e Bolonjës. Këtë vit akademik universitetet do të ofrojnë të gjitha ciklet e studimeve që përcakton Karta e Bolonjës në të tre nivelet e studimeve.

Për sa i përket investimeve në këtë sektor të rëndësishëm të arsimit Ministri tha se: “Objektivi politik i programit të Qeverisë Berisha, për të rritur investimet, me synimin arritjen e 7% të PBB-së nga e cila, 6% vetëm nga burimet publike, është objektivi i një standardi të lartë, të vendeve më të zhvilluara të Botës... Vetëm në këtë vit akademik, universitetet publike do të përfitojnë rreth 25 laboratorë të reja mësimore-shkencore, që mundësojnë rritjen e nivelit teorik dhe praktik të studimeve universitare të të gjitha niveleve.”

“Reforma më e thellë në arsimin e lartë në këtë mandat, -vijoi Ministri,- do të jetë reforma e sistemit të financimit të arsimit të lartë, me synim zhvillimin e një modeli të partneritetit publik dhe privat, i cili bën të mundur rritjen e autonomisë së universiteteve publike.

“Ndërsa në mandatin tonë të parë, - tha Ministri Tafaj, -liberalizimi i universiteteve ishte prioriteti kryesor në fushën e arsimit të lartë, në mandatin e dytë, kryefjala e programit tonë në arsimin e lartë është cilësia e studimeve, cilësia e diplomave. Së shpejti një kompani e huaj, fillon punën për të përcaktuar standardet mbi bazën e të cilave do të bëhet klasifikimi i universiteteve dhe i diplomave shqiptare për nga cilësia e tyre. Deri në fillim të vitit tjetër akademik ne do të kemi të përfunduar klasifikimin e universiteteve shqiptare, publike e private, për nga cilësia, pra niveli i tyre.

Në fund të përshëndetjes së tij Ministri Tafaj garantoi profesorët në universitete, lidershipin e universiteteve, si dhe studentët se do të jenë gjithmonë në bashkëpunim të ngushtë me MASH-in, për të realizuar me sukses çdo reformë në fushën e arsimit të lartë, duke e konsideruar angazhimin e profesoratit, sipas Ministrit, si faktorin kyç të çdo reforme.